Meta publikon klasifikimin botëror të cilësisë së universiteteve: Shqipëria, e fundit në rajon. Sinjal alarmi, thirrje qeverisë për reflektim

132
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me një raport ku sipas një klasifikimi botëror të cilësisë së universiteteve, Shqipëria renditet e fundit në rajon.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i shtetit thekson se të dhënat e “Ranking Web of Universities” janë tregues i tronditjes së rëndë të cilësisë së Arsimit të Lartë dhe sinjal alarmi për shoqërinë në tërësi.

REAGIMI I METES

Renditja e Shqipërisë, e fundit në rajon në klasifikimin botëror të cilësisë së universiteteve sipas “Ranking Web of Universities” por edhe sistemeve të tjera të besueshme të vlerësimit akademik, është tregues i tronditjes së rëndë të cilësisë së Arsimit të Lartë dhe sinjal alarmi për shoqërinë në tërësi.
Është një thirrje për reflektim të menjëhershëm nga Qeveria, Kuvendi dhe shoqëria civile në tërësi për ndërmarrjen sa më parë të reformave reale dhe të besueshme për rivendosjen e standardeve të larta konkurruese dhe uljen e fiktivitetit në Arsimin e Lartë.
Këto reforma strukturore e funksionale dhe veçanërisht depolitizimi i sistemit arsimor, janë kusht dhe domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar dhe ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri.
Të rinjtë e mirëarsimuar dhe të kualifikuar janë pasuria më e vyer e vendit dhe kapitali më i çmuar njerëzor.
Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres dhe të ardhme të sigurt europiane.

  • foto galeri