“Miratimi” i demarkacionit, fitore për politikanët, fatkeqësi për Kosovën

702
Gjon Bruçi
Më në fund, me “Miratimin” e Demarkacionit, populli shqiptar i Kosovës arriti fitoren! “Fitoren” për të lëvizur jashtë dhe larg Kosovës. Njëzet vite pas fitimit të Lirisë dhe dhjetë vite nga pavarësimi, politikanët e pushtetarët kosovarë, të vetmen arritje kanë shënuar “Lëvizjen e lirë” të qytetarëve, lëvizje, e cila, do të çojë në largimin e tyre për jetesë, të cilën politikanët nuk mundën t’ua mundësonin në vendin e tyre. Kjo “lëvizje e lirë” që nënkuptohet emigrim, dalëngadalë do të çojë në zbrazjen e territorit të Kosovës nga popullsia etnike shqiptare dhe . . . në perspektivë, zëvendësimin e saj me qytetarë nga Serbia. Se, dihet që vende bosh nuk mund të ketë në Globin tonë, ku vlojnë interesat ndërkombëtare. Dhe e gjitha kjo “Fitore”, duke i dhuruar pjesë nga territori Malit të ZI!!! Midis atyre që votuan Demarkacionin, ishte dhe ish-luftëtari i mirënjohur, Fatmir Limaj. Veprimi i tij ma çoi kujtesën në vitin 2003, kur unë me disa shokë të mi, marshuam nëpër rrugët e Tiranës, duke mbajtur një parullë të madhe ku shkruhej: “ÇËSHTJA E LIMAJT, SI ÇËSHTJA E DIMITROVIT”, me të cilën demonstruam, duke kërkuar lirimin e tij nga akuzat që kishte ngritur Gjykata e Hagës për “Krime” gjatë Luftës së UÇK-së. Por nga viti 2003 gjer sot, kanë kaluar plot pesëmbëdhjetë vite, të mjaftueshme këto për të transformuar edhe karakterin e një luftëtari. Fill pas Çlirimit të Kosovës, Klintoni, duke folur në Prishtinë, midis të tjerave tha: “Në bëmë luftën, ju duhet të bëni paqen”. Fatmir Limaj me Hashimin, Ramushin etj. Luftëtarë, vërtet bënë luftën. Por paqja qenka më e vështirë. Se në paqe lulëzojnë të gjitha llojet e sëmundjeve fizike e morale. Aq më tepër kur “paqja” kombinohet me “pushtetin”!
Sigal