Ministria e Brendshme: Ja e vërteta lidhur me 10 vajzat që u sulmuan me armë

582
Deklarata e disa vajzave kosovare se duke kaluar në Rrugën e Kombit janë kërcënuar me armë nga persona të armatosur dhe neglizhenca e policisë shqiptare pas denoncimit të tyre, ka sjellë reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas MB, çdo deklaratë e vajzave është verifikuar por lidhur me personin që i ka kërcënuar me armë, nuk është gjetur asnjë shenjë rreth këtij pretendimi. Po kështu, MB thekson se nga të dhënat që disponon vajzat kanë ndryshuar dhe dëshminë, ndërsa u bën thiurrje qytetarëve të mos ndërpresin komunikimin me Policinë, lidhur me cdo shqetësim të tyre.
Deklarata e Ministrisë
Ministria e Punëve të Brendshme sqaron në lidhje me ngjarjen e publikuar në disa media online, që bën fjalë për një kërcënim dhe tentativë grabitjeje, ndaj një grupi vajzash nga Kosova, që ka ndodhur në mbrëmjen e datës 15 nëntor, në afërsi të një fshati në Lezhë:
Sipas informacioneve të mbledhura nga policia, rezulton se në orën 22:00 të mbrëmjes në fjalë, një shtetase nga Kosova ka telefonuar në numrin publik 129 për të denoncuar ngjarjen, sipas së cilës, një person me një motorçikletë, ka kërkuar t’i ndalojë, duke qëlluar me armë në ajër.
Me t’u informuar, shërbimet e policisë janë nisur drejt vendit ku pretendohej se kishte ndodhur ngjarja dhe kanë kryer kontroll sipas procedurave.
Në përfundim nuk është konstatuar as mjeti dhe as personi i pretenduar si autor. Policia ka zgjeruar rrethin e kërkimit, por nuk ka qenë e mundur të gjenden gëzhoja armësh apo shenja që të dëshmojnë për një ngjarje të tillë.
Janë pyetur gjithashtu në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni, disa banorë të fshatit Fishtë, si dhe pronari i lokalit ku vajzat kishin darkuar, por askush nuk ka pohuar që të kenë dëgjuar krisma arme.
Grupit të vajzave që kishin telefonuar në polici u është kërkuar që të japin dëshminë e tyre në Policinë e Lezhës, por një pjesë nuk kanë pranuar duke udhëtuar në drejtim të Kukësit, ku janë ndaluar në kufi nga pala kosovare dhe kanë dhënë dëshminë e tyre.
Ndërkohë, pjesa tjetër e këtij grupi ka dëshmuar në Policinë e Lezhës dhe më pas është nisur drejt Kosovës.
Në përfundim të të gjitha procedurave, materiali hetimor për këtë ngjarje është referuar për kompetencë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me shkresën nr.3459, datë 18.11.2015.
Në lidhje me ngjarjen, njëra prej shtetaseve të Kosovës ka paraqitur ankesë për sjelljen dhe deklarimet e disa punonjësve të policisë së Lezhës.
Për këtë shkak, SHÇBA ka bërë një verifikim nga ku ka rezultuar se shërbimet e policisë së Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë i kanë kryer veprimet konform Procedurave Standarde të Punës dhe në respektim të Kodit të Procedurës Penale.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel edhe njëherë të gjithë shtetasve shqiptarë apo çdokujt që viziton Shqipërinë që të bashkëpunojnë me policinë për të shmangur çdo ngjarje apo incident të çfarëdo lloji, e sidomos ato të natyrës kriminale.
Ministria e Punëve të Brendshme garanton se Policia e Shtetit është në çdo kohë, në shërbim të të gjithë shtetasve rezidentë ose në jo në Shqipëri dhe se çdo ngjarje e denoncuar nga qytetarët, trajtohet me prioritet maksimal.
10 vajza nga Kosova: Tmerri që përjetuam gjatë udhëtimit në Shqipëri, na sulmuan me armë në “Rrugën e Kombit”
10 vajza nga Kosova rrëfejnë tmerrin që kanë përjetuar gjatë udhëtimit nga Kosova për në Shqipëri, ku kishin menduar të kalonin fundjavën, për të festuar një moment të rëndësishëm në jetën e njërës prej tyre. Ngjarja ka ndodhur më 15 nëntor, kur vajzat po ktheheshin për në Kosovë me dy makina. Njëra prej vajzave rrëfen për mediat në Kosovë se njëra nga makinat u sulmua nga një motoçiklist i armatosur, i cili i ndoqi gjatë gjithë “Rrugës së Kombit”.
Vajza kosovare akuzon policinë shqiptare për neglizhencë, pasi pretendon se ka telefonuar pa pushim në numrin e policisë, por askush nuk u ka ardhur në ndihmë.
“Nuk them se Kosova është në gjendje shumë të mirë. Aspak! Edhe ne kemi hallet dhe problemet tona, mirëpo probleme të tilla kemi më pak, për të mos thënë aspak në krahasim me ato që ndodhin në rrugët e Shqipërisë”, – ka thënë vajza për “ Kosovapress”.
Më pas njëra nga makinat u shoqërua nga policia për në komisariatin e Lezhës, ku vajzat kërkuan që policia t’i përcillte deri në kufi, sepse ishte natë dhe ishin të trembura, por kjo kërkesë ra në vesh të shurdhër.
Sipas vajzave, policia e ka marrë ngjarjen me të qeshur, dhe duke bërë shaka policët u kanë thënë: “Njeriu ka hallet e veta, ka punuar gjatë tërë ditës, ka pirë nja dy gota alkool dhe në fund të fundit fiton alkooli! Këto gjëra ndodhin në çdo vend. Nuk keni pse e bëni kaq të madhe këtë punë. Pse vajtoni”?!”
“Ne e dimë që nuk jemi rasti i parë, mirëpo shpresojmë shumë që do të jemi i fundit. Për më tepër, shpresojmë që rasti i denoncuar nga ana jonë nuk do të mbetet vetëm një tjetër rast i vendosur në raftet e stacionit policor të Lezhës, por do të tentohet të zbardhet ky rast dhe të marrë dënimin e merituar personi i cili na sulmoi. Një pjesë e madhe e të ardhurave në Shqipëri sigurohen nga kosovarë. E çfarë po marrim në këmbim: vjedhje dhe terror që na shkaktohet në ato rrugë”, – thotë vajza.
“Me keqardhje më duhet të them se rreziku që i kanoset Shqipërisë nuk është ISIS, por jeni vetë ju, qytetarët e Shqipërisë”,¬ ka thënë ajo.
Sigal