Mjekët shesin ilaçet e forta tek drogaxhinjtë

544
Korrupsioni nuk ndalet edhe tek bluzat e bardha, kur bëhet fjalë për të mbushur xhepat me lekë hallexhinjsh dhe drogaxhinjsh. Një qytetar nga Elbasan i tha “Telegraf” se “mjekët kanë nisur të shesin nën dorë tani veç ilaçeve të tjera të forta, madje edhe morfinën e cila jepet me firmë dhe vulë nga shefat e pavioneve. Djem të rinj dhe hallexhinj të sëmurë, vijnë dhe marrin tek klinika e mjekut XH. ilaçe të spitaleve dhe veç të tjerave edhe morfinë, kryesisht drogaxhinjtë të cilët e blejnë kundrejt një çmimi të paracaktuar nga mjeku sadist”. 

I njëjti qytetar tha se “prej 4-5 muajsh kam babain të sëmurë dhe gjithçka e blej me para nën dorë, pavarsisht se ai është me sigurime, është veteran lufte dhe ka një status të veçantë. Blej pothuajse të gjitha ilaçet tek ky mjek që nuk ka ditë të mos vijë nga spitali me çantën e mbushur plot me ilaçe, të cilat i grabit atje dhe na i shet ne, është bërë milioner vetëm me rrugë të pista, ndërkohë që edhe në profesionin e tij është skandaloz, pasi rri gjithë ditën tapë nga rakia që pi”. Por si ky rast në Elbasan ka me dhjetëra, ndërkohë që qytetarët nuk ngurrojnë të denoncojnë, por gjithmonë duke u ruajtur për të mos nxjerrë emrin e tyre, pasi i ruhen ndonjë ndëshkimi kur u bie halli. E vërteta është se shërbimi mjekësor në Elbasan mbetet larg atyre që pretendon dhe propogandon Ministria e Shëndetsisë dhe zoti Beqja, larg standardeve dhe larg realiteteve me të cilat ajo përballet në çdo institucion duke nisur nga lagjet dhe duke përfunduar në pavionet e spitaleve. 

Asnjë investim nga Minsitria e Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë prej 2 vitesh nuk investon asnjë qindarkë pavarsisht kërkesave që kanë drejtoritë e shërbimit shëndetsor e spitalor. Asnjë qindarkë për qendrat shëndetsore, asnjë qindarkë për rehabilitimin dhe rikonstruksionin e spitaleve ekzistuese të cilave po u bie suvaja, asnjë qindarkë për pajisjen e institucioneve shëndetsore me krevatë, çarçafë, tavolina mjekësh, dollapë, medikamente, ndërkohë që korrupsioni bën kërrdinë duke zbrazur çdo ditë xhepat e qytetarëve hallexhinj. Korrupsioni tek bluzat e bardha në Elbasan paraqitet në disa forma dhe mënyra, duke nisur nga paraqitja e qytetarit tek ambulancat dhe qendrat shëndetësore dhe duke përfunduar tek shtrimet në spitale, ku ai përballet me arrogancën e mjekut, infermierit dhe deri sanitareve, që nuk të afrohen në rast se nuk u ofron para. Por edhe pasi kryhen veprimet e para, nis rropatja e cila vazhdon me blerjen e ilaçeve tek farmacitë e mjekëve brënda territorit të spitaleve dhe ambulancave, e duke vazhduar me vizitat tek klinikat private pasdite, ku edhe atje do të paguash për gjithçka. Kjo shthurje e cila ka mbi 25 vjet që gërryen shërbimin mjeksor dhe stimulon hapur fare korrupsionin, ka degjeneruar deri në shitjen e ilaçeve të zhvatura nga ambulancat dhe spitalet e duke i shitur tek hallexhinjtë. 

Mjeku i denoncuar nga qytetarët
Tek klinika e mjekut XH. të denoncuar nga qytetarja nga Elbasani, çdo pasdite do të takosh të rinj që presin të marrin “dozat” e porositura dhe kjo ndodh në një kohë që mjekët akuzohen çdo ditë për mitmarrje dhe askush nuk lëviz gishtin për t’u marrë seriozisht sipas ligjit me ata. Qytetarët ndjehen të pambrojtur, të vetmuar dhe pa përkrahjen e shtetit dhe institucioneve, duke rënë viktima të pijanecëve me bluza të bardha, që nuk njohin as humanizmin dhe as përkushtimin ndaj profesionit veç ngjyrës së parave. Shitja e ilaçeve të marra në depo apo ambulanca dhe spitale, fshehurazi apo hapur, përbën një skandal të paparë, i cili duhet të ngrejë në këmbë organet e survejimit dhe kontrollit ligjor, për të ndëshkuar veprime të tilla vrastare të cilat mund ta klasifikojnë veprën openale të mjekut tek “krimet kundër njerëzimit”.

 Nuk është koha e sentimentalizmave që lidhen me njohjet dhe miqësirat e vjetra apo të reja në profesionin e mjekut, por është koha e ndëshkimeve ligjore ndaj çdo tentative dhe çdo shkelje ligjore që vjen nga ata që duhet të jenë të parët në mbrojtje të shëndetit të njeriut. Dhe pavarësisht këtyre fakteve, më vrastare mbetet heshtja e qëllimtë e Ministrisë Shëndetësisë, e cila denoncimeve nga Elbasani u përgjigjet me mesazhe gallatash në celular që shkruhen gjatë kafesë së mëngjesit që vetëm reagime zyrtarësh të përgjegjshëm nuk mund të jenë. 
Sigal