Ministri Bledi Çuçi: Plani i masave do sigurojë mbarëvajtjen e finales së UEFA-s, ja si do kryhet qarkullimi i automjeteve të mërkurën

72
Sigal

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u bëri thirrje qytetarëve, që nuk kanë biletë për finalen e Conference League që të mos vijnë në Tiranë. Në një prononcim për mediet, për planin e masave të Policisë së Shtetit për mbarëvajtjen e finales së UEFA Conference League që do të luhet në Tiranë më 25 maj, Çuçi tha se, “jemi këtu dhe do të jemi këtu për ta kthyer atë ditë në një ditë të vërtetë feste për gjithë Tiranën”. “Po parashikojmë çdo gjë në detaje në mënyrë që mos të cënohet askush në këtë festë të madhe. Besoj se çdo gjë është nën kontroll dhe do të jetë nën kontroll”, -tha Çuçi. Çuçi u bëri thirrje edhe njëherë të gjithë shqiptarëve që nuk kanë biletë edhe që nuk janë në Tiranë mos tentojnë të vijnë atë ditë në Tiranë, pasi Tirana do të jetë në dispozicion të tifozerive, të miqve nga Roterdami dhe nga Roma, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve, që kanë një biletë dhe do të duan të vijnë të shohin ndeshjen, ta shijojnë ndeshjen në stadium. Gjithashtu ai u bëri thirrje të gjithë bizneseve, që nuk kanë lidhje me finalen që ta shpallin ditë pushimi 25 majin. Çuçi tha se, bizneset që kanë lidhje me finalen janë restorantet, baret, gjithë bizneset e shërbimit. “I bëj thirrje bizneseve të tjera siç janë bankat apo zyra të ndryshme private, që ashtu siç ne kemi bërë me institucionet publike apo me shkollat ta bëjnë dhe ata. pra ta shpallin një ditë pushimi ditën e mërkurë. pasi do të jetë edhe e paralizuar përsa i takon qarkullimit të mjeteve e gjithë Tirana”,- tha ai. Çuçi tha se, “ne kemi marrë masa që çdo tifoz, çdo mik që vjen nga Roterdami dhe Roma t’i ketë dyert e hapura dhe të ketë të gjitha kanalet e dedikuara në mënyrë që të aksesojë Tiranën në formën sa më të lehtë dhe sa më të kollajtë”. Çuçi u shpreh se, të gjithë institucionet kanë qenë në kontakt me njëra-tjetrën, në mënyrë që, dita e martë dhe e mërkurë të kthehen në një festë të vërtetë. I pyetur në lidhje me qarkullimin dhe kush mund të lëvizë atë ditë në kryeqytet, Çuçi u shpreh se, “nëse nuk keni biletë mos hajdeni ditën e mërkurë në Tiranë, sepse do të jetë e bllokuar. Në Tiranë do të qarkullojnë ata që kanë një biletë si dhe tiranasit kuptohet në zonë pedonale, e gjitha”. “Unë i dekurajoj të gjithë shqiptarët e tjerë që ditën e mërkurë mos të tentojnë të vijnë në Tiranë, sepse Tirana do të jetë në dispozicion, të miqve në radhë të parë nga Roterdami dhe nga Roma, por dhe të gjithë atyre që kanë një biletë dhe duan të vijnë të shijojnë ndeshjen, këtë finale të madhe”,- tha Çuçi. I pyetur nëse ka pasur informacion në lidhje me tifozë të dhunshëm, që mund të vijnë në Tiranë, Çuçi u shpreh se, “ne kemi kohë që punojmë në bashkëpunim me policinë qoftë të Roterdamit, qoftë të Romës. na janë bashkuar këto ditë ekipe dhe nga Roterdami dhe nga Roma, të policisë së tyre, në mënyrë që të koordinojmë të gjithë veprimet për të parandaluar çdo situatë të pakëndshme”. “Ne nuk mund të ndalojmë njerëz të hyjnë në Shqipëri dhe të vijnë të shijojnë. Por do marrim masa që të parandalojmë çdo akt dhune apo çdo nxitës dhune, në mënyrë që mos degradojë pastaj në probleme të tjera që i kemi parë në të gjithë finalet në Evropë apo në botë. Edhe ndodhin situata të tilla. Pra i kemi marrë të gjitha masat për ta parandaluar këtë gjë”, -shtoi Çuçi. Mbi trafikun e shtuar dhe vendet e parkimit, Çuçi tha se, “në mënyrë që ta administrojmë sa më mirë atë ditë, ne e kemi shpallur si ditë ku bllokohet qarkullimi i automjeteve për Tiranë dhe hyrja për Tiranë dhe i dedikohet vetëm atyre që kanë një biletë, apo që vijnë për të parë për të shijuar ndeshjen, qoftë nga Roterdami, qoftë nga Roma”. “Kemi pa diskutim hapësira të dedikuara për parkimin e autobusëve që do vijnë në mënyrë të organizuar qoftë nga Durrësi, qoftë nga Rinasi. Kemi hapësira të dedikuara për të lënë mjetet e vogla, pra veturat, për çdo sportdashës që do vijë ta shijojë, i huaj në radhë të parë, por edhe ata shqiptarë që do vijnë ta shijojnë në stadium ndeshjen”, -tha Çuçi. “Kemi marrë masa që i gjithë fluksi i jashtëzakonshëm dhe i paparë ndonjëherë për Shqipërinë, i fluturimeve që do kemi brenda një kohe fare të shkurtër, brenda ditës të datës 25, të menaxhohet në mënyrën më perfekte, që mos kemi asnjë situatë që do të sillte, qoftë në vonesa, qoftë edhe në një rrëmujë që mund të shkaktohet në këto raste”, përfundoi ai. Ministri e bëri deklaratën pas një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit diskutuam për planin e masave për mbarëvajtjen e finales së madhe të UEFA Conference League.