Meta takohet me fëmijët me sindromën down: Më shumë mbështetje për to

748
Kryeparlamentari Ilir Meta gjatë orëve të para të paradites së të premtes, 18 dhjetor, priti në zyrën e tij miq mjaft specialë, fëmijë me sindromën down për të cilët kërkoi më shumë kujdes dhe dashuri

Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua një pritje me fëmijë me sindromën Down dhe familjarë të tyre në prag të festave të fundvitit.
Gjatë takimit të zhvilluar në bashkëpunim me Qendrën e Fëmijëve me sindromën Down “Jonathan Center”, ku merrnin pjesë edhe deputetet znj. Silva Caka dhe znj. Kejdi Mehmetaj, Kryetari i Kuvendit mbajti një fjalë përshëndetëse, ku shprehu bindjen se ky takim do të pasohet edhe nga të tjerë.
Z. Ilir Meta theksoi se kujdesi ndaj fëmijëve dhe sidomos atyre që kanë nevojë për më shumë mbështetje, për më shumë dashuri, për më shumë integrim është një detyrë e pashmangshme dhe mjaft e domosdoshme për të gjithë.
“Edhe unë dua t’ju falënderoj që sot keni ardhur në Kuvend dhe besoj se do të kemi edhe takime të tjera këtu edhe me grupin e deputetëve dhe deputeteve që merren me të drejtat e fëmijëve. Mendoj se kujdesi ndaj fëmijëve dhe sidomos atyre që kanë nevojë për më shumë mbështetje, për më shumë dashuri, për më shumë integrim është një detyrë e pashmangshme dhe mjaft e domosdoshme për ne. Në këtë drejtim është e rëndësishme që jo vetëm të bëjmë ligje sa më të mira që garantojnë të drejtat e fëmijëve, por njëkohësisht të jemi sa më pranë të gjitha këtyre komuniteteve, për t’u njohur me problematikat e tyre dhe për t’i ndihmuar me të gjitha mundësitë tona edhe si parlament, edhe si qeveri, edhe si institucione, por edhe si shoqëri”, – tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit falënderoi veprimtarët dhe familjarët për përkushtimin ndaj fëmijëve me Sindromën Down, duke theksuar se ky përkushtim meriton edhe një mbështetje më të madhe.
“Dua të falënderoj ata veprimtarë të shkëlqyer, të cilët punojnë dhe përkushtohen pranë këtyre fëmijëve në mënyrë që t’u falin atyre sa më shumë kujdes, sa më shumë dashuri për t’i integruar ata sa më mirë, në mënyrë që ata të ndihen sa më të integruar, të ndihen sa më të gëzuar. Por njëkohësisht dua të falënderoj dhe prindërit, sepse është një përkushtim i jashtëzakonshëm dhe ky përkushtim i veçantë i këtyre prindërve, meriton edhe një mbështetje më të madhe nga të gjithë ne. Kështu që do të doja t’ju uroja gëzuar Krishtlindjet, gëzuar Vitin e Ri. Le të jetë viti që vjen një vit më i mirë për ju, për familjet tuaja, por dhe për të gjithë vendin tonë”, – tha z. Ilir Meta.
Ndërsa, Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës së Fëmijëve me Sindromën Down “ Jonathan Center”, znj. Oreada Kita vlerësoi mbështetjen e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhe për pritjen e ngrohtë.
“Ju falënderoj shumë për pritjen shumë të ngrohtë. Ndjemi të privilegjuar për këtë mbështetje dhe veçanërisht për familjet tona do të thotë shumë që të jeni sot me ne. I dhatë një vlerë shumë të bukur, fundvitit sot”, – theksoi znj. Oreada Kita.
Sigal