Miliona euro për t’i mbyllur gojën “Becchetit”

617
Shteti shqiptar”, po bën “rrush e kumbulla” miliarda lekë nga buxheti me aventura e “qoka” për “avokati gjyqesh në arbitrazh” me investitorët e huaj, me objekt “padi-kundër padi”. Çfarë po ndodh me gjyqet ndërkombëtare që hap qeveria shqiptare dhe me gjyqet që kompanitë e huaja hapin kundër qeverisë shqiptare? Sot po ndalemi në miliardat që ka akorduar qeveria shqiptare për të fituar gjyqet e arbitrazhit ndërkombëtar ndaj grupit të investitorëve të huaj “Hydro S.R.L., Construzioni S.R.L., Francesco Beccheti, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti”. 
Sigal

Shkaku i vërtetë, i konfliktit Qeveri-“Beccheti”….

Flitet për një konflikt “hakmarrje” e cila tashmë ka shkuar në gjykim ndërkombëtar, për zhdëmtime vlerash financiare, me të paditur shtetin shqiptar. Është fjala për konfliktin që qeveria shqiptare ka hapur me kompaninë “Beccheti”e cila bashkëngjitur biznesit të saj në Shqipëri, hapi edhe një televizon, audienca e të cilit u zgjerua shumë shpejt dhe krijoji impakt referimi në territorin dhe shikuesin shqiptar. Ky fakt, duket se “shqetësoi” disa nga ekranet e “oborrit të shtetarëve”, të cilëve po u merrej audienca për shkak se televizioni i hapur nga kompania “Beccheti” kritikonte skandalet dhe politikat e dështuara të qeverisjes shqiptare! Ka mjaftuar ky pozicionim, që qeveria e gjendur përballë këtij ekrani të guximshëm e kritik realist, fillimisht vendosi ta kërcënonte duke e paralajmëruar me “batuta publike”, duke e vazhduar me gjoba, me prerje të energjisë elektrike, me “blerje gazetarësh”, me bllokim informacioni në institucione, më bllokim llogarish bankare, me bllokim sinjali televiziv e më së fundi me kërkesën për arrestim të pronarit. Nëse hap “dosjen” e marrëdhënieve Qeveri-“Beccheti”, rezulton se shkaku të këtë qenë vetëm veprimtaria oponente në medien pronë e kësaj kompanie, mbasi po të ishte shkak ajo që deklaron qeveria “për pastrim parash e fshehje të ardhurash dhe mos realizim kontrate investimi”, atëherë duhet të mbyllen, të sekuestrohen, të përzihen e të çohen përpara drejtësisë të gjithë koncesionet që janë dhënë prej qeverive shqiptare, madje të parat koncesionet e dhëna në këto 2 vite prej qeverisë “Rilindja” në shëndetësi, tatime, kontroll ushtarak ajror, hidrokarbure, polici, ushtri, rrugë, arsim, kulturë, turizëm, pyje, miniera, porte, ujëra, dogana etj. 

Gjyqi “Beccheti” 3.2 milionë euro “ilegale” studios avokatore angleze me aktivitet edhe në Rusi

Janë miliona euro që i hiqen buxhetit të shtetit me këto gjyqe tipike klienteliste, si rasti me sulmin ndaj “Beccheti”i cili tashmë gjendet për gjykim në arbitrazh. Për “fitoren” mbi “Beccheti”qeveria shqiptare ka miratuar në fundin e dhjetorit 2015 një vendim pagese 1.95 milionë euro për shërbim avokatie të huaj, përfaqësuar në gjyqin me “Beccheti”Sipas ekspertëve, ky fakt është një skandal që kërkon reagimin veprues të drejtësisë shqiptare, mbasi kemi të bëjmë me një abuzim të rëndë financiar me fondet publike. Sipas VKM Nr. 1110, datë 9.12.2015, qeveria që është shkaktare e plotë e hapjes së këtij gjyqi në arbitrazh, për të çuar deri në fund “inatin” me kompaninë, ka vendosur ta “blej” fitoren e këtij gjyqi me “çekun” 1.95 milionë euro, ose afro 2.8 miliardë lekë të akorduara e zyrtarisht me VKM Nr. 1110, datë 9.12.2015, si pagesë shërbimi avokatie të paracaktuar në llogarinë e Studios Avokatore Angleze “Wragge Lawrence Graham&Co LLP”! Burime nga qeveria, konfirmojnë se përveç shumës 1.95 milionë euro është vendosur që kësaj studioje të huaj avokatore të përzgjedhur si “mike” të drejtuesve të shefave të “Avokaturës së Shtetit”, t’i jepen edhe 1.3 milionë euro të tjera, si “pagesë me shtesë kontrate” e cila gati për ekzekutim, si “pagesë” për të garantuar (blerë) “fitoren” në këtë gjyq që nuk ka lidhje me interesat kombëtare shqiptare, por që ka brenda një “kapriçio” hakmarrëse të e cila kushton buxhetit të shtetit 3.2 milionë euro, dhënë pa asnjë transparencë e në kundërshtim me procedurat ligjore, madje edhe pa asnjë të dhënë të “CV” së kësaj studioje, që sipas ligjit duhej deklaruar si material informues e provues në “Fletoren Zyrtare”, bashkëngjitur VKM-së Nr. 1110, datë 9.12.2015.

A është firmosur kontrata, nga zyrtari që autorizon ligji? 

Për çdo shërbim publik që paguhet për interesat e Shtetit me financat e Buxhetit të Shtetit, duhet të mbahen në referencë procedurat ligjore, që nga llogaritja e vlerës së shërbimit, njoftimi publik për kryerjen e shërbimit që do të bëhet, mbledhja dhe vlerësimi i ofertave, gara e hapur prej subjekteve që ofrohen për të kryer shërbimin, përcaktimi i fituesit me publikim të vlerës së ofruar, lidhja e kontratës dypalëshe, dhe publikimi i saj në “Fletore Zyrtare”, firmosur nga palët kontraktore. A është firmosur apo jo kjo kontratë dhe nëse a është firmosur, cili zyrtar i shtetit shqiptar e ka firmosur: Ministri, Zv/Ministri, apo Avokatja e Shtetit, mbasi nëse nuk e ka firmosur një nga dy titullarët e ministrisë, por dikush tjetër, atëherë përbën skandal dhe shkelje të rëndë të ligjit. 

Ja 15 pyetje që kërkojnë përgjigje

Shtrohen disa pyetje, që duan përgjigje dhe që meritojnë nisjen e një hetimi prej krimit ekonomik dhe prej prokurorisë shqiptare. 
1. Kush e vlerësoi, se ky proces gjyqësor, kërkon një shërbim avokatie me kosto 1.95 milionë euro?
2. Çfarë vlere fitojmë prej këtij gjyq? 
3. A është bërë vlerësimi me komision ekspertësh të ofertave juridike për shërbime avokatore ndërkombëtare, në caktimin e kësaj vlere financiare? 
4. Cila është kjo studio avokatore me emrin “Wragge Lawrence Graham&Co LLP”? 
5. Në cilat vende të botës, me çfarë çështjesh konkrete të shpallura tashmë merret kjo studio avokatore? 
6. A ka pasur dhe a ka në proces kjo studio ndonjë “çështje ligjore” me ndonjë shtet dhe në cilin, me çfarë personazhi e për çfarë problemi ndërkombëtar? 
7. Cili ishte institucioni shtetëror shqiptar, apo agjencia vendase apo e huaj që e rekomandoi dhe cili ishte komisioni shtetëror që e përzgjodhi këtë studio? 
8. A është bërë njoftim, ofertë dhe garë prokuruese për shpalljen e këtij shërbimi avokatie dhe për shpalljen fitues të kësaj studioje? 
9. Sa është vlera më e madhe që ka paguar shteti shqiptar për gjyqe ndërkombëtare (arbitrazhe) të zhvilluar përpara vitit 2013? 
10. A është përfshirë dhe nëse po, përse është përfshirë në “pazar” e në kompetenca financiare edhe “Avokatura e Shtetit”?
11. Përse nuk janë bërë negocime me kompaninë, siç u bën me CEZ?
12. A ka sekserë, apo shërbim avokatie shqiptare, pjesë të “gatimit” të këtij vendimi qeverie? 
13. Përse nuk publikohet kontrata e lidhur me studion e huaja avokatore “Wragge Lawrence Graham&Co LLP”, çfarë ligji e lejon dhe e mbështet “shtesën në kontratë” me vlerë edhe 1.3 milionë euro?
14. A ka procesverbal të mbledhjes së qeverisë që është diskutuar dhe vendosur miratimi i kësaj kontrate? 
15. Cilët përfaqësues nga pala shqiptare e kanë firmosur këtë kontratë?
Ja VKM Nr. 1110, datë 9.12.2015, publikuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 250, datë 19 janar 2015, por fshehur në arkivën e vitit 2015
Përcaktimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si organin e administratës publike të interesuar në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar kundër “Hydro S.R.L., Construzioni S.R.L., Francesco Bechetti, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 7, 5, pika 1, shkronja “b”, 12, pikat 2 e 6, 15, pika 8, e 18, pika 2, të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave, 
VENDOSI 
1. Përcaktimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si organin e administratës publike të interesuar në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar kundër “Hydro S.R.L., Construzioni S.R.L., Francesco Bechetti, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti”. 
2. Autorizimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë që, nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, të lidhë shtesë kontrate, me firmën avokatore “Wragge Lawrence Graham&CoLLP” e cila është përzgjedhur nga Avokatura e Shtetit përmes një procedure konkurruese për përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në dy çështje arbitrazhi ndërkombëtar, të inicuara nga persona fizikë ose juridikë, pjesëtarë të grupit Bechetti. 
3. Shtesa e kontratës të rregullojë përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar kundër “Hydro S.R.L., Construzioni S.R.L., Francesco Bechetti, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti”. 
4. Shpenzimet për pagesën e firmës avokatore ndërkombëtare, në vlerën 1 950 000.00 (një milion e nëntëqind e pesëdhjetë mijë) euro, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. 
Një pjesë e vlerës prej 750 000 (shtatëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh të përballohet, ashtu sikundër parashikohet në kontratën për ofrimin e shërbimeve ligjore e lidhur ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, e përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit dhe firmës avokatore ndërkombëtare “Wragge Lawrence Graham & Co LLP”, nga buxheti i vitit 2015. 
Shuma e mbetur të përballohet nga buxheti i shtetit i viteve 2016 dhe i viteve të mëpasshme, në varësi të procedurave të arbitrazhit ndërkombëtar, sipas rregullave të të cilit gjykohen mosmarrë- veshjet me palë Republikën e Shqipërisë. 
5. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi. 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. 
KRYEMINISTRI 
Edi Rama