“Mësues i Merituar” Qani Zaimi

1645
Sigal

60-vjetori i gjimnazit “Ramiz Aranitasi” të Skraparit, një përvjetor drite që na bën krenarë. Si u bë hapja e shkollës 1959-n, vështirësitë e para, stafi i shquar akademik ish-nxënësit që i dhanë nder

Në 60-vjetorin e gjimnazit “Ramiz Aranitasi” të Skraparit

Një përvjetor drite që na bën krenar

Nga Qani Zaimi, “Mësues i Merituar”

Në vitin shkollor 1959-1960 u hap për herë të parë shkolla e mesme e arsimit të përgjithshëm (gjimnazi ) në Skrapar. Ishte një gëzim i madh për të gjithë banorët dhe kryesisht, nxënësit e Skraparit. Sot pas 60 vitesh festojmë dhe kujtojmë ecurinë e asaj shkolle me vlera të jashtëzakonshme. Pati vështirësitë e veta hapja e gjimnazit për herë të parë. Mungonte godina ku do zhvillohej mësimi, mungonte kuadri mësimdhënës, mungonte gjithçka. Veç të tjerash pati dhe opinione të ndryshme që arsyetonin, se nuk ishte e nevojshme shkolla e mesme, pasi nxënësit që mbaronin 7-vjeçaren mund të shkonin në shkolla të mesme profesionale të vendit. Një shtytje pozitive e nxitjes së opinionit për hapjen e gjimnazit i dha dhe analiza vjetore e arsimit ne nivel kombëtar që u zhvillua në muajin gusht të atij viti në Tiranë. Në këtë mbledhje, pjesë e grupit, si i deleguar nga rrethi i Skraparit ishte Demir Nurellari, i cili paraqiti kërkesën për hapjen e gjimnazit në Skrapar.

-Për këtë vit, jo – tha ministri i arsimit në atë kohë – Manush Myftiu,- nuk kemi as ambient e as kuadro.

-Ta hapim, ta hapim–paskësh thënë Liri Belishova– dhe si ambient të marrin shtëpinë e oficerëve. (ajo nuk e kishte informacionin që në Skrapar në atë kohe nuk kishte godinë si Shtëpi oficerësh e as Degë Ushtarake)

-Ne do ta sigurojmë vetë ambientin- kish ndërhyrë Demiri.

Në fund, u vendos që duhet ta siguronim vetë ambientin ku do zhvillonte mësim klasa e tetë. (Shkolla atëherë ishte 7 + 4).

Pas shumë ngurrimesh dhe debatesh u vendos që pranë ambienteve të shkollës 7-vjeçare të hapej gjimnazi. (Shkolla 7- vjeçare ndodhej në Lagjen 2 Dhjetori, pranë fushës së druve). Salla e mësuesve u bë klasë, për të parën klasë të gjimnazit, ndërsa drejtoria u vu edhe në funksion të mësuesve, të cilët linin bazën materiale që përdornin në mësim. Në atë kohë të gjithë punuam fortë me prindërit për t’i sjellë fëmijët në gjimnaz. Për pjesën e nxënësve që ishin nga fshatrat u hapën ambientet e konviktit. Më në fund pasi i siguruam dhe numrin e nevojshëm të nxënësve ( 35 nxënës ) u hap klasa e parë e gjimnazit. Një pjesë e lëndëve mësimore iu besuan mësuesve të shkollës 7- vjeçare; Matematika (Piro Kotoko) ), Kimi-Biologji ( Xhemil Bilibashi ), ndërsa gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja jepeshin nga specialistët si, Kontesha Xinxo, Hasko Haskaj etj. Drejtori i shkollës 7-vjeçare Hektor Protopapa, i cili jepte dhe lëndët gjeografi dhe histori. u emërua zv/drejtor i shkollës 11 vjeçare. Me gjithë përkushtimin e madh të trupës pedagogjike një pjesë e nxënësve u larguan, pasi 4 vjet iu dukeshin shumë. Shumica preferonin të vazhdonin një shkollë profesionale 2-vjeçare. Kështu nga 35 nxënës që u regjistruan në fillim, vetëm 11 prej tyre përfunduan maturën dhe u diplomuan. Edhe në vitet pasardhëse, numri i maturantëve ishte më i ulët se matura e pare. Kjo për faktin sepse akoma vepronte mentaliteti “më mirë një vezë sot se një pulë mot”. Pas vitit 1965 u tregua më shumë kujdes nga organet e pushtetit për rritjen e numrit të nxënësve në gjimnaz. Në shkollë po vinin dhe kontingjente nga fshatrat e rretheve të tjera, që gjeografikisht ishin afër Çorovodës. Në vitet pasardhëse u ndihmuam me kuadro të rinj ( mësues) të përgatitur enkas në ata vite, Kështu për gjuhë-letërsi erdhi nga Universiteti Gani Zyka, pjesëtar i stafit drejtues, për gjuhët e huaja Hasko Selmani, Avdulla Kaba; për matematikë Hadi Bushati, Antonin Topollaj, Myfit Ulqini, Mihal Fociro, Kujtim Kabashi, Syri Fani; për lëndën e kimisë Zeqir Xheraj, Valentin Gjergjani, Agim Hasko; për fizikë Pandeli Stefani etj., të cilët e rritën së tepërmi nivelin e mësimdhënies dhe të njohurive të përcjella tek nxënësit. Shkolla kishte si nëndrejtore Myrvete Saliasin dhe Maliq Alushanin. Ky i fundit ishte oficer, përgjegjës për edukimin ushtarak të nxënësve. Në përgjigje të rritjes së numrit të nxënësve u ngrit ndërtesa në forme u-je dykatëshe, përballë ish-fushës së sportit, sot Shkolla 9-vjeçare “Kareman Ylli”. Pas përfundimit të maturës së parë, një pjesë e mirë e nxënësve vazhduan studimet e larta dhe u kthyen si mjekë, mësues dhe shumë specialitete të tjera.

Shkolla e mesme “Ramis Aranitasi“ e rriti performancën nga viti në vit.

 

Nxënësit më cilësor të 7 apo 8-vjeçares zgjidhnin me dëshirë gjimnazin dhe me pas shkonin në Universitet ku dalloheshin për njohuri të sakta dhe të qëndrueshme. Nxënësit e këtij gjimnazi renditeshin ndër studentët më të mirë në vend në fakultetin e gjuhë-letërsisë, të matematikës, fizikës etj. Në këtë kuptim shkolla e mesme “Ramis Aranitasi“ u bë qendër e grumbullimit të përvojës së përparuar, ku zhvillonin praktikën pedagogjike studentët e degëve të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Studentët e Gjuhë-Letërsisë i udhëhiqte Prof. Fatmir Agalliu, të Matematikës Prof. Kristian Bukuroshi. Në atë kohë e vizituan shkollën profesor Petraq Pilika, dekan i fakultetit të Matematikës dhe rektori i Universitetit të Tiranës, profesor Osman Kraja. Dhe shkolla u fuqizua pak e nga pak. Më 29 Nëntor 1971 u përurua godina e re e gjimnazit që është dhe sot, e pajisur me kabinete moderne për atë kohë, bazë didaktike bashkëkohore dhe me sistem qendror ngrohje, gjë që përbënte një komoditet për kohën, të cilën edhe sot shumë shkolla nuk e kanë.

Në shkollën tonë kanë punuar mësues të përgatitur profesionalisht, me dinjitet, me njohuri të sakta shkencore dhe aftësi të larta pedagogjike, në të gjitha profilet. Më duhet të kujtoj dhe të shpreh mirënjohje shumë nga këta mësues si Hysen Xhaferllari e Njazi Shkëmbi për lëndën e gjeografisë; Valentin Gjergjani, Festim Myftari, Hajri Musabelliu, Albert Lajthia, Vera Guri, për lëndën e kimisë; Fiqiri Aliaj, Xhevo Bregu, Mynyr Bega, Adem Jakllari, Afërdita Ibro gjuhë-letërsi; Petrit Brokaj, Shpresa Kapexhiu, Maliq Bregu Rusisht e Valentina Firaj, Yllka Xhaferi anglisht etj; Qemal Zaimi, Syti Hysko, Xhafer Ibro për lëndën e matematikës; Xhelil Shahu, Luman Harizaj, Hekuran Kalemi, për fizikën; inxhinierët Gjergji Sotiri, Hetem Xhamëni, Maksi Hoxha etj, (ndjesë që nuk i përmend të gjithë), mësues që hynë shpejt në botën e nxënësve dhe që u bënë jo vetëm përçues të dijes tek nxënësit, por u bënë edhe shembull frymëzimi të veprimtarive në shërbim të punës edukative. Qemal Zaimi dhe Xhafer Ibro, krijuan kabinetin modern të matematikës, ku u dalluan në rang republike për inovacionin e tyre. Revista “Shkenca dhe Jeta” shpesh kishte artikuj për këtë inovacion.

Një pjesë e nxënësve të maturës së parë, që mbaruan shkollën e lartë, u kthyen përsëri në qytet, aty në Çorovodë si Nebi Musai mjek laburant, Muharem Nonaj mjek otorinolaringolog, Behar Korbi mesues kimi-biologji, Nebi Shkëmbi jurist, Xhafer Hoxha ekonomist, Veri Dyrmishi, Vesel Dyrmishi dhe Pajtim Dyrmishi punuan në administratën shtetërore, Nuri Ibro u emërua në sektorin e kulturës, dy vajzat, Manushaqe Alushani dhe Veprore Lamçe plotësuan programin e shkollës pedagogjike. Suksesi i këtyre të rinjve krijoi besimin se me gjimnaz mund të studiosh kudo dhe mund të bëhesh dikush. Pranë shkollës së mesme u hap edhe shkolla e infermierisë. Lëndët profesionale i jepnin mjekët e spitalit. U hap dega e ekonomisë, ku jepnin mësim ekonomistët më të mirë në rreth; u hap dega për specialistë të bujqësisë, në fillim dega agronomi, më vonë zooteknikë-veterinari, ku mësim jepnin agronomët si Xhemal Lamçe, Qamil Dollani, Hetem Dosti, Dake Bregu, Sybi Koxhabelliu, Fatmira Musaj etj. Shkolla kishte bazë prodhuese me bazë bujqësore, si specialist i praktikës nxënësit i mësonte me shumë dashuri Arif Gjoka. Pranë gjimnazit me shkëputje nga puna u hap dhe gjimnazi pa shkëputje nga puna, i cili frekuentohej nga shumë të rinj e të reja, por dhe mosha të mëdha. Në këto kushte u ngrit dhe qendra e konsultimit dhe provimit te filialeve të shkollave të larta Elbasan-Berat me përgjegjës mësuesin Gani Zyka. Kronikat gazetareske dhe kronikat televizive në atë kohë e quanin gjimnazin “Ramis Aranitasi” Universiteti i Skraparit. Gëzimi ynë qe i pa përshkueshëm kur po na vinin njëri pas tjetrit ish nxënësit e shkollës sonë për të zhvilluar mësim në lëndë të ndryshme si Tare Xhaja, Agron Hasko, Petrit Xhaja, Ermioni Dilo, Xhafer Ibro, Yllka Xhaferi, Hajri Musabelliu, Bashkim Metani,Veri Xhaferi, Hajri Kapllani, Albert Lajthia, Suat Braçellari, Skender Idershaj, Adriatik Hatellari, Merita Vaso, Behar Çuedari, Fehmi Xhamëni, Aurora Hajdini, Alfons Harizaj, Petrit Zeka, Nertila Meta etj. Mbi të gjitha ju shtua stafit drejtues, mësuesi i talentuar, historiani me njohuri të thella shkencore, Asqeri Turhani, i cili më vonë u vlerësua me titullin, “Mësues i Merituar”.

Krenaria për ish-nxënësit

Krenaria për ish-nxënësit tanë na ndoqi për shumë breza, një pjesë e mirë e tyre u bënë pedagogë, e profesorë nëpër universitete si: Hysen Binjaku, Syti Hysko, Gëzim Hasko, Fatos Harizaj, Perparim Laze, Bahri Musabelliu, Hysen Çela, Merita Vaso, Edmond Zaimi, Ilda Ibro, Çlirim Duro, Dorian Hysi, Edmond Nuellari e të tjerë. Po nga ky gjimnaz dolën gazetarë e analistë të niveleve të larta si Besnik Kaltanji, Astrit Ibro, Abdulla Braçe, Riza Brgasi, Mustafa Nono, Artan B. Hoxha, Hajri Baze, Naim Zoto etj. Shkolla ushtarake qe perzgjedhja e një pjese të nxënësve tanë,ku dalloheshin për përkushtim ndaj detyrës Bashkim Çollaku, Pëllumb Lame, Elmas Alipaj, Veiz Kovaçi,pilot që ra në krye të detyrës. Një pjesë e nxënësve që mbaruan shkollën e lartë u emëruan si drejtues shkollash, ku treguan aftësi të mira menaxheriale. Më duhet të sjell emrin e Nerënxa Begollit, drejtoreshë në shkollën e mesme Vendreshë, Flamur Manushaqja në Shkollën e mesme Poliçan, Novrus Kuçuku në Gjerbës e Neshat Gorxhe në Potom. Shkolla i jepte gjallëri qytetit në aktivitetet kulturore e artistike. Puna pasionante e mësuesve të edukimit fizik si Fatmir Hatellari, Petrit Meno, Partizan Koxhaj, Abdyl Shkëmbi, Sazan Hasani, Vladimir Bega, Luan Dervishi, Drane Bega, Perparim Harizaj, Natasha Laze, dhe mësueseve të gjuhë letërsisë Fiqiri Aliaj, Mynyr Bega, Adem Jakllari e të tjerë, bënë që shpesh herë nxënësit tanë të dalloheshin në spartakiada të ndryshme dhe aktivitete kulturore. Me këtë rast, në këtë përvjetor të 60 të hapjes së shkollës, besoj se shpreh dhe dëshirën e drejtorëve pasardhës Demir Hysenbelliu, Çelik Nako, Teki Bregu, Rustem Bregu, që për një kohë të gjatë ishin drejtues shkolle. Fjalë lavdëruese meritojnë edhe drejtuesve të tjerë e deri tek të sotmit Novrus Zeqo dhe Petrit Zeka, të cilët, ashtu si paraardhësit përpiqen të mbajnë lart emrin e gjimnazit “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës.