Merr rrugë kërkesa zyrtare e qytetarëve të Sarandës për nderimin e mjekut Vedat Beqi

667
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Agron Mema

Një emër që kërkon emër, mos mbyllni portën e jetës

Është përgatitur një peticion që vijon të mbledhë firma qytetarësh dhe vihet në dispozicion të gazetës “ Telegraf” si eskluzivitet i saj. Kjo jo pa ndonjë arsye, por sepse edhe herë tjetër gazeta i ka bërë jehonë rmrit që kërkon emrin, mjekut të ndjerë, Vedat Beqi. Por apelimi qytetarë, qoftë zyrtar institucional, qoftë mediatik, duket se ka rënur në vesh të shurdhër. Nuk dihet arsyeja e këtij qëndrimi mospërfillës, përçmues dhe përbuzës nga institucionet për themeluesin e maternitetit të Sarandës. Një qëndrim tepër indiferent ndaj vlerësimit të kësaj figure të mjekësisë, jo vetëm sarandiote, por me përmasa edhe mbarë kombëtare. Sepse doktor Vedati bëri histori në mjekësinë shqiptare dhe kur bën histori, mbetet vlerë dhe të takon me meritë skalitja e emrit në altarin e memories kombëtare.

Por atë që nuk e bëjnë institucionet shtetërore, kanë filluar t’a bëjnë vetë qytetarët, atyre që ai vet u shërbeu me sakrificë dhe profesionalizëm gjatë gjithë jetës së tij deri sa dha frymën e fundit. Megjithëse në shkrimet e mëparshme kemi folur për biografinë dhe aktivitetin mjekësor të mjekut Beqi, në këtë shkrim nuk do të ndalemi në këto elemente, por do të sjellim shqetësimin dhe kërkesën qytetare për vlerësimin e figurës së mjekut gjinekolog Vedat Beqi. Shkak për protestën qytetare është bërë deklarimi i kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij të fundit në Sarandë se godina e ish- maternitetit të Sarandës do të shembet dhe në vend të saj do të ndërtohet një muzeum arkeologjik. Kjo deklaratë, që më shumë i ngjan prishjes së Teatrit dhe premtimeve të bujshme të rradhës së mashtrimeve nga kryeministri, ka zgjuar ashpërsinë e reagimit qytetar në Sarandë dhe rrethinat e saj. Debati me këto reagime të ashpra ka shpërthyer edhe në rrjetet sociale, jo vetëm në peticion. Në peticion qytetarët shprehen se mosdakortësinë e tyre për prishjen e objektit të ish maternitetit, objekt i cili prej gati një viti është lënë në harresë dhe në mëshirë të fatit duke shkuar drejt degradimit dhe në të njëjtën kohë edhe vatër infeksioni nga jashtëqitjet shtazore dhe njerëzore si dhe mbetjet spitalore të përdoruesve të lëndëve narkotike.

Qytetarët e vlerësojnë dhe identifikojnë këtë godinë si pjesë e historisë së tyre, pasi aty ka shumë kujtime të bukura dhe emocionale për të gjithë sarandiotët, siç është ardhja në jetë e një fëmije. Ndaj ky objekt, sipas kërkesës së tyre, duhet restauruar dhe ruajtur mirë e me përgjegjësi dhe jo të prishet e në vend të historisë së lindshmërisë , të zerë vend muzeu arkeologjik. Qytetarët shkojnë deri aty sa shprehen se këtij objekti nuk duhet t’i preket asnjë tullë, pasi kështu ka vlera historike dhe njëkohësisht edhe turistike. Kanë ç’të mësojnë të gjithë. Aty turistat do të mësojnë shumë, por edhe historia e Sarandës nuk duhet prekur e masakruar kaq rëndë. Bota shpirtërore dhe emocionale ka efekte të forta dhe askush s’mundet t’i prek dhe të luajë me to. Madje salla e lindjes të lihet siç është, sepse aty janë strehuar britmat e para të lindjes së një qyteti me qytetarët e rinj të tij, janë ardhjet në jetë së bashku me lotët e gëzimit të nënave shoqëruar me mundimin dhe dhimbjen e bukur të lindje së një jete të re, është meraku dhe loti i gëzimit të baballarëve që gjithë ankth kanë pritur para kësaj dere të godinës së jetës. Kjo godinë është më me vlerë se betonet që priten të hedhin bizneset e babëzitur, sepse historia e këtij objekti është e mbrujtur më herët, qysh kur shërbente si sanatarium për gjithë shqiptarët. Po ç’farë kërkojnë qytetarët? Përtej atyre që thamë më lart, kërkojnë që ky objekt të kthehet në muzeum historik shëndetësor me emrin e mjekut Vedat Beqi, themeluesit të maternitetit dhe drejtori i parë i tij për gati 30 vjet në shërbim gjinekologjik, kontributi i të cilit është i pavlerësuar deri tani, pavarësisht se aktivitetin e kreu në kushte tepër të vështira e të rënda të viteve ’60-’70 nga pikëpamja infrastrukturore dhe e paisjes me medikamente mjekësore. Por mundi t’ia delte mbarë me stafin mjekësor që e shoqëronte. Ndaj qytetarët e shikojnë këtë objekt si një godinë me peshë të madhe, sepse në këtë godinë strehohen kujtimet e të gjithëve, ka peshë të madhe historike dhe nuk duhet të zhduket. Është shpirti i Sarandës dhe i sarandiotëve.

Janë kujtime me lot gëzimi. Aty ku është mundësuar hapja e krahëve për prindërit tanë duke i bërë gjyshër dhe vetes rrugës së prindërimit. Aty janë kujtimet, mundi, sakrifica dhe djersa e mjekëve të papërtuar të atyre viteve që shërbyen në Sarandë. Është porta e parë e jetës dhe nuk duhet të mbyllet. Këtu kanë lindur të gjithë dhe nuk mund të varroset kaq barbarisht historia. Dhe së bashku me këtë histori, me këto kujtime , mes mirënjohjes së qytetarëve, udhëton dhe mjeku i ndjerë, gjinekologu i parë i Sarandës, Vedat Beqi, një Emër që kërkon në heshtje Emrin e tij dhe zgjon mirënjohjen qytetare. Në fund të këtij shkrimi, në respekt të qytetarëve që n’a besuan peticionin si eskluzivitet, ne mundësuam edhe një prononcim nga bashkëshortja e mjekut Vedat Beqi, intelektuales së qytetit Hasije Beqi, e cila na tha: “ Përshëndetje stafit të gazetës “TELEGRAF” dhe mirënjohjen time dhe të familjes qytetarëve të Sarandës për vlerësimin që i bëjnë mjekut të tyre , bashkëshortit tim Vedat Beqi. Si gruaja e Tij, jeta ime mbi 50 vite ka qenë e lidhur pazgjithmërisht me këtë godinë ku punonte bashkëshorti im. Shumicën e rasteve kam gëzuar së bashku me nënat që mbanin fëmijët e tyre të porsalindur në krahët e tyre, kjo sidomos në lindjet e vështira, gëzimi i tyre ishte edhe i familjes sime. Kam qarë fshehurazi, pa m’i parë lotët nënat e sëmura rëndë, të cilat luftonin rëndë. Kam ndjerë frikë kur vinin gra me aborte të provokuara nga nëna të ndryshme dhe në gjendje të rëndë, por që bëhej e pamundura për të shpëtuar jetën e tyre. Mund të jenë edhe dy apo tri raste në 30 vite shërbimi gjinekologjik të bashkëshortit tim që janë shoqëruar me humbje jete për një apo tjetër arsye, jo për faj mjekësor.

Kjo ka mjaftuar që hetuesinë t’a kishim nga mbrapa me frikën dhe shantazhin që kishte hija e tyre, por edhe trokitjet e policisë tek dera dhe shoqërimi i frikës nga biografia se kish një cen nga babai që qe shpallur kulak. Kjo nuk qe pak athere. Nga duart e Poliksenit janë rritur vajzat e mia. Ç’mund të them për bashkëshortin tim, Vedatin? Një jetë plot sakrifica në shërbim të qytetit duke u kthyer mjeku i qytetit, mjeku i të gjithëve. Ai luftoi për modernizimin e maternitetit, jetoi përherë me pacientët e tij, jetoi dhe ndjeu së bashku me prindërit gëzimin e pritjes së fëmijës së tyre. Asnjëherë nuk j’u vlerësuan sakrificat nga institucionet si mjek dhe drejtues i parë i maternitetit të Sarandës me një punë plot stres të pakufishëm dhe njëkohësisht me mungesat dhe vështirësitë e kohës, por nuk i ka munguar mirënjohja qytetare ç’ka mua dhe vajzat na bën krenare. Mjeku duarartë kishte edhe një staf të mrekullueshëm rreth tij dhe sëbashku ia dolën mbanë të përballojnë vështirësitë. Rëndësi ka shpërblimi mirënjohës i komunitetit, dashuria dhe respekti që kanë dhe tregojnë për mjekun e tyre. Asnjë s’po pyet për dëshirën time, megjithatë po e shpreh; Do të dëshiroja që si mjek, jo se është bashkëshorti im, por mirënjohja dhe vlerësimi qytetar e tregon këtë, mjeku që shërbeu mbi 30 vjet plot sukses duke sakrifikuar jetën e tij, Emri i tij të gdhendej mbi këtë godinë dhe të mbetet institucion shëndetësor pa tjetërsuar destinacionin historik që bart mbi vete”.