Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” dy çiklistët e shquar shqiptarë

185
Sigal

Sipas njoftimit të presidencës, Meta dekoroi zotin Burhan Berisha: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar dhe rezultatet e larta të arritura si çiklist kampion i KS ‘Dinamo’ dhe fitues i shumë garave të çiklizmit në Shqipëri.

Presidenti i vendit Ilir Meta ka vlerësuar me Titullin “Mjeshtër i Madh” dy çiklistët e shquar shqiptarë Burhan Berisha dhe Agron Huqi për  kontributin e dhënë dhe rezultatet e larta në aktivitetet kombëtare.

Sipas njoftimit të presidencës, Meta dekoroi zotin Burhan Berisha: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar dhe rezultatet e larta të arritura si çiklist kampion i KS ‘Dinamo’ dhe fitues i shumë garave të çiklizmit në Shqipëri. Me mirënjohje ndaj gjyqtarit profesionist të dalluar në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.”; si dhe zotin Agron Huqi: “Me mirënjohje për rezultatet e suksesshme në sportin e çiklizmit, të arritura në aktivitetet kombëtare, ku është dalluar si çiklist i nivelit të lartë me ekipin e KS ‘Partizani’, e më pas, duke spikatur edhe si gjyqtar në garat e çiklizmit për përkushtimin dhe korrektësinë e tij.”

“Jam i lumtur të vlerësoj kontributin e dy figurave të shquara të çiklizmit tonë, një prej disiplinave më të vjetra në historinë e sportit. Çiklizmi është quajtur me të drejtë një sport popullor, i cili gjatë dekadave të fundit ka mbledhur sportistë amatorë edhe profesionistë, duke u bërë ndër disiplinat më të ndjekura. Vlerat e këtij sporti të guximshëm, por dhe të bukur, janë një mjet i rëndësishëm, për të forcuar e shëndetit, për të gjitha moshat, por edhe për të njohur sa më mirë vendin edhe natyrën.“- u shpreh Meta.