Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Prof. Frashërit

570
Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 96-vjeçare të profesor Kristo Frashërit, akademiku dhe historiani i njohur shqiptar.
Në mesazhin e ngushëllimit, Meta e vlerëson Kristo Frashërin si “ pinjoll i mençur me një mbiemër të merituar që i ka dhënë aq shumë vendit, intelektual i klasit të parë dhe Akademik i të njëjtit klas”.
“Luftëtar me armë në dorë i Luftës së Dytë Botërore, që diti të zgjedhë frontin e duhur për lirinë e vendit, shkencëtari dhe humanist i shquar, Profesor Frashëri ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer me peshën e fjalës së tij të jashtëzakonshme”.
Meta thekson më tej se vepra e profesor Kristo Frashërit për historinë e Shqipërisë ka një vend të merituar dhe ai bën pjesë në gjithë atë plejadë njerëzish të veçantë që kanë shkruar për çfarë kemi lënë pas si popull e si komb.
Sigal

Meta: Kristo Frashëri, historiani i madh dhe njeriu modest që bëri histori

Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Kristo Frashërit, Profesorit dhe Mësuesit, Historianit të madh dhe Njeriut modest që ka bërë histori.
Mësova se u ndërpre një jetë që ishte gati të kapërcente pragun e 100 viteve të stuhishëm; 
Një jetë që, edhe shekullit të trazuar që kemi lënë pas, edhe këtij shekulli që jetojmë, i dha deri në fund punë dhe aktivitet të vyer, i dha portretin e një Rilindasi modern dhe bashkëkohës.
Pinjoll i mençur me një mbiemër të merituar që i ka dhënë aq shumë vendit, intelektual i klasit të parë dhe Akademik i të njëjtit klas, Profesor Frashëri është pjesëtar i një brezi të jashtëzakonshëm shqiptarësh të rrallë e të mëdhenj.
Luftëtar me armë në dorë i Luftës së Dytë Botërore, që diti të zgjedhë frontin e duhur për lirinë e vendit, shkencëtari dhe humanist i shquar, Profesor Frashëri ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer me peshën e fjalës së tij të jashtëzakonshme.
Vepra e tij për historinë e Shqipërisë ka një vend të merituar dhe ai bën pjesë në gjithë atë plejadë njerëzish të veçantë që kanë shkruar për çfarë kemi lënë pas si popull e si komb.
Duke nisur me Gjergj Kastriotin e duke përfunduar me debate politike e historike të ditës, Profesor Frashëri, ky Rilindës modern i mendimit, ka dhënë fjalën dhe mendimin e tij të rëndë.
Duke shkruar për historinë e vjetër dhe të re të Shqipërisë, Profesor Frashëri ka bërë të mundur që ne shqiptarët të njohim më mirë vetveten, njëri-tjetrin, por dhe vendin që zëmë në raport me popuj të tjerë.
Duke na bërë të njohur çfarë kemi qenë, ka ndihmuar të kuptojmë se çfarë do të bëhemi.
Mirënjohje pafund për Profesor Kristo Frashërin. Njerëzve të tillë të rrallë është pothuaj e pamundur t’u thuash ashtu siç e meritojnë, t’u thuash shqip e thjesht: faleminderit për gjithçka!