Mediat gjermane/ Spiegel: Nga brenda selisë u hodh gaz lotsjellës mbi protestuesit

284
Sigal

Revista më e madhe gjermane, Der Spiegel, ka raportuar për protestën e sotme në Tiranë.

Në shkrimin e saj, thuhet se protestuesit rrethuan godinën dhe u futën brenda.

Por gazetari thekson se nga brenda godinës u hodh gaz lotsjellës mbi protestuesit.

“Në Tiranë, mijëra mbështetës të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha rrethuan selinë e partisë opozitare konservatore, PD (Partia Demokratike). Protestuesit thyen derën dhe u futën në ndërtesë.

Sipas të dhënave të televizionit shqiptar, protestuesit arritën të futen në katin e parë. Mirëpo ata nuk u futën te zyrat e kryetarit të PD, Lulzim Basha se ai i kishte përforcuar dyert lidhëse.

Nga brenda ndërtesës u hodh gaz lotsjellës mbi turmën e demonstruesve jashtë. Policia kishte rrethuar godinën, por fillimisht nuk ndërhyri.

Konflikti, i cili ka javë që po zien, ka të bëjë me luftën për pushtet mes Bashës dhe Berishës, i cili ka qenë kryetar i PD-së. Me nxitjen e Bashës, Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar i PD shtatorin e kaluar. Arsyeja ishte se SHBA kishte vendosur një ndalim hyrje për Berishën dhe disa të afërm të tij për akuza për korrupsion në maj të vitit 2021,” shkruan Spiegel.