Mjekët e Durrësit protestë për shpërblimin e koronavirusit: E morën vetëm “të preferuarit”

43

Përfaqësues dhe mjekë të repartit të epidemiologjisë në qytetin e Durrësit kanë protestuar ditën e sotme pasi nuk kanë marrë shpërblimin e premtuar të qeverisë për mjekët e vijës së parë në përballjen me Covid-19.

Ata kërkojnë që qeveria të mbajë premtimin për shpërblimin por edhe pagesën për punën e kryer të shtunave dhe të dielave, ditë për të cilat kanë punuar gjatë tre muajve të fundit.

Kryetari i Konfederatës së mjekëve në qytetin e Durrësit, Zija Alhysa tha se urdhrat e ministres dhe të qeverisë nuk zbatohen për më tepër nga ana e drejtuesve të drejtorisë së Spitalit të Durrësit ka përgjigje me arrogancë dhe nuk ka transparencë.

“Kemi urdhrin e ministres dhe të qeverisë të cilat nuk zbatohen fare. Deri tan i asnjë person nuk ka marrë asnjë shpërblim të premtuar. Kemi bërë nga 60 orë në javë dhe asgjë s’kemi marrë.

Ky është muaji i tretë që punojmë në këtë situatë, dhe kanë marrë vetëm miqtë e drejtoreshës. Ne kishim lajmëruar për protestë por personeli ka frikë dhe kanë presion se i pushojnë nga puna. Edhe shefi i epidemiologjisë nuk ka dalë këtu se i bëjnë presion.

Ne kemi lënë afat për tre ditë që të na japin përgjigje dhe më pas do ndërpresim punën, nuk kemi ku shkojmë tjetër”, tha Alhysa.

Duket sikur qeveria e ka alokuar fondin por po keqmenaxhohet nga institucionet.

Duke akuzuar drejtoreshën e spitalit znj. Aurora Hyka, Alhysa tha se është ç’organizuar puna.

“Kemi kërkuar transparencë dhe na janë përgjigjur me arrogancë dhe mospërfillje.

Unë e di detyrën time, kur ka situatë epidemie dhe vatra infeksioni duhet të jemi në krye edhe pa qenë drejtoresha fare por drejtoresha e ka ç’organizuar punën” deklaroi ai.