Meta: Ballkani i Hapur, nismë hibride që synon të dobësojë Kosovën dhe faktorizojë Beogradin

63
Sigal

Presidenti Ilir Meta është shprehur sërish kundër ‘Ballkanit të Hapur’, duke e cilësuar nismën si iniciativë hibride që synon të dobësojë Kosovën dhe të faktorizojë Beogradin.

Në një inetervistë për Fax News, Meta tha se të gjithë ata që bënë llogaritë për të ‘ekzekutuar’ pluralizmin politik dhe demokracinë, me qëllim shkatërrimin e interesave kombëtare, do të zhgënjehen shumë thellë pas 25 korrikut.

Pyetje: Fati i Marrëveshjes së Detit dhe pse u detyrua nga ju, jashtë çdo logjike Edi Ramen të ishte ministër i Jashtëm, ai përsëri nuk e zgjidhi vetë, se në atë kohë mbante dy poste. Sot jemi në këtë faze pa zgjidhje. Çfarë do ndodh më pas?

Presidenti Meta: Është një çështje e ezauruar shumë qartë nga Institucioni i Presidencës. Presidenti ka qenë shumë i hapur dhe bashkëpunues për një zgjidhje në respekt të Kushtetutës tonë dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për këtë qëllim kemi dhënë edhe autorizimin për negociatat.

Me pas janë zhvilluar disa raunde negociatash dhe është kërkuar nga pala greke që të ketë një qasje politike, e cila nuk mund të bëhej nga negociatorët, sepse ata janë të mandatuar pikërisht për të zbatuar ligjin vendas dhe atë ndërkombëtar, si dhe për të negociuar në raport me ligjin. Në këtë situatë unë i kam thënë zotit Rama, i cili ka qenë dhe ministër i Jashtëm, që nëse dëshiron ta zgjidhësh në këtë mënyrë, hajde kërko autorizimin dhe ta marrësh përsipër, sepse negociatorët nuk mund të bëjnë veprime të paligjshme.

Së dyti, ata nuk kanë ndonjë vullnet politik, përveç detyrës për të zbatuar ligjin dhe për t’iu referuar të Drejtës Ndërkombëtare dhe të drejtës tonë. Sepse në fund, ti je udhëheqësi i maxhorancës, ajo që do të negociohet do të shkoj në Parlament që të votohet. Por nesër mund të shkoj përsëri edhe në Gjykatë Kushtetuese, nëse dikush ankohet. Dhe padyshim duhet ta marr përsipër Qeveria që ta mbroj këtë gjë.

Ai asnjëherë nuk kërkoi një autorizim, kur është e qartë që ka bërë veprime, ato që marrim vesh më shumë nga pala greke nga intervistat që jepen, të paautorizuara, të cilat ngrenë dyshime serioze mbi integritetin dhe qëllimet e kësaj sjellje në raport me interesat e Shqipërisë. Unë kam qenë dhe jam për një zgjidhje të ndershme, për një zgjidhje të drejtë, larg lojërave të dyfishta.

Por kjo nuk mund të ndodhë kurrë jashtë transparencës dhe duke shkelur Kushtetutën e Shqipërisë.

Pyetje: Gjatë kësaj kohe, kam pyetur zotin Spartak Ngjela se nga buron gjithë ajo përditshmëri e sulmeve ndaj jush. Kam pyetur Frrok Çupin, Artan Hoxhën, Muç Nanon, Arian Prodanin dhe më duket sikur ata të adhurojnë. Por kanë zgjedhur një mënyrë tjetër, më duket sikur që në mëngjes zgjohet Edi Rama dhe lexon çfarë shkruajnë ata. Vetë Edi Rama, kënaqet me këtë. A keni ju një koment?

Presidenti Meta: Unë mendoj se, kam arritur jo vetëm ata të cilët nuk kanë interesa apo fitime nga ky regjim të vlerësojnë, apo të çmojnë qëndrimet e mia, në raport me interesin e tyre, me interesin publik, me interesin kombëtar. Por jam i sigurt, që edhe ata, që hedhin çdo dite sa më shumë baltë dhe shpifje ndaj personit tim, padyshim edhe ata në vetvete thonë faleminderit Ilir Meta, se po të mos ishe ti, s’do të kujtohej njeri për ne, që të na përdorte kundër teje.

Pyetje: Kemi një President të ri. Unë e adhuroj sepse vjen nga radhët e ushtarakëve dhe unë kam qenë vetë ushtarak. Jemi vizituar, kemi marrë kartela shëndetësorë tek ai zotëri. A keni një koment?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment. I uroj suksese, sikurse e kam bërë këtë gjë publikisht dhe personalisht. Mendoj se i ka të gjitha mundësitë, për të përmbushur me sukses dhe me dinjitet detyrën e Presidentit të Republikës, duke respektuar gjithmonë edhe profilin e tij.

Presidenti i Republikës është një Institucion, ku pavarësisht se janë shumë kompetenca të qarta, gjithë secili i jep individualitetin e tij këtij Institucioni, përmes të veçantave që ka sipas profilit, backgroundit dhe natyrës.

Pyetje: Njerëz të afërt si Lorenc Vangjeli, apo si shumë gazetarë të tjerë që kanë punuar me ju, thonë që LSI ka mbaruar, se LSI-ja nuk është në pozicionin e saj. Por unë shoh njerëz brilant si Petrit Vasili, si Endrit Brahimllari, si Erisa Xhixho, po shumë e shumë të tjerë. Çfarë LSI do të përgatisë Ilir Meta?

Presidenti Meta: Kjo është një temë për të cilën do të kemi raste të flasim pas 24 korrikut. Në përgjithësi ekziston një përpjekje për të krijuar idenë që këtu gjithçka ka mbaruar.

Pyetje: Për ta ulur tempin, për ta ulur ritmin. Unë e kuptoj… kuptohet që prodhohet tek kabineti Rama…

Presidenti Meta: Këtu gjithçka që prodhohet nga regjimi, është për të dekurajuar njerëzit, që nuk ka shpresë, që të gjithë të nënshtrohen, që të gjithë të pranojnë shkeljen e të drejtave të tyre. Dhe e gjitha kjo mendoj është një propagandë, për të cilën ka vetëm një përgjigje, pesimizmi është humbje kohe.

Unë jam i sigurt që demokracia do të rivendoset në Shqipëri, më e fortë se ka qenë ndonjëherë dhe në themelet më të shëndosha që ka ekzistuar ndonjëherë më parë.

Jam i bindur që populli shqiptar do të ketë shumë shpejt mundësinë dhe të drejtën të ushtrojë sovranitetin e vetë përmes referendumeve dhe jo përmes këtyre këshillimeve, sondazheve qesharake, të cilat flasin në emër të shqiptarëve.

Shqiptarët nuk janë as pa sy, as pa gojë, as pa vesh, as pa duar që të mos flasin vetë.

Do të vij shumë shpejt momenti që ata do të flasin vetë.

Pyetje: Mua më kujtohet ai Ilir Meta që e përqafonin të gjithë në Berat, Skrapar, Përmet, apo në Sarandë dhe i mbushnin xhepat me letra me hallet e tyre. Do ta shikojmë këtë Ilir Meta përsëri?

Presidenti Meta: Unë do të jem në një udhëtim. Unë do të jem në një udhëtim të ri nga data 25 Korrik. Do të jetë një udhëtim i gjatë dhe do të kemi kohë t’i takojmë të gjithë, të bashkëpunojmë me të gjithë ata të cilët duan një Shqipëri më të mirë, jo vetëm për veten e tyre, por në veçanti për fëmijët e tyre dhe kjo është një përgjegjësi e të gjithë neve.
Pasi vendi ka bërë hapa serioz pas, në të gjitha aspektet. Tani po vjen momenti i një ri, një ngritje e fuqishme dhe e pandalshme.

Pyetje: Ilir Meta për Kosovën, është vështirë të gjesh një gjë që të ketë bërë gabim. A keni një mendim se çfarë do të ndodhi? Sepse ka shpërthyer në media, kanë shpërthyer këta, edhe ato takimet me Vuçiç. Duket sikur na kanë turbulluar edhe neve gazetarëve..!

Presidenti Meta: Mendoj se edhe situata në Shqipëri që është toleruar për një kohë të gjatë të degradojë në këto nivele, ka si shkak pikërisht, një koncesion që është bërë për një politikë minuese ndaj pozitës së Kosovës nga ana e Kryeministrit aktual.

Këto nuk mendoj se kanë të bëjnë me ndonjë paranojë të caktuar të askujt, por janë të bazuara në fakte dhe të vërteta.

Siç është deklarata e tij në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në mbledhjen solemne, se sipas tij në një të ardhme të shpejtë dy vendet do të kishin një President.

Pra me një mesazh të qartë, që Kosova nuk do të jetë një subjekt i pavarur në Kombet e Bashkuara.

Së dyti, hedhja në gjyq e Kryeministrit të Kosovës nga Kryeministri i Shqipërisë, nuk kanë rëndësi emrat, është një fakt, është një fakt i rëndë që regjistrohet kudo, që nuk i shërben as Kosovës, as Shqipërisë, dhe as marrjes në një konsideratë më serioze të gjithë shqiptarëve.

Pastaj kjo çështja e Ballkanit të Hapur, e Novisadit, e Mini-Shengenit, se janë ndërruar nja tre emra, është e qartë se është një iniciativë e cila synon të dobësojë Kosovën, ta paraqesë atë si një faktor jo bashkëpunues, por destruktiv.

Njëkohësisht të faktorizojë në mënyrë të pamerituar Beogradin, kur dihet, qëndrimi i tyre është shumë destruktiv për çështjen e Kosovës dhe jo vetëm.

Kemi sjelljet e tyre në raport me Malin e Zi, apo politikat e caktuara ndaj Bosnjë-Hercegovinës.

Ndërkohë, dihet që është Procesi i Berlinit, i cili është një proces solid, një proces që ka një kujdestari europiane, ka instrumente financiarë që mbështetet, ku janë të përfshira katër liritë, dhe ku Kosova është e barabartë, si gjithë të tjerët. Kështu që këto lloj iniciativash hibride, përçarëse, synojnë thjesht të forcojnë regjimet autokratike në rajon.

Por, kurrsesi të forcojnë bashkëpunimin rajonal përmes partneritetit, dhe të përshpejtojnë integrimin evropian të vendeve tona.

Pyetje: Unë hyj tek ata që mendoj se Ilir Meta do të rikthehet dhe njëherë në Presidencë, sepse është shumë i ri, kohët do të ndryshojnë dhe shumë njerëz i thërret dhe historia dhe kështu. Keni besim se karriera juaj është në zenit, dhe do të vazhdoni akoma më para karrierën tuaj politike? E dini përse ju a thashë këtë i nderuar President, sepse na ka humbur shpresa për të gjetur një avokat të halleve të popullit, avokat të karburanteve, avokat të çmimeve, avokat të rrugëve, avokat të sëmundjeve. Na ka humbur shpresa. Duhet ta dini se situata poshtë, është që duan një avokat që të jetë përfaqësuesi i tyre.

Presidenti Meta: Unë besoj se kam një mision të pashmangshëm për t’ju përkushtuar rivendosjes së demokracisë në vend, të gjithë sistemit të llogaridhënies dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare që minohen në mënyrë sistematike.

Kjo është një sfidë e cila nis në 25 Korrik, dhe është një sfidë që do ti bëj bashkë gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë. Jam shumë besim plotë se, ne do të tregojmë se jemi vërtet një popull shqiponjash. Dhe të gjithë ata që bënë llogaritë për të ekzekutuar pluralizmin politik dhe demokracinë në Shqipëri, me qëllim shkatërrimin e interesave tona kombëtare, do të zhgënjehen shumë thellë.