Meditime mbi ekzistencën

887
Sigal

“Unë dhe vdekja nuk takohemi kurrë”…!? As kur jam gjallë, e as kur kam vdekur! Kur unë jam gjallë, ajo s’është! Kur vjen ajo, s’jam unë … !

1-Shqiptarët dhe vdekja

S’pyesin se mund të vdesin! S’e kanë për fare për gajle. Të vrasin me thikë, çekiç, sëpatë, levë, për një karikues, të mbysin, të djegin, të helmojnë. Me këto njihemi, me dhjetëra herë në ekranet televizive. Aq sa na tronditin e na bëjnë me dhimbje koke. Në botë s’jepen, ose jepen në fund si njoftim e jo si lajm kryesor. Këto me pa të drejtë shfrytëzohen politikisht! Arsyet janë nga më të ndryshmet: Një zënkë, xhelozia, larje hesapesh,, gjaknxehtësia, prona, gjakmarrje, për arsye banale! Të gjithë bëhen pishman, por tani është vonë! Besoj se ju ka rastisur të shkoni në varreza? Qindra njerëz qëndrojnë aty kokulur më tepër të rinj se të moshuar. Sa të urtë duken! Tek sheh të afërmit, të njohurit e të panjohurit rri e mendon: Pse bën keq o njeri? Pse arrin deri aty sa t’i marrësh jetën tjetrit? Sado i keq të jesh, ti je njeri, ke një zemër, ke një shpirt. Ty dikush të ka lindur dhe të do. Vallë s’të vjen keq që i merr jetën dikujt, gjënë më të shtrenjtë të dhuruar vetëm një herë? Edhe ai e do jetën ashtu si ty. Atëherë pse e bën këtë? Për një fjalë, një zënkë, një copë tokë, një vijë uji, për ca para. Sa keq! Vetëm tek ne ndodh që vret vëllai – vëllanë, i biri t’anë, vret burri gruan…! Sa shumë ke për t’u penduar, o njeri, sado i lig qofsh! Dhe këtë e ke deklaruar në gjyq! Jam penduar, e bëra nga gjaknxehtësia justifikohesh…! Por atëherë është shumë vonë! O Zot! Ç’po ndodh kështu me ne? Mos e kanë fajin armët që kemi në dorë, që shteti i “ndau”, por s’po kujtohet t’i mbledhë?! Mos e kanë fajin ligjet që nuk zbatohen? Apo heqja e dënimit me vdekje. Apo heqja dorë nga besimi tek Zoti për disa dekada?! E ka fajin natyra (që është e lindur nga kodi gjenetik), apo kultura (që formohet nën ndikimin e shoqërisë)? Mos të gjitha së bashku?! Diku kam lexuar se njeriu lind për të jetuar dhe vdes për t’u kujtuar, por ja që shpesh s’e lënë të jetojë!

2-Frika nga vdekja është më e tmerrshme se vetë vdekja

Ajo e afron e jo e largon atë. Që kur lind njeriu është boll i vjetër për të vdekur. Harresa për vdekjen është injorancë dhe mendjelehtësi. Nuk ka urtësi të vërtetë pa një mendim të vazhdueshëm mbi vdekjen. Këto janë disa thënie që secili duhet t’i ketë parasysh gjatë jetës! Por ja, që çdo lindje është e destinuar të vdesë! Dhe vdekja sillet vërdallë boshtit të jetës, sa herë që shfaqet diku ndonjë lindje. Të parës i frikohemi, e urrejmë, e mohojmë e tejkalojmë. Të dytës i gëzohemi, i këndojmë, i buzëqeshim, se na sjell hare, gaz, lumturi. Pse gjithë këto kontradikta në dy këto fenomene kaq të zakonshme të jetës sonë? Vërtet, sa kemi arsye t’i quajmë dhe t’i konsiderojmë të kundërta këto dy të vërteta kaq të mëdha? Pse nuk bindemi njëherë që të dy këto fenomene t’i konsiderojmë të njëjta, kur vetë pajtohemi se që të dyja janë një domosdoshmëri? Pse nuk qeshemi në vdekje siç qeshemi në lindje, apo pse nuk vuajmë në lindje siç vuajmë në vdekje. Frika më absurde është frika nga vdekja. Vdekja s’ka të bëjë me ne, as kur jemi të vdekur e as të gjallë. As të gjallë, sepse në këtë moment ajo nuk ekziston dhe as të vdekur, sepse në këtë moment jemi ne që nuk ekzistojmë. Vdekja s’ka lidhje as me të gjallët e as me të vdekurit, përderisa ajo nuk është asgjë për të parët dhe të fundit s’janë asgjë për të. Sado e tmerrshme qoftë, vdekja është e pafuqishme të zhdukë jetën. Ajo mund të zhdukë vetëm ekzistencën fizike të saj, por jo atë shpirtërore. – Të gjallët s’mund të jetojnë plotësisht jetën e tyre, kurse të vdekurit s’mund të vdesin plotësisht. Sa mirë do të ishte sikur këto të fundit të ishin të vërteta! 

3-Si e vlerëson bota fenomenin e vdekjes?  

Pra bota (sidomos ajo perëndimore), vdekjen e vlerëson si një fenomen të natyrshëm, duke e lidhur me fenë. Për këtë, më pak lot derdhin, më pak zi mbajnë, më pak ceremoni e më pak kujtime, duke parë më tepër në sy jetën e vet, të cilën mundohen ta jetojnë duke respektuar jetën e tjetrit. Pse tek ne ndodh e kundërta…? Pa dashur jetën s’mund ta luftojmë vdekjen, e pamenduar për vdekjen s’mund të ndërtohet një jetë e qetë. Sepse tek një njeri ndërgjegjësimi i të qenit i vdekshëm s’është gjë tjetër veçse një ftesë për të ndërtuar jetën për tjetrin dhe për veten, ekzistencën më të bukur dhe më të plotë. Dhjetëvjeçarët e fundit janë shkruar shumë libra dhe artikuj shkencorë në lidhje me frikën nga vdekja. Megjithatë, shumica e njerëzve parapëlqejnë të mos mendojnë fare për vdekjen. Por vdekja është realitet dhe herët a vonë, do të na duhet të mendojmë për të. Jeta e njeriut është shumë e brishtë. Çdo ditë vdesin mesatarisht më tepër se 160.000 veta! Çdo vit 59 milionë, ose 2 njerëz në sekondë. Ekspertët e kanë klasifikuar frikën nga vdekja në disa kategori. Në to përfshihen frika nga dhembja, frika nga e panjohura, frika për vdekjen e të afërmve dhe frika nga pasojat që mund të sjellë vdekja. Më kryesorja nga këto është frika që të mos ekzistosh më. Pavarësisht nga bindjet fetare që kanë, shumë njerëz i tremb ideja se vdekja është fundi i gjithçkaje. Dhe shkenca u fryn flakëve të kësaj frike. Shumë biologë e quajnë vdekjen e njeriut thjesht si një proces biologjik .

4-Vdekja si pjesë e jetës

Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë”. Ata nuk kanë më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre është harruar. Po ashtu edhe dashuria dhe urrejtja. Pra, nuk habitemi që shumë njerëz, të cilët në dukje besojnë me devotshmëri në jetën e përtejme, thellë brenda tyre tmerrohen nga ideja se një ditë nuk do të ekzistojnë më. Vështirë për t’i besuar, por ka edhe nga ata që vdekjen e kanë pranuar lehtësisht dhe e kanë shfrytëzuar varrin e tyre për të dhënë mesazhe të forta.

-“Më lini të qetë, jam duke fjetur”, janë fjalët e një vajze që ka zgjedhur ta përshkruajë vdekjen shumë lehtësisht si një gjumë që e dëshironte.

-Një prind i kishte shkruar mbi varr djalit: Pse o bir “kaq pa edukatë, të shkosh në varr para se yt atë .

-Kurse një tjetër: “Vdekja tënde neve na ndau, kurse kjo imja do t’na bashkojë përsëri”.

-Madhështia e” Zotit” është se të gjithë ankohen nga kjo Botë, por askush s’do të iki

prej saj !

Po e përfundoj ashtu si nuk e nisa. Sido që të jetë: “Vdekja është armikja reale e njeriut!” Ajo është prezent e na shoqëron në çdo hap të jetës, prandaj jeto jetën, ashtu si të vijë…!

 Evdal NURI