Misioni i anëtarëve të Parlamentit Europian për Kontrollin e Buxhetit takon Kryetarin e KLSH

557
Sot më 9 maj, 2018, misioni i Deputetëve të Komisionit për Kontrollin e Buxhetit në Parlamentin Evropian, i kryesuar nga Europarlamentari Derek Vaughan, i përbërë nga deputetët Joachim Zeller, Gjermani, Wolf Klinz, Gjermani, Ryszard Czarnecki, Poloni dhe Anëtari i Gjykatës Evropiane të Audituesve, z. Hannu Takkula zhvilloi një takim me Kryetarin e KLSH Bujar Leskaj.
Deputetët europianë u interesuan të dinë për pavarësinë e institucionit kushtetues të KLSH për të përmbushur misionin kushtetues, dhe progresin e auditimit suprem publik në Shqipëri në zbatim të standardeve ndërkombëtare të auditimit, si në pikëpamje të kapaciteteve ashtu dhe të aktivitetit auditues.
Kryetari i KLSH-së, Zoti Leskaj i falenderoi deputetët e Parlamentit Europian, duke shprehur kënaqësinë për vizitën e tyre në një ditë të madhe dhe kuptimplotë edhe për Shqipërinë, sikurse është 9 Maji, Dita e Evropës. Ai u shpreh se ”Për të siguruar pavarësinë e plotë dhe një ligj për KLSH-në, në përputhje të plotë me standardet e INTOSAI-t, luftuam gjatë. I jemi mirënjohës Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit DG-Budget të Komisionit Evropian dhe Programit SIGMA, që na ndihmuan me ekspertizë të vlefshme dhe na mbështetën”.
Europarlamentarët vlerësuan prezantimin e bërë nga Kryetari Leskaj për modernizimin e institucionit të auditimit të jashtëm publik në Shqipëri dhe rritjen e kapaciteteve audituese, duke e cilësuar si impresiv progresin e arritur. Eurodeputeti Derek Vaughan, Kryetar i Misionit, falenderoi z. Leskaj për informacionin e dhënë, si dhe për materialet e detajuara, njohëse të vëna në dispozicion, të cilat mundësonin krijimin e një pamje të plotë mbi aspektet kryesore të punës shumë dimensionale të KLSH-së duke cilësuar se do t’i shqyrtojë me imtësi dhe do t’i pasyrojë në raportin e Misionit. 
Nga ana e tij, Anëtari i Gjykatës Evropiane të Audituesve(ECA), z. Hannu Takkula foli për një auditim tërësor të zhvilluar disa vite më parë në vendet e Ballkanit JugPerëndimor nga ECA dhe nënvizoi bashkëpunimin e deritanishëm me KLSH-në. Kryetari i KLSH e falenderoi ECA-n për intershipet e organizuara prej saj për audituesit e KLSH-së dhe u shpreh se në institucion po rritet dhe konsolidohet një brez audituesish që kanë marrë përvojën e mirë audituese të ECA-s. Në mënyrë specifike interesi i Anëtari i Gjykatës Evropiane të Audituesve ishte mbi nivelin e bashkëpunimit të institucioneve publike nga pikëpamja e ofrimit të informacionit, si dhe mbi bashkëpunimin e KLSH-së me median si partneri kryesor në mbrojtjen e interesit publik. Faktet dhe treguesit e paraqitura nga KLSH-ja në përgjigje të këtij interesi u vlerësuan për diversifikimin e instrumentave të përdorura për të rritur si shkallën e bashkëpunimit me subjektet publike që auditohen ashtu edhe me median, pavarësisht se KLSh është ballafaquar me raste të shkëptura të një reagimi jo pozitiv të institucioneve publike.
Pyetjes së Eurodeputetit Wolf Klinz, në lidhje me shkallën e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucionit të auditimit të jashtëm publik në Shqipëri, z. Leskaj ju përgjigj duke cilësuar se mesatarisht ky nivel zbatimi është i kënaqshëm, në shifrat 60-70 përqind, i ngjashëm me nivelet e SAI-ve të rajonit dhe atyre të zhvilluara, por problematike ngelet zbatueshmëria e ulët e propozimeve të KLSH për largim nga puna të zyrtarëve të lartë të denoncuar nga institucioni. “Si një mjet efiçient për të luftuar antikulturën e pandëshkueshmërisë, kemi rekomanduar përgatitjen dhe miratimin e Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik. Kemi kërkuar edhe ndihmën e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të disa Ambasadave të vendeve perëndimore në Shqipëri, për ta çuar përpara këtë nismë”. KLSH beson se nëpërmjet bashkëpunimit me Parlamentin, dhe veçanërisht me Komisionin e Ekonomisë dhe të Finanacave, si dhe me Qeverinë, shoqërinë civile dhe median do të rrisin efektivitetin dhe pavarësinë reale të KLSH-së duke zbatuar rekomandimet e dhëna, si një tregues i drejtëpërdrejtë vullnetit politik për luftën reale ndaj korrupsionit.
Deputeti gjerman Joachim Zeller kërkoi të dinte opinionin e Kryetarit të KLSH lidhur me zbatimin e ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, si një mjet efektiv për të denoncuar korrupsionin. Z. Leskaj u shpreh se ligji është i mirë, por zbatohet pak ose nuk zbatohet fare, ndërkohë që duhet të institucionet shtetërore të mbrojnë sinjalizuesit. KLSH ka qënë institucioni i cili e ka konsideruar si një instrument të rëndësishëm, duke dhënë kontributin e tij për ndërtimin e një ambienti sa më pranues në lidhje me këtë instrument, për ta bërë atë efektive.
Në fund të takimit, eurodeputetët, pasi falenderuan për pritjen dhe informacionet e shumta te marra, vizituan muzeun e KLSH dhe vlerësuan punën e bërë për informimin e publikun dhe për botimet KLSH. 
Sigal