Ministria e Saimir Tahirit ka blerë 1 litër naftë 2093 lekë

725
Superskandal: Ministria e Brendshme kur në krye të saj ishte Saimir Tahiri ka zhvilluar tenderin e karburanteve për vitin 2016-2017, nëpërmjet së cilës do furnizoheshin të gjitha institucionet e vendit. Ministria e Brendshme me fondin prej 14 miliardë lekësh
Nuk qenka e thënë që skandalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të drejtuar nga Saimir Tahiri të kenë marrë fund. Ndërkohë që jehona e drogës dhe hashashit është bërë lajmi i ditës në të gjitha vendet e botës, si dhe nja nga shqetësimet më të mëdha të kancelarive evropiane, BE, vendeve fqinje me Shqipërinë dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, një tjetër skandal i përmasave të mëdha ka shpërthyer dhe subjekti i saj është Ministria e Brendshme e Tahirit. Në kohën kur Saimir Tahiri drejtonte këtë ministri në vitin 2016 dhe në vazhdim në 2017-ën ka zhvilluar një tender të përqendruar për të gjitha institucionet shqiptare. Tenderi kapte vlerën e afro 14 miliardë lekëve. Por ajo që të bën përshtypje është çmimi me të cilin u fitua ky tender. Ndoshta të gjithë do habiten, pasi tashme dihet çmimi se sa kushton një litër naftë në pikat e shitjes apo furnizimit të qytetarëve dhe drejtuesve të makinave. Çmimi me të cilën blihet sot 1 litër naftë apo benzinë nga shoferët dhe drejtuesit e makinave është rreth 1640 lekë (të vjetra) apo maksimumi 1680 lekë të vjetra për 1 litër. Por me sa e ka blerë Ministria e Brendshme e Saimir Tahirit? Çmimi me të cilin Ministria e Tahirit ka blerë 1 litër naftë për të gjitha institucionet e Shqipërisë është 2093 lekë për 1 litër. Nuk është lajthitje por e vërtetë. Ndoshta ata që kanë lajthitur janë drejtuesit e tenderëve të Ministrisë së Brendshme, Sekretari i Përgjithshëm dhe Kreu i Ministrisë së Brendshme Saimir Tahiri. 
Agjencia e Prokurimit Publik është organ qendror, person juridik publik në varësi të Kryeministrit, që financohet nga Buxheti i Shtetit. Veprimtaria e saj bazohet në Ligjin Nr. 9643/2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, Ligjin Nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” dhe Ligjin Nr. 9874/2008 “Për ankandin publik”, i ndryshuar. Detyrat dhe kompetencat e Agjencisë së Prokurimit Publik sipas vetë akteve ligjore të publikuara në faqen zyrtare të APP, fokusohen kryesisht në përgatitjen e projekt-propozimeve për rregullat e prokurimit publik, ankandeve publike dhe atyre në fushën e koncesioneve/partneriteteve publike private, hartimin e Dokumenteve Standarde të Tenderit dhe nxjerrja e udhëzimeve të nevojshme në ndihmë të autoriteteve që ndërmarrin këto procedura;

• Verifikimin e zbatimit të procedurave të prokurimit publik, procedurave të koncesionit dhe ankandit publik pas fazës së nënshkrimit të kontratës dhe në rast shkeljesh të dispozitave ligjore dhe nënligjore, vendosjen e gjobave ose propozimin e marrjes së masave administrative;

• Monitorimin e mbarëvajtjes së sistemit të prokurimit publik, si dhe zbatimin e masave dhe aktiviteteve në mënyrë që të arrijë dhe të ruajë një sistem plotësisht transparent dhe efikas të koncesioneve/partneriteteve publike private

Pikërisht këto detyra dhe këtë funksion që APP-së ia jep ligji dhe që ajo e ka jo vetëm mision por edhe detyrim ligjor duhet ta ushtrojë në çdo institucion pavarësisht se cilës forcë politike i përket ministria apo institucioni që kryen një prokurim dhe sidomos në ato raste kur prokurimi është i përmasave të mëdha dhe bëhet të gjitha institucionet shtetërore. Po a janë zhvilluar konform ligjit prokurimet në Shqipëri nga institucionet shtetërore ? A ka pasur bllokim të procedurave kur çmimet janë në vlera tejet të mëdha dhe të fryra artificialisht ? A ka përgjegjshmëri dhe bllokim të këtyre procedurave ? Nëse jo,cila është arsyeja e vërtetë e këtij shpërdorimi nga ana e atyre që kanë për mision të bllokojnë çdo lloj abuzimi me taksat e shqiptarëve të varfër?. Dhe që të jemi më konkret po ju bëjmë me dije dhe fakte të pakundërshtueshme super skandalin e një tenderi i cili kapë vlerën e 13 miliardë e 772 milion 138 mije e 040 lekë për blerje karburanti nga ana e Ministrisë së Brendshme të Ministrit Saimir Tahiri me numër prokurimi nr.7 datë 02 Mars 2016 dhe e firmosur nga titullari i organit qendror blerës Genci Gjonçaj. 

Baza Ligjore
– Ky urdhër prokurimi është mbështetur në udhëzimin Nr.1 të APP ,datë 27.01 .2015 për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, nga organi qendror blerës, Ministria e Punëve të Brendshme, për disa mallra dhe shërbime, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë. Vetë institucioni i APP në mbështetje të nenit 13 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, nenit 83, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 914, datë 29.12.2014 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik” dhe pikës 7 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 28, datë 14.01.2015 “Për ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”. Në vazhdim të këtij udhëzimi Agjencia e Prokurimit Publik, udhëzon: Autoritetet kontraktore, Këshillin e Ministrave, Institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave / Kryeministrit, Ministritë dhe institucionet në varësi të ministrave të dërgojnë në Organin Qendror Blerës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të dhënat teknike e sasiore, së bashku me fondin përkatës për objektet e poshtëshënuara. Pikërisht për rastin e karburantit , objekt i këtij skandali ,APP udhëzon: “ Blerje karburanti ku në këtë kategori përfshihen këto kategori: Naftë D1, benzinë, naftë F 76, solar. Në këtë kategori nuk përfshihen vajguri Jet A1 dhe karburanti për nevojat e Bordeve te Kullimit.

Urdhri i Prokurimit 
Në urdhrin e prokurimit nr.7 datë 02 Mars 2016 thuhet se : 
Mbështetur në Ligjin 9643 datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” (i ndryshuar), në VKM-në nr. 914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, Kreu VII, neni 60, në VKM-në nr. 28 datë 14.01.2015 “Për ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”:

URDHËROJ
1. Të kryhet prokurimi me mjete elektronike i fondit 1 377 213 804 (një miliard e treqind e shtatëdhjetë e shtatë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e katër) lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, për procedurën e prokurimit me objekt “Furnizim me karburante në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë” ndarë në katër lote.( Sekretari Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme )
Formulari i Njoftimit të Fituesit
Pas zhvillimit të tenderit Ministria e Punëve të Brendshme me Nr.Prot.7/6 datë 04/05/2016 si autoriteti kontraktor dhe Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Saimir Tahirit me adresë “Sheshi Skënderbej Nr.3,Tiranë,Tele/Fax: 04/2224403, njofton fituesit të lidhin kontratën pasi janë shpallur fitues.
Lidhja e Kontratës
Kontrata e furnizimit me lëndë djegëse të lëngëta për përdorim termik civil dhe industrial,lidhur më 25/05/2016 në Tiranë ndërmjet ,autoritetit kontraktor dhe kontraktorit. Kjo kontratë u lidh pas autorizimit që Ministria e Punëve të Brendshme i drejtoi 130 institucioneve duke filluar nga Kryeministria, ministritë deri tek shkollat e çerdhet.
Superskandali me çmimin: 1 litër naftë 2093 lekë ( të vjetra )
Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga Saimir Tahiri zhvillon tenderin më 2016 dhe vazhdon furnizimin e institucioneve edhe në 2017. Çmimi me të cilin Ministria e Saimir Tahirit shpalli fituesin është 2093 lekë për 1 litër. Ky është grabitje e pastër dhe një super babëzi që vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Po si ka mundësi që në karburante qytetarët dhe drejtuesit e makinave shkojnë dhe blejnë me lekë në dorë 1 litër naftë 1650 lekë, më gjithë tvsh, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme të Saimir Tahirit dhe Sekretarit të Përgjithshëm Gjonçaj e blen për disa institucione 2062 lekë për litër dhe për disa të tjera 2093 lekë për litër dhe me një marsh fitimi, të shprehur në përqindje 39.8 %. Kjo as më shumë dhe as më pak është një abuzim i hapur, vjedhje dhe shpërdorim detyre.

Nëse i referohemi shumës prej 13 miliardë e 7 milionë lekësh dhe marzhit të fitimit prej afro 40% shteti shqiptar ka humbur nga ky prokurim 5 miliardë e 300 milionë lekë. Kjo e thënë më ndryshe dhe më troç, hajdutët e Ministrisë së Brendshme kanë vjedhur një shumë marramendëse dhe që është e barabartë me pagesën që marrin si ndihme sociale 75 mijë e 700 veta. Ky është një turp dhe të gjitha institucionet e krimit ekonomiko-financiar, prokurorisë duhet të shkunden dhe të vënë para përgjegjësisë abuzuesit. Ambasadat le ta përdorin si një argument më shumë dhe si një fakt se kush dhe kë duhet të ndëshkojë të parin vetingu. Në numrat e tjerë do të publikojmë institucionet që janë furnizuar nga kjo kontratë e pisët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të drejtuar nga ministri i kohës, kur është bërë tenderi Saimir Tahiri.
Sigal