Misteri mbi vrasjen e shqiptarit në Islandë shkon në 8 numri i të arrestuarve, ja pistat

224
Sigal

Armando Beqiri është shqiptari që u ekzekutua në Islandë, pranë banesës së tij, ndërsa policia vendase ka arrestuar 8 persona lidhur me ngjarjen kriminale.

Beqiri u ekzekutua në Reikjavik, aty ku kishte ndërtuar jetën me familjen e tij, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende mister. Mendohet se autorët kanë qëlluar ndaj Beqirit me armë me silenciator, pasi fqinjët e viktimës, në dëshmitë e tyre për policinë, kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar ndonjë zhurmë të çuditshme.

Mediat islandeze shkruajnë se mbrëmjen e së martës janë arrestuar 4 persona të tjerë, përpos 3 që u kapën të dielën dhe njërit që ishte në paraburgim, që dyshohet se ka lidhje me ngjarjen. Katër personat u arrestuan në kryeqytetin islandez.

“Policia ka arrestuar katër persona të tjerë në lidhje me hetimin për vrasjen në fundjavën e kaluar. Nuk është e mundur të jepen informacione të mëtejshme për çështjen në këtë moment” deklaron policia. Ndërkohë që njëri nga tre burrat e arrestuar të dielën ka apeluar arrestimin. “Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen”,- ka deklaruar ai.

Margeir Sveinsson, ndihmës shefi i policisë në Reikjavik gjatë një prononcimi për mediat në Islandë u shpreh se “kemi sekuestruar sende të ndryshme por unë nuk komentoj se çfarë janë ato. Ne kemi biseduar me palë të ndryshme, si dëshmitarë dhe të tjerë, por unë nuk mund të jap më shumë informacion”.

Armando Beqiri u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në hyrje të shtëpisë. Ai ishte një nga pronarët e një kompanie sigurie private, ndërsa la pas gruan shtatzënë dhe një fëmijë të mitur.

Shqiptari që kishte disa vite në Islandë, bazuar te informacionet nga policia nuk kishte konflikte, ndërsa njëri nga të arrestuarit për ngjarjen është lituanez i njohur në Reikjavik për lidhje me botën e krimit.