Milionat i marrin pedagogët e universiteteve, “damkat” e korrupsionit i merr ministria e Arsimit

527
Sigal

Nga Ilir VATA

 

Pedagogët e universiteteve më të
pasurit pas gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi i kanë vënë çmim notës së
pamerituar dhe në shumë raste e përdorin atë si mundësi fitimi duke deformuar
dijet dhe në rastin më të ulët duke e zhvlerësuar atë për shkak të çmimit mbi
notën. Një sëmundje tashmë e vjetër dhe e pashërueshme që po deformon dijet e
studentëve dhe e vetë të ardhmes, sepse mundet të mos dish asgjë dhe mund të
marrësh nota maksimale, thjesht duke paguar çmimin e notës, që varion nga 150
deri në 200 euro për dhjetën, dhe 100 euro kur bëhen dhjetë vetë në grup. Një
fenomen i tillë bëhet në sy të të gjithëve dhe të gjithë heshtin, se disa janë
të përfshirë të këtë shit-blerje të ulët dhe disa, siç janë p. sh institucionet
heshtin, se janë të paaftë dhe të kompromentuar. Rate të tilla nuk kanë munguar
të dekonspirohen dhe më parë, por kohët e fundit në sezon provimesh, në tërësi
çmimi i notës është rritur sidomos për sezonin e vjeshtës, ku janë edhe
studentët më problematikë, që rrezikojnë të ngelin, por edhe ata që kërkojnë
nota të larta të pamerituara duhet të paguajnë, madje çmimi i nëntës dhe i
dhjetës është i barasvlefshëm me haraçin e katrës. Një fenomen i tillë kërkon
vëmendjen e organeve shtetërore, institucioneve të hetimit për të hetuar dhe
ndalur paligjshmërinë, falsifikim dhe shkatërrimin e së ardhmes nëpërmjet
haraçit që disa pedagogë i kanë vendosur notës, madje duhet të jenë objekt i
kontrollit të pasurisë së pedagogëve, njësoj si gjyqtarët dhe prokurorët dhe
zyrtarët e lartë, sepse janë nder më të pasurit në vend. Pedagogët janë me
vila, makina të shtrenjta, prona në bregdet dhe salltanete pa fund, vaska të
florinjta, apo çanta e salltanete disa mijëra euroshe, madje shihen me xhelozi
nga një grup tjetër siç janë profesionet e lira të avokatit dhe të noterit,
sepse gara mes tyre për pasurim të paligjshëm është e pamëshirshme, madje një
betejë e vërtetë për sa i përket konkurrencës. Ajo çfarë mund të bëhet, është
verifikimi i pasurisë, shtimi i masave të kontrollit, nxitja e portaleve on line
për të denoncuar korrupsionin për arsimin e lartë, ku të garantohet anonimati
dhe, më e rëndësishmja është, futja e pedagogëve në test, pasi shumë nga
pedagogët janë në atë vend pune për shkak të bindjeve politike apo aferave
korruptive në mjedisin universitar. Një pjesë e madhe e pedagogëve janë me të vërtetë
ndër më të pasurit, salltanetet e tyre vlejnë me miliona, ato notojnë mes dhuratave
të shtrenjta dhe floririt, ku më të preferuarat, janë valuta e huaj; në euro
dhe dollarë dhe rrallë herë kartëmonedha pesëdhjetëshe pranohen prej tyre.