Minoriteti grek drejt bashkimit, rrezikohet Bollano

631
Sigal

SARANDË-Zhvillimet e fundit brenda kampit politik të minoritetit etnik grek në Shqipëri në prag të zgjedhjeve lokale, sjellin edhe më të përfolurën: largimin e Bollanos nga kreu i organizatës “OMONIA”, organizatë e krijuar 23 vjet më parë si grupim për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Formacion me format politik, para se të themeloheshin forcat politike PBDNJ dhe MEGA. Pikërisht pas miratimit të reformës territoriale në Shqipëri, dhe kundërshtitë e mos dakortësitë e forcave politike që përfaqësojnë minoritetin grek, kryesisht në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës, jo vetëm ndaj reformës por dhe mes tyre, ka sjellë zhvillimin e ri politik në radhët e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Dhe janë përdorur pikërisht zgjedhjet që do të zhvillohen në organizatën “OMONIA” brenda muajit Nëntor 2014. Mbledhja e parë e zhvilluar në fundshtatorin e kryesuar nga kreu i kësaj organizate, Vasil Bollano dhe me pjesëmarrjen e kreut të PBDNJ dhe Vangjel Dules, ka hedhur piketat e platformës zgjedhore brenda kësaj organizate, bazë për votimet e PBDNJ dhe MEGAS. Pikërisht me fjalën e Vangjel Dules, ku janë ftuar të marrin pjesë edhe intelektualët e MEGAS, dikur krerët kryesor të kësaj organizate, ka sjellë që mbledhjen e dytë pas tre ditësh, Bollano për arsye të ndryshme nuk ka qenë pjesëmarrës. Dhe ka ardhur mbledhja e përgjithshme e kësaj organizate pas pesë ditësh (tri mbledhje brenda javës), ku papritur MEGA ka qenë pjesëmarrje në analizën e “OMONIAS”, çka i jep të drejtën Bollanos në nuhatjen e kurthit për largim nga drejtimi i “OMONIAS”, por këto u mbeten zhvillimeve në vijim. Përtej përshëndetjeve nga të dy krerët e partive politike të minoritetit etnik grek , PBDNJ dhe MEGA, Vangjel Dule e Kristaq Kiço, duke përmbushur edhe thirrjet e herëpashershme të konsullit të përgjithshëm grek në Gjirokastër, Kotrokoi, që streha e vetme e minoritetit grek në Shqipëri është vetëm “OMONIA”, vijnë edhe komentet e ndryshme ndaj qëndrimit të fundit të MEGAS. Pikërisht për këtë ne i morëm një intervistë kreut të MEGAS, Kristaq Kiço, ku sqaron për lexuesit e “Telegraf” se, tymnaja mediatike, me keqdashje ka përhapur lajmin se, MEGA do të shkrihet në formacionin politik PBDNJ. Jo, -përgënjeshtron zoti Kiço, MEGA do të vijojë si formacion politik partiak, jemi bashkuar njëzëri tek “OMONIA” dhe kemi për të parashtruar kërkesat tona me synimin që ti japim minoritetit grek dinjitetin dhe përfaqësimin që meriton. Kemi kërkesat tona të barazvlefshme edhe brenda “OMONIA”-s, edhe brenda procesit zgjedhor në njësitë që konsiderohen edhe minoritare, por edhe ato si bastione të votimeve pro neve, si Himara. Këto kushte do të parashtrohen dhe përcaktohen në një mbledhje të afërt mes krerëve politik të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Ajo që lë të nënkuptueshme, zoti Kiço, është se këto forca politike do të përfaqësohen të dyja në Dropull dhe Vurg për kreun e njësisë vendore, duke mos përjashtuar edhe përfaqësimin në vendimmarrje edhe në Bashkinë e Sarandës dhe Himarës. Zhvillimet e reja brenda grupimeve politike të minoritetit, me shumë gjasa do të largojnë Bollanon nga kreu i “OMONIA”-s, duke vendosur një kryetar, ku sipas burimeve konfidenciale tonat, duhet të ketë pastërti etnike, domosdoshmëri e besimit të komunitetit minoritar grek në Shqipëri. Gjithsesi, duhet edhe një muaj për konkretizimin e këtyre ideve, tanimë të hedhur dhe të konkretizuara tek bashkimi rreth “OMONIA”-s të të dyja formacioneve politike të minoritetit grek.  A.M