Miranda Rira: Premton stadium e ri 1 miliard lekë për ekipin Domosdova

1075
Sigal

Më në fund për herë të parë Prrenjasi në historinë e tij do të ketë stadiumin e ri me të gjitha parametrat e duhur me një super investim për ekipin Domosdova dhe kjo, falë kryebashkiakes Miranda Rira. Duket e pabesueshme dhe e ekzagjeruar, por është më se e vërtetë. 1 miliard lekë është vlera e stadiumit të ri që do të ndërtohet në Përrenjas për herë të parë në historinë e tij. Financimi i përbashkët i qeverisë, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Përrenjas, është publikuar dje në fletoren zyrtare dhe në muajin qershor pritet që impianti i ri të nisë nga puna për t’u ndërtuar ku ekipi Domosdova do të ketë shtëpinë e tij të re. Përrenjasi mbeti pa fushë futbolli për një periudhë pothuajse 1-vjeçare, kjo për shkak se fusha e sportit u prish për të ndërtuar qendrën e qytetit. Në atë kohë shumë kritika u bënë për këtë vendim që bashkia mori, pasi dihej se si do shkonte sporti, nëse nuk do kishte më një fushë. Sakaq rënia e skuadrës në Kategorinë e Tretë po kalohet në heshtje pa asnjë analizë. Por, vëmendja po kalon te më e rëndësishmja, te stadiumi i ri që do t’i japë një tjetër zhvillim sportit në përgjithësi në Përrenjas ku pritet qe të ketë dhe rritje të kategorisë. Kryetarja e Bashkisë, Miranda Rira tha, se ndërtimi e këtij impianti do të jetë një zhvillim shumë i rëndësishëm në disa aspekte. “Kemi arritur të sigurojmë në bashkëpunim financimin e një impianti të ri sportiv në qytetin tonë që i afrohet shifrës 1 miliard lekë. Një shumë jo e vogël, një investim jo dosido që jo çdo bashki e vogël si kjo e jona mund ta përfitojë. Ishte bashkëpunimi dhe dashamirësia e qeverisë shqiptare, e cila ka pjesën e saj, po ashtu Federata Shqiptare e futbollit me në krye z. Arben Duka tha Rira që e falënderoj për bashkëpunimin, i cili ka dhënë OK e tij për tapetin e fushës dhe impiantin e vaditjes. Dhe ne si bashki kemi bërë detyrën tonë, duke u bërë pjesë e investimit me një fond jo të vogël. Lajmi i mirë është që ekipi i futbollit të qytetit tonë do ketë një ‘shtëpi’ të tijën për të zhvilluar ndeshjet dhe nuk do ndihet më i braktisur në këtë drejtim. Por, po ashtu edhe të rinjtë, fëmijët që deri dje kanë bërë shumë sakrifica për të zhvilluar pasionin e tyre për futbollin, nga viti i ardhshëm do të kenë në dispozicion një fushë të re, me të gjitha parametrat e duhur siç e kanë shumica e stadiumeve në Shqipëri. Punimet do të fillojnë shumë shpejt dhe po shumë shpejt do përfundojnë. Mendohet që puna të nisë në qershor dhe në pranverën e vitit tjetër të ketë përfunduar dhe ne t’i bëjmë inaugurimin. Stadiumi është një premtim i mbajtur nga unë si kryetare bashkie dhe jam vërtet e lumtur që arrita të siguroj këtë investim, pasi futbolli është shumë për ata që e ndiejnë dhe janë të pasionuar pas tij”, ndaj mua do të më keni mbështetje për çdo gjë në këtë fushë ka përfunduar Rira.

Era Çela