Me qindra qytetarë nisen nga rrethet, çfarë po ndodh në qytete të ndryshme të vendit

52

Nga Librazhdi mësohet nga burimet se janë nisur drejt Tiranës  disa anëtarë të Partisë Demokratike ndërkohë që një pjesë kanë mbërritur në Tiranë dhe të tjerë presin të kalojnë në Elbasan.

Në Kryebushat është vendosur një patrullë që nuk ka për qëllim ndalimin e protestuesve por mos qarkullimin jashtë zonës së kuqe.

Protesta për shembjen e Teatrit Kombëtar e thirrur sot nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar bën që të shtohen masat në dalje të Shkodrës.

Policia është përqëndruar me postoblloqe në Kryebushat ndërsa ka ndaluar disa automjete. Shkodra vijon të mbetet zonë e kuqe ndaj qarkullimi jashtë saj i jep policisë të drejtë të pengojë protestuesit.

Burime bëjnë me dije se nga Korça rreth 500 veta janë nisur dhe rreth 100 të tjerë nga Pogradeci për t’ju bashkuar protestës për Teatrin Kombëtar në kryeqytet.

Burime bëjnë me dije për Fax Neës se qytetarë të ndryshëm të Korçës janë nisur me automjete private.

Ndërkohë që përgjatë aksit  Korçë-Tiranë vijojnë post-blloqet e policisë që bllokojnë transportin nga zonat e gjelbra drejt zonave të kuqe

Nisen drejt Tiranës gjithashtu simpatizantë dhe anëtarë PD në këtë rreth.

Disa qytetarë janë shprehur  se janë bllokuar nga policia pasi nuk kanë aplikuar për leje në e-albania.

Edhe sot qytetarë fierakë janë organizuar për në protestën e organizuar në Tiranë në orën 17 :30 në mbrojtje të Teatrit e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Protesta e dytë kjo që bëhet nga Aleanca ku kësaj kauze i janë bashkuar edhe partitë në koalicionin opozitar.

Gjatë gjithë ditës së sotme na konfirmohet se qytetarët fierakë janë organizuar me mjetet e tyre dhe nuk ka asnjë organizim të bashkuar nga mbështetës të partive përkatëse.

Edhe pse Fieri zonë e gjelbër nuk mungojnë postoblloqe të policisë, të cilat janë vendosur në vendin e quajtur si Vija e Ngjalës në hyrja -dalje të qytetit Fier.

Kontrolle janë rutinë e deri në këto momente nuk ka të ndaluar përsa i përket protestuesve që janë nisur drejt Tiranës.

Dega PD Berat drejt Tiranës. Nisja protestuesve beratas u krye në 14:30 nga selia e Partisë Demokratike Berat, ku janë nisur disa automjete secila me nga dy persona ndërkohë që më herët dhe në orare të ndryshme janë nisur edhe automjete të tjera.

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Berat, Gazmend Azizi ka deklaruar se makinat e protestuesve po pengohen rrugës drejt Tiranës nga policia rrugore pa asnjë shkak.

Demokratët beratas do të mbështesin protestën e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të drejtave të çdo qytetari. “Na kanë bllokuar çdo aplikim tek e-Albania për të qarkulluar drejt Tiranës ndërsa  forcat e policisë rrugore  po pengojnë makinat e protestuesve për të ikur drejt Tiranës”, tha një protestues.