Meta me homologun maqedonas: Të zhbllokohet procesi i anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

193
Sigal

Presidenti Ilir Meta është pritur mesditën e kësaj të marte në zyrën e homologun e tij maqedonas, Stevo Pendarovski.

Presidenti përmes një postimi në rrjetin e tij social tregoi se me Pendarovskin diskutuan rreth nismës rajonale të cilën e cilësoi dhe gjithëpërfshirëse, procesin e Berlinit si dhe anëtarësimin e dy vendeve në bashkimin Evropian, duke shtuar se i nevojshëm zhbllokimi.

Postimi i plotë i presidentit:

I nderuar nga pritja e ngrohtë e një miku të vjetër, Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z Stevo Pendarovski.

Vlerësuam potencialin e madh që ekziston, për thellimin e marrëdhënieve shumë të mira fqinjësore mes vendeve tona, në të gjitha fushat, për një të ardhme më të shkëlqyer.

Kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim, japin nismat rajonale gjithëpërfshirëse, si Procesi i Berlinit.

Në kuadër të aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndamë bindjen mbi nevojën e zhbllokimit të procesit dhe fillimit të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që do të ketë një kontribut pozitiv në prosperitetin e përgjithshëm, konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në këto dekadat e fundit kanë qenë jo vetëm të përkushtuar për stabilitetin e vendit, por edhe garantë të integrimit euroatlantik të saj, ndaj dhe respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor.