Metani: Me gazetarët, mbrojmë të drejtën e shoqërisë për të gjykuar qeverisjen

362
Sigal

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka marrë pjesë sot në konferencën: “Siguria dhe mbrojtja e gazetarëve: ndarja e standardeve dhe adresimi i sfidave të përbashkëta”.

Në fjalën e tij, Metani u shpreh se është tashmë aksiomë që liria e medies është thelbësore në një shoqëri demokratike.

“Liria për të folur për çështje të shoqërisë, qeverisjes dhe zyrtarëve publike është bazamenti mbi të cilin ndërtohet zhvillimi politik e shoqëror i një vendi. Por, po kaq i rëndësishme për një shoqëri demokratike është edhe një pushtet gjyqësor dhe një sistem drejtësie i pavarur. Të dyja këto vlera, të dy këto pushtete gjejnë mbrojtje dhe garanci në Kushtetutë. Por, asnjëra me epërsi ndaj tjetrës. Dy pushtete me profile të qarta dhe të ndara, por me ngjashmëri thelbësore me njëra tjetrën. Fuqia e të dyjave varet nga besimi i publikut, nga besimi i njerëzve”, tha Metani.

“Nisur edhe kjo predispozitë e besimit të publikut, ndoshta, shpesh është thënë se vendimet gjyqësore nuk komentohen, por zbatohen. Dakord, zbatohen. Por, nuk mundet të mos komentohen. Nëse publiku nuk është i kënaqur me një vendim gjyqësor apo vendime të sistemit të drejtësisë, çdokush duhet të jetë i lirë ta thotë publikisht këtë. Për më tepër media, një pushtet i konceptuar të shprehë atë që publiku mendon. Dhe sado e vështirë të jetë apo të duket kjo gjë mbi punën e institucioneve të drejtësisë, ata janë të detyruar të marrin vendime dhe të jenë të përgatitur që dhe do kritikohen për to, përmes raportimeve apo analizave mediatike. Dhe është vitale të ndodhë kështu në demokraci dhe sistemi i drejtësisë duhet të jetë në gjendje të përballojë çdo kritikë, nëse publiku apo media ka perceptimin, se procedurat nuk shihen apo vlerësohen si të drejta. Natyrisht, ka raste kur kritikat mund të jenë të padrejta apo në raste të veçanta edhe të pabazuara në realitetin faktik. Madje ka edhe rezerva për mangësitë e njohurive mbi punën e institucioneve të drejtësisë apo për fokusimin në sensacion dhe jo në thelbin e një çështjeje. Por, nuk është kjo çështja mendoj. Me gjithë problematikat normale të zhvillimit të saj, media mbetet burimi kryesor i informimit të publikut, është mjeti kryesor i transmetimit të këndvështrimeve të ndryshme dhe mjeti kryesor për të bërë që institucionet e drejtësisë të reflektojnë”, tha ai.

Po ashtu, Metani shtoi se personalisht dhe institucionalisht i qëndron mendimit se liria e massmedias është thelbësore në një shoqëri demokratike, një aset që duhet garantuar e mbrojtur, edhe nga institucionet.

“Nëpërmjet mbrojtjes dhe garancive që u japim gazetarëve, ne mbrojmë jo thjesht gazetarët, por misionin e tyre, të drejtën e shoqërisë për të patur mundësinë për të gjykuar qeverisjen në çdo dimension të saj”, theksoi ai.

Në vijim, Metani nënvizoi specifikën se ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet kritikave që bëhen ndaj magjistratëve dhe kritikave ndaj zyrtarëve të tjerë publikë.

“Magjistratët nuk mund të përgjigjen për kritikat që u bëhen, nuk mund të komentojnë për çështjet e tyre, qoftë edhe për të hedhur poshtë shtrembërimet mediatike të vendimeve të tyre. Ndryshe nga institucionet që burojnë nga politika, institucionet e pavarura dhe magjistratët e kanë këtë lloj kufizimi, që vjen me detyrën. Por, gjyqtarët dhe prokurorët, zyrtarët e institucioneve të drejtësisë nuk e kanë keqkuptimin me medien, mendoj. Beteja është me transparencën. Vërtetë magjistratët nuk mundet të shprehen apo komentojnë mbi vendimet e tyre, por nëse vendimet që ata marrin, shprehin qartë dhe pa asnjë ekuivok, thjeshtë dhe kuptueshëm, drejt dhe pa lakime, mendimin e tyre juridik dhe diskrecionin e tyre të bazuar në ligj, atëherë publiku dhe media do të jenë të qartë se çfarë u duket e drejtë dhe e padrejtë në atë vendim. Sa më të qartë të jenë gjyqtarët me vendimet e tyre, sa më të qartë të jenë ata për rolin e tyre, aq më e thjeshtë është edhe për medien, të transmetojë në publik rëndësinë e kësaj vendimmarrjeje”, u shpreh Metani.

Ai u shpreh se fatmirësisht në Shqipëri nuk ka raste të vrasjes së gazetarëve, siç është rasti i gazetarës së ndjerë malteze Dafne Galicia.

“Pa dyshim që janë denoncuar edhe publikisht raste intimidimi, dhune, pengimi për të bërë detyrën, apo edhe padi në gjykata. Ka raste që mund të dëshmohen edhe në këtë sallë. Janë akte që mbeten shqetësuese, e që duhet të na bëjnë të gjithëve të reflektojmë dhe te marrim masa. Përpara se te na duhet te merremi me pasojat. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vullnetin për të bërë pjesën që i takon në mbrojtjen e garantimin e të drejtës së gazetarëve për të kryer detyrën e tyre, sepse e përsëris, i qëndroj mendimit se duke mbrojtur gazetarët, ne garantojmë të drejtën e shoqërisë për të patur lirinë për të gjykuar punën e secilit në çdo dimension”, përfundoi Metani.