Memorandumi i pyjeve/ Transportonin lëndë drusore, procedohen 8 persona, mes tyre edhe një teknik pyjesh

213
Sigal

Policia e Shkodrës ka bllokuar 5 kamionë që transportonin lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Si rezultat janë proceduar 8 persona për ‘Prerje të paligjshme të pyjeve” mes tyre edhe nje teknik pyjesh.

Njoftimi i Policisë:

Shkodër

Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Bllokohen nga Policia, 5 kamionë që transportonin rreth 40 metër kub lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.  Procedohen penalisht 8 shtetas, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar pa licencë“. Gjithashtu, procedohet penalisht edhe 1 teknik pyjesh në bashkinë Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet policore të Komisariateve të Policisë Shkodër dhe Malësi e Madhe, kanë bërë të mundur bllokimin e 5 kamionëve që transportonin pa dokumentacionin përkatës, 40 metër kub lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme, konkretisht:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe janë proceduar penalisht shtetasit E. N. dhe Q. M., pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në fshatin Hot të Malësisë së Madhe, duke transportuar me kamionët e tyre lëndë drusore, pa dokumentacionin përkatës; Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, janë proceduar penalisht shtetasit N. Z., R. K., A. C., M. B., A. L. dhe A. S., pasi janë kapur duke transportuar me tre kamionë, lëndë drusore, pa dokumentacion përkatës.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër do të vijojë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë dhe në këtë kuadër apelon për qytetarët që të mos presin dru në mënyrë të paligjshme, pasi do të përballen me ligjin.