Ministri Dervishaj prezanton buxhetin 2017 në Komisionin e Ekonomisë: Synojmë përmirësimin në disa sektor të transportit

536
Sigal

Ministri i Transportit dhe
Infrastrukturës Sokol Dervishaj ka prezantuar buxhetin e Ministrisë për vitin
2017, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Ministri Dervishaj tha se ky
buxhet është në rritje krahasuar me atë të vitit të kaluar, por nuk i përmbush
nevojat që ka infrastruktura e vendit.

Me buxhetin e vitit 2017,
Ministri Dervishaj tha se synohet përmirësimi i disa sektorëve duke filluar me
transportin rrugor, ujësjellës kanalizimet dhe hekurudhat.

Duke u ndalur te akset kombëtare
rrugore, Ministri Dervishaj tha se synohet përfundimi i disa projekteve që kanë
kohë që kanë filluar, si rruga Tiranë-Elbasan, Unaza e Madhe Tiranës një pjesë,
Bypassi i Fierit etj.

Në lidhje me Rrugën e Arbrit,
Dervishaj theksoi se ka ardhur një ofertë e pranueshme në terma financiar nga
një kompani shqiptare për ta ndërtuar me konçesion, por jemi ende në fazën
fillestare të procesit.

Për segmetin e rëndësishëm
rrugor Milot- Morinë, Dervishaj tha se Ministria është në përfundim të
negocimit të konkratës me firmën që e ka fituar konçesionin e mirëmbajtjes.
Kontratë që parashikon jo vetëm mirëmbajtjen por edhe përfundimin e gjithë
aksit rrugor dhe veprat e papërfunduara. Ministri sqaroi edhe situatën me
bypassin e Fierit, duke thënë se aktualisht është duke u punuar me ritme të
kënaqshme, dhe para verës 2017, synohet përfundimi i korsisë kryesore.

Dervishaj tha se për vitin
2017, nuk është parashikuar vendosja e pagesës për asnjë aks rrugor.

Ministri theksoi se për vitin
2017, vëmendje ka marrë përmirësimi i sinjalistikës rrugore, ku fillon
implementimi i një projekti me Bankën Botërore, me vlerë 150 milion USD i
shtrirë në një përiudhë 5 vjeçare.

Interesimit të deputetëve për
reformën e Ujit dhe sektorit të Ujësjellës Kanalizimeve, Ministri Dervishaj iu
përgjigj duke thënë se në 2017, do të përfundojnë disa vepra të rëndësishme.
Ndërkohë reforma e Ujit, do të vijojë më fazën e dytë, që parashikon
inventarizimin e aseteve dhe dorëzimin te bashkitë, dhe nënshkrimin e
kontratave të performancës.

Ministri Sokol Dervishaj u
ndal edhe te transporti hekurudhor, duke theksuar se viti 2017 do të sjellë
ndryshime rrënjesore, ku pritet të fillojë ndërtimi i linjës hekurudhore
Tiranë-Rinas-Durrës.