Ministrja Besa Shahini/ Në 6 vite qeverisjeje reforma të mëdha në Arsimin Parauniversitar. Nis faza e dytë e punësimit nga portali

500
Sigal

Ministrja Besa Shahini: Në 6 vite qeverisjeje, reforma të mëdha në arsimin parauniversitar

Nis faza e dytë e punësimit të arsimtarëve nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”

 

Punësimi nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” ka nisur fazën e dytë të punësimit të arsimtarëve, që ka të bëjë me testimin e informatizuar. Ky testim, i cili është përgjithësisht i organizuar në 4 seanca provimi gjatë një dite, do të zhvillohet pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore duke filluar nga data e 11 korrik deri më datë 22 Gusht, 2019, sipas një kalendari i cili gjendet i publikuar në faqen e QSHA. Ndërkohë, Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, është shprehur se “5-vjeçari i parë i qeverisjes së majtë solli reforma të mëdha në arsimin parauniversitar”. Ministrja Shahini theksoi se reformat më të mëdha që spikasin janë kurrikula e re, tekstet e reja dhe mësuesit ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara. Sipas saj, këto politika reformuese duhet të mbikëqyren, vlerësohen dhe përmirësohen. “Ndaj kemi themeluar Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, e cila do të garantojë se kemi gjithë informacionin e nevojshëm për mbarëvajtjen e arsimit parauniversitar (APU) dhe do të përcjellë rekomandimet më të mira në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në arsim”, tha Shahini.

Portali “Mësues për Shqipërinë”, nis testimi i informatizuar

Paraprakisht, numri i kandidatëve që do t’i nënshtrohen testimit është rreth 4,700 kandidatë. Ndërsa profilet ku do të zhvillohet testimi i informatizuar i mësuesve është: gjuhë shqipe dhe letërsi; arsim fillor; arsim parashkollor; arsim special; gjuhë angleze; gjuhë frënge; gjuhë gjermane; gjuhë italiane; gjuhë greke; edukim fizik; muzikë AMU; muzikë (shkolla artistike); shkenca sociale; matematikë; fizikë; biologji; kimi; TIK; histori; gjeografi; art pamor dhe art pamor (shkolla artistike). Portali “Mësues për Shqipërinë” është një sistem që aplikohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) që prej 5 vitesh, i cili tashmë që në korrik të 2018-tës është bërë pjesë e ligjit të arsimit parauniversitar, që do të thotë se kush nuk zbaton portalin “Mësues për Shqipërinë” ka shkelur ligjin. Ky mekanizëm është ngritur në funksion të emërimit të mësuesve në bazë meritokracie duke u siguruar që pjesë e sistemit të jenë më të mirët. Ai siguron: Transparencë, efikasitet, vetë-menaxhim, portabilitet dhe cilësi të dhënash. Gjatë vitit 2018-të, janë punësuar rreth 1,700 mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Në 4 vite të zhvillimit të portalit janë punësuar rreth 6,104 mësues, shifër e cila është në ndryshim të vazhdueshëm sepse punësime ndodhin gjatë gjithë vitit shkollor, të punësuar me kontratë të përhershme dhe përkohshme si mësues zëvendësues. Çdo vit janë rreth 600-700 pensionistë që lirojnë vendet e punës (me kontrata afatgjata). Ndërkohë janë edhe 600-700 të tjerë me kontrata të përkohshme që lirojnë vendet e punës (ato me leje lindjeje ose pushim mjekësor). Pra, janë rreth 1300-1400 mësues që pritet të punësohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Ministrja Shahini theksoi se reformat më të mëdha që spikasin janë; kurrikula e re, tekstet e reja dhe mësuesit ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara. Sipas saj, këto politika reformuese duhet të mbikëqyren, vlerësohen dhe përmirësohen