Merret peng senati i Universitetit të Mjekësisë

721
Vettingu të hetojë allishverishet e “ ustallarëve” të veshur me bluzën e bardhë të senatorit në Universitetin e Mjekësisë
Të premten, më datë 15 Shtator, u mor peng Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë nga persona me pushtet, që mbajnë disa poste njëherësh në kundërshtim me çdo parim ligjor, moral, apo profesional. Persona këta të denoncuar publikisht për mitmarrje dhe korrupsion, me çështje të hapura në prokurori, por që vazhdojnë të gllabërojnë me babëzi çdo gjë që u del përpara. Kësaj radhe bëhet fjalë për të uzurpuar postin e Administratorit të Universitetit të Mjekësisë, që me sa duket po rezulton të jetë më i rëndësishëm se posti i një ministri. Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme dhe çështjeve në prokurori dhe gjykata, këta oligarkë me “bluza të bardha” vazhdojnë të turpërojnë emrin e nderuar të MJEKUT. Me një ashpërsi të pashoqe janë “lëshuar” mbi këdo dhe çfarëdo që tenton t’i ndalojë, qofshin këta kolegë apo njerëz të thjeshtë. Kështu ndodhi edhe në mbledhjen e radhës të Senatit Akademik ku me arrogancë “ricertifikuan” shkeljet e kryera më parë. Kështu ata treguan se janë të palëkundur në padrejtësitë e tyre, duke vërtetuar se nuk njohin asnjë pushtet ligjor përveç atij të korrupsionit. Me sa duket mjekësia është e destinuar të vuaje pasojat e ambicieve të tyre, duke konsumuar kohë dhe energji në vend që ta çojë përpara arsimin mjekësor. Kaq kohë të tepërt kanë mjekët tanë? Mos ndoshta duhet të zgjidhin problemet mjekësore përpara se te bëjnë “juristin”? Është e drejtë përfshirja, në të tilla vendimmarrje, e shefave të shërbimeve, shefave të departamenteve, anëtareve të senatit akademik, apo akoma më keq, ndonjërit që pafytyrësisht i mban të gjitha këto pozicione njëherësh? A do çlirohemi ndonjëherë nga këta diktatorë modernë? Kjo pra miq, është Shqipëria e çudirave! Si ka mundësi, që njerëz të tillë janë akoma në pushtet? Për ta, shpërdorimi i postit, i detyrës dhe abuzimi me gjithçka që u sjell përfitime në kurrizin e të gjithëve ne, është si ajri që thithin. Çfarë përfaqësojnë këta të vetëshpallur “gjysmë-perëndi” që nuk u trembet syri të sfidojnë çdo ditë institucionet dhe ligjin duke shpërfillur këdo në këtë vend të harruar nga Drejtësia? Mos ndoshta e ardhmja e mjekësisë dhe ne bashkë më të, jemi të dënuar të mbetemi peng në duart e tyre? Përfundimisht Senati Akademik nën dirigjimin e “gjysmë-perëndive” nuk ka pranuar të anulojë vendimin e tij në kundërshtim të plotë me ligjin, për kualifikimin e kandidatit që nuk plotësonte kriteret, por ka marrë vendim për të pezulluar konkursin e Administratorit deri në vendimin e gjykatës. Në këtë “serial” kaq të ndjekur, dyshojmë që çudirat do mbarojnë këtu! Ndoshta vlen të përsëritet se në këto kushte, Vetingu duhet filluar sa më shpejt nga Universiteti i Mjekësisë.
Sigal