Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot Ambasadorin e ri të Republikës së Maltës në Shqipëri, Anthony Licari, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Presidenti Meta i uroi suksese Ambasadorit Anthony Licari në përmbushjen e misionit diplomatik në Shqipëri dhe shprehu vullnetin e Tij për forcimin edhe më tej të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona, në fushat me interes reciprok, në planin dypalësh dhe shumëpalësh.
Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Malta i jep Shqipërisë në procesin e saj të integrimit në Bashkimin Europian dhe njëkohësisht kontributin e çmuar të komunitetit maltez në fushën sociale dhe arsimit në vendin tonë.
Presidenti Meta dhe Ambasadori Anthony Licari theksuan nxitjen dhe inkurajimin në shfrytëzimin e të gjitha mundësive në dobi të bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm si financat, turizmi, energjia, infrastruktura, teknologjia e informacionit, arsimi dhe transporti detar.