Mitingu i 10 janarit ishte pararendësi i një zhvillimi madhështor

632
Nga Kolec TRABOINI

Vijon nga numri i kaluar
Kundërshtitë dhe meritë vetjake që kishin ata që aspironin për të ngjitur shkallët e pushtetit (a ishin caktuar për atë punë nga diktatori) janë çështje që nuk kanë asnjë lidhje me këtë miting historik, të cilin dikush mbase qëllimisht e ka harruar, ngaqë nuk e kanë bërë vetë dhe as e dinë fare si është organizuar. Kaq shumë thirrje kundër diktaturës nisën të lëshohen nga qytetarët, sepse ata të tribunës ishin të përmbajtur, sa fjalimet u bënë, jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptimta. Në mes të atyre që nguteshin për të folur vura re dy kategori, njëra përbëhej nga ata që ëndërronin të ngjisnin shkallën e karrierës, tjetra nga ata që kërkonin të mbulonin diçka pas vetës. Ky ishte stili, ky ishte e vazhdon të jetë karakteri i shumë laskandraqve që flasin nëpër foltore partish e shoqatash, madje edhe në Kuvendin e madh të Popullit, duke spekuluar me hapjen e dosjeve, kur spiunët e deklaruar i mbanin pranë vetës, i përkrahnin e iu gjenin edhe ndonjë vend të ngrohtë për të bërë allishverishe e korrupsion. Deri dhe ministra e deputetë spiunë. Mbyllja e mitingut, ishte, jo fund, por fillimi i shprehjes së revoltës popullore. Ishin mbledhur mijëra njerëz në sheshin para Universitetit rreth e qark shatërvanit. Kish nisur të errësohej dhe disa njerëz kishin gjetur qirinj dhe i kishin ndezur. Dikush ndizte gazeta të vjetra duke i bërë si pishtarë. Turma prej mijëra vetësh po derdhej si një lumë. Ishte një lumë vigan që kërkonte shtrat dhe hapësirë për të vërshuar. Dëshira ishte që ky lumë njerëzor të vërshonte në bulevardin kryesor, mes Kryeministrisë dhe selisë së Komitetit Qendror për t’i bërë sfidë atyre që tashmë dridheshin si minjtë duke kujtuar kufomën e pushkatuar të Çausheskut të Rumanisë. Sigurimi e nuhati dhe bllokoi rrugën kryesore duke lejuar vetëm kalimin e pjesshëm në trotuar. Turma prej mijëra vetësh duke kënduar “Se mjaft në robëri,/e mjera Shqipëri,/o djem rrëmbeni pushkët-ë,/ja vdekje, ja liri”, ktheu drejtim dhe mori nga rruga e Librit Universitar drejt kryqëzimit të Tiranës së Re. E tërë Tirana buçiste. Nuk e di pse atë natë ndjehesha më i lumtur se kurrë e më dukej se kisha bërë gjënë më të mirë në jetën time. Dhe këtë mendim e ndjenjë kam edhe sot kur i kujtoj ato skena, që nuk mund të përsëritën kurrë më. Mitingu i 10 janarit 1991 ishte pararendësi i një zhvillimi tjetër madhështor, populli, punëtorët dhe studentët e intelektualët më pas do të guxonin dhe e do të plandosnin përdhe duke e hequr zvarrë bronzin e diktatorit më të egër e të paskrupullt të Evropës pas Luftës se Dytë Botërore. Mirë të gjitha këto që i mori historia, po çfarë kanë dy kryeministra që edhe pas 27 vjetësh dalin e na e vjedhin mitingun antikomunist të Tiranës, se ashtu ishte domethënia e tij? Ndoshta, se ai që vidhet gjithnjë është populli. E popullit gjithherë i vidhet, jo vetëm pasuria, por edhe historia. Dhe ia shpërblejnë duke vënë buste e monumente sharlatanësh nëpër rruge e sheshe, të cilët vjen koha prapë për t’i rrëzuar. Aspirojnë bronz të lavdishëm politikanët tanë, ndaj hedhin mbi supe e veta gjithfarë historish e trimërisht të sajuara e shfaqen si Don Kishotë më armë të ndryshkura. Për të qeshur, por edhe për të qarë gjithashtu…!
Sigal