Mihal Bardhi:Si quhej Ura-Vajgurore dikur dhe historia e Urës së Hasanbeut

3650
Sigal

Flasin banorët dhe historiani Mihal Bardhi: Si u ndërtuan ndërmarrjet, rezervuarët e vajgurit dhe e vërteta e emrave

Qyteti i Urës – Vajgurore është i ndërtuar midis dy anëve të lumit Osum. Ky qytet e ka fillimin e tij rreth 200 vjet më parë, po në histori është shumë më i vjetër, i ndërtuar për vet pozicionin gjeografik, si vend kalimi për lidhjen e qytetit të Beratit me qytetet dhe krahinat e gjithë Shqipërisë jugore, perëndimore dhe veriore. Deri në vitet 1850 njihej me emrin e vetëm “Qelbësirë”, lagje e fshatit Kondezbalt dhe pas këtij viti njihet me emrin Ura e Hasanbeut . Pas viteve ‘48 me emrin Ura – Vajgurore, emër që mban sot qyteti dhe bashkia, emëruar si bashki në viti 1992. Pas çlirimit ky qytet ka marrë emrin Urë – Vajgurore për arsye se, në këtë qytet ndodheshin të ndërtuar rezervuarët e vajgurit, i cili grumbullohej nga përpunimi i naftës në qytetin e Kuçovës dhe më pas ai shpërndahej në të gjitha skajet e vendit. Po në këto vite u hap dhe Miniera e Gurit. Këto dy fakte, vajguri dhe guri ja vendosën emrin, Urë-Vajgurore. Në këtë qytet ndodheshin ndërmarrjet më të mëdha në Qarkun e Beratit. Ishte ndërtuar SMT, ku punonin 1500 punëtorë. Ndërtimi i dy parqeve të transportit dhe ai i karburantit, ku ishin të punësuar 3000 punëtorë. Ndërmarrja e Ndërtimit dhe Tullave, ku ishin të punësuar 1 000 punëtorë. Madje, në këtë qytet ndodhej dhe ndërmarrja e tregtisë që shërbente për furnizimin e të gjithë krahinës së Beratit. Sot Ura- Vajgurore numëron 12 mijë banorë.

Ku shtrihej dhe pse njihej me emrin “Qelbësirë”

Për emrin e fshatit “Qelbësirë” qarkullojnë dy variante të besueshëm. E gjithë pjesa jug-perëndimore e lumit Osum ishin nën administrimin e fshatit Konizbaltë, ku pjesa më e madhe ishte kodër me gurë të bardhë të mbuluar me shkurre, ndërsa pjesa më e vogël e kufizuar nga fshati Pashalli, ishte fushë, tokë pjellore e mbushur me prurje të lumit Osum. Në këto fusha dimëronin arumunët e fshatit të madh të Ujanikut të Skraparit dhe në kodrën e kishës së Shën Mërisë ndërtuan shtëpi për të banuar dhe kasolle për bagëtitë. Sipas të moshuarit, 95- vjeçarit, Vangjel Larushi, i cili tregon për 10 familjet që banonin këtu deri në vitin 1900 e konkretisht fisi Rumniçi, Mafiqi, Çomeni, Larushi e Puriqi dhe nga viti 1880 deri në vitin 1890 erdhën fisi Bebaj e Shano dhe lidhjet i mbanin me fshatin Kondezbalt dhe më vonë si fshat me vete. Anës lumit, ku janë pompat e ujit sot e deri afër lagjes “Guri i Bardhë” kishte burime me ujë me squfur që kishte erë të rëndë mbytëse si erë qelbi. Kjo erë ishte e rëndë dhe ndihesh gjatë verës, periudhë e thatë, ku uji i lumit në shtratin e tij ishte i pakët dhe burimet me ujë me erë të rëndë dilnin mbi sipërfaqe e bashkoheshin me ujin e lumit. Banorët e vjetër tregojnë se era e rëndë ndihet edhe sot megjithëse janë më të paktë. Pikërisht këto burime me ujë me erë të rëndë mbytëse si erë qelbi i dhanë emrin “Qelbësirë”.

Versioni i historianit

Por sipas historianit Mihal Bardhi, mësohet se, është dhe një variant tjetër i bindshëm. Në vendin, ku blegtorët arumunë të fshatit Ujanik ndërtuan shtëpitë dhe kasollet e bagëtive që njihet si Kodra e Topit, quajtur kështu, sepse ushtria turke në këtë kodër më parë kishte vendosur topat për kontrollin e zonës. Aty ishte një dru peme me trung qindravjeçar me emrin “Qelbësirë” dhe nuk prekej nga vendasit se quhej vend vakant. Ky dru i madh është zhdukur vonë nga ushtria italiane. Në verë, ushtria u strehua nën hijen e kësaj peme dhe më pas ndezën zjarr dhe prenë degët e saj për të përgatitur ushqimin e ushtarëve.

Uji me erë që përdoret për kurim

Ekzistenca e drurit “Qelbësirë” dhe era e rëndë mbytëse e burimeve të lumit e quajnë këtë vend Qelbësirë. Kanë ekzistuar dhe ekzistojnë edhe sot tre burime të mëdha buzë lumit. Burimi i parë ka qenë tek vendi, ku sot janë pompat e ujit pa erë që përdoret për të pirë. Burimi i dytë me erë mbytëse të rëndë në vendin, ku sot është ndërtuar lokali i Nushit që nuk përdoret për të pirë. Banorët e Mesit të Urave këtë ujë e kanë përdorur për kurimin e veshkave dhe tretjen e gurëve duke e pirë atë. Ndërsa burimi i tretë ndodhet afër shtëpisë së Mestan Selenicës, ku del llucë e zezë dhe banorët atë edhe sot e përdorin për shërimin e sëmundjes së zgjebes e largimin e puçrrave të lëkurës. “Qelbësira”, si lagje lidhej me anën tjetër të qytetit me një urë prej guri me harqe që quhej Ura e Kondeznbaltës ose ura e vjetër, themelet e këmbëzave të saj janë edhe sot. Kjo urë është prishur pas viteve 1850 nga ushtria turke që kërkonte të shtypte kryengritjen e komanduar nga Rapo Hekali, por kjo urë ruhej nga 83 luftëtarë trima nga krahina e Vlorës dhe Skraparit. Sipas tregimit të të moshuarve mësohet se, nga 83 luftëtarët njëri prej tyre shpëtoi duke marrë plagë të rënda. Ai u gjet nga një banor i fshatit Kondezbalt dhe jetoi gjatë.

 Pse u quajt fshati Guri i Bardhë

“Në vitin 1945,- tregon banori kësaj lagje Vangjel Larushi,-u zgjodha sekretari i Këshillit Popullor të Fshatit. Pjesa mbi 80 për qind e banorëve ishin arumun dhe emri “Qelbësirë” si fjalë arumune do të thotë në shqip i papastër, ndaj vendosëm dhe kërkuam në emër të Këshillit të fshatit të ndërronim emrin për t’ja vënë “Goricë”, kështu menjëherë i propozuam Komitetit Ekzekutiv të Beratit në vitin 1948, komiteti nuk pranoi. Por ne përsëri kërkuam që të ndërrohej emri. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv Jani Pasko, kur ne ja përsëritëm ndërrimin e emrit, na tha t’ja vëmë emrin Guri i Bardhë, pasi këtu ka vetëm gurë të bardhë dhe ta quajmë Guri i Bardhë dhe ne e pranuam. Ndërrimi ndodhi në vitin 1953, kur doli dhe në gazetë, zyrtarisht”, u shpreh Larushi.

Pse u quajt Ura e Hasanbeut

Kalimi në këtë zonë u bë me varka disa vjet rresht,- u shpreh historiani Mihal Bardhi gjersa në fshatin Poshnje, beu me emrin Hasan Beu mori përsipër të jepte paratë për ndërtimin e një ure të re mbi shtratin e lumit Osum. Ura u ndërtua me paratë e këtij beu rreth viteve 1860, që mbahet nga vendasit si njeriu i pasur, por i sjellshëm me bujqit dhe shumë bamirës. Flitet nga banorët e fshatit Poshnje se Beu Hasan kishte një vajzë të vetme, të zgjuar dhe shumë të bukur. Kjo vajzë i kërkonte vazhdimisht babait të ndërtonte me paratë e tij Urën mbi lumin Osum. Kjo vajzë ka një aktivitet të madh atdhetar e patriot. U martua me fisin bej më emrin Janina. Me prona në Poshnje, Pashalli e Kondezbaltë shërbeu pranë të shoqit të arsimuar në Greqi dhe Turqi, në Stamboll, ku i shoqi zinte poste të larta në administratën turke, i cili u lidh me patriotët që kërkonin pavarësinë e Shqipërisë. Ajo zbuloi nëpërmjet përfaqësuesit britanik në Stamboll copëtimin e Shqipërisë sipas traktatit të fshehtë të Londrës dhe menjëherë ia bëri të njohur shqiptarëve. Veprimtaria e saj u diktua nga autoritetet turke dhe menjëherë u burgos dhe më pas u dënua me vdekje, por falë ligjit për mosdënimin e grave dhe më pas u dëbua nga autoritetet turke dhe u vendos pranë të atit në Poshnje. Dy djemtë e saj Muharremi dhe Eqerem Janina të arsimuar në Itali e Francë dhanë shumë për çlirimin e vendit në luftën nacionalçlirimtare. Investuan për ndërtimin e urës, kështu iu vendos emri “Ura e Hasan Beut”. Ky emër i qytetit ishte zyrtar deri në vitin 1948 dhe kujtohet ende edhe sot si dëshmi e së kaluarës. Në këtë qytet nuk kishte banesa të mëdha, më vitin 1920 qeveria e Kongresit të Lushnjes ndikoi që, buzë lumit të ndërtohej një hane për të pushuar kalimtarët me kafshë e ngarkesë nga zonat e Mallakastrës dhe Myzeqesë në ditën e pazarit. Në Berat tregtarët nga fshati Vokopolë ndërtuan në këtë anë lumi në vitet e regjimit të Zogut dyqane dhe hotele si dyqani i Simon Urës “Naska” dhe hotel “Xhaxhajve”. Në vitin 1925 në pjesën veri –perëndimore, ku sot është lagja “4 shtatori” u bë qendër administrative e zonës së Mezit të Urave dhe u ngrit Komuna e Urës së Hasan Beut, ku u ndërtua qendra e komunës me Kryetar Llazar Pulin nga qyteti Beratit, i arsimuar në Rumani për mësues. Po këtu pranë ndërtesës  së komunës u ndërtua ndërtesa trekatëshe e xhandarmërisë dhe burgu, ndërtesa edhe sot banojnë njerëz. Pas vitit 1920 dhe në vazhdim filluan të ndërtohen banesa. Në vitin 1930 u hap Gurorja nga shoqëria italiane, ku gurët e saj u përdorën për ndërtimin e rrugëve dhe banesave. Në vitin 1945 Ura e Hasan Beut u bë lokalitet, kryetari parë i lokalitetit ishte Jani Çobanaqi dhe më pas Dhimitër Mile, e më vonë Llazar Bakalli. Në vitin 1945 u ndërtua SMT-ja me drejtor Thoma Bellon.

Pse Ura – Vajgurore mban këtë emër

Mbas vitit 1945 dhe në vazhdim, në zonën e Beratit, filloi të ndërtohej industria mekanike e naftës në Kuçovë. Në qytetin e Urës – Vajgurore u ndërtuan 25 vaska -rezervuar me përmasa të mëdha, ku i gjithë vajguri që dilte nga përpunimi i naftës në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Kuçovë u grumbullua në këtë qytet. Madje, në këtë vend ishte dhe Miniera e Gurit, më e madhja në shkallë vendi. Drejtuesit e komitetit të partisë dhe ata të Komitetit Ekzekutiv në një takim që kanë bërë me banorët e Urës-Vajgurore kërkuan që qyteti i tyre të merrte emrin Ura – Vajgurore. Në këtë vend ndodhej sasia më e madhe e vajgurit, që më pas shpërndahesh në të gjithë vendin. Menjëherë ky qytet u zyrtarizua me emrin qyteti Urë – Vajgurore, të cilën e mban dhe sot.