Me maska dhe doreza/ Mblidhet Kuvendi, deputetëve do t’u matet temperatura para se të hyjnë në sallë

347
Sigal

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur kohën e diskutimeve në seancën plenare e cila është me datë 16 prill, ku në qendër të diskutimeve do të jenë masat kundër përhapjes së koronavirusit. Maxhoranca ka të drejtë për 70 minuta diskutim, ndërsa opozita ka 50 të tjera. Kryeparlamentari ka sqaruar se të gjithë deputetëve do t’u matet temperatura dhe do të jenë të pasjisur me maska e doreza.

Gjithashtu do të ulen kudo nëpër sallën e Kuvendit, si në karriget poshtë, deri tek llozhet dhe tek galeria e katit të dytë. Ruçi nuk ka ngurruar që të theksojë edhe një rregullur lidhur me mënyrën e komunikimit në sallë.

“Duhet të keni kujdes e të ruhet etika në komunikim nga deputetët gjatë zhvillimit të mbledhjes online. Kryetari i komisionit ka të drejtë të përjashtojë nga mbledhja deputetin i cili nuk zbaton rregullat e mësipërme,”-shkruhet në njoftim.

NJOFTIMI I PLOTË:

Të nderuar deputetë jashtë grupeve parlamentare!

Sikurse jeni njoftuar, dje është mbledhur Konferenca e Kryetarëve e cila miratoi programin e punës, kalendarin e punimeve të Kuvendit si dhe grafikun e zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve parlamentare me anë të mjeteve të komunikimit elektronik.

Në Konferencën e Kryetarëve u diskutua edhe koha e diskutimeve, në përfundim të së cilës, në mbështetje të nenit 48, pika 3 të Rregullores, u ra dakort sa vijon:

Koha totale 120 minuta

Referuar përbërjes politike të Kuvendit kjo kohë ndahet si më poshtë:

70 minuta koha në dispozicion të shumicës;

50 minuta koha në dispozicion të pakicës.

Koha e pakicës referuar grupeve parlamentare ndahet:

15 minuta për çdo grup parlamentar (3 grupe x 15 minuta = 45 minuta)

5 minuta në dispozicion të deputetëve jashtë grupeve parlamentare.

Ju bëj me dije se po merren masat e nevojshme mbrojtëse të mëposhtme për deputetët dhe administratën në seancën plenare të datës 16 prill 2020, ora 10:00.

· Në hyrje të Sallës së Seancave do të bëhet matja e temperaturës nga personeli mjekësore prezent ne sallë. Punonjësit e Administratës së Kuvendit do të pajisin deputetët me maska e doreza.

· Në Sallën e Seancave do të jenë vetëm punonjësit e domosdoshëm të administratës të pajisur me maska dhe doreza.

· Garda e Republikës do të jetë me numër të reduktuar dhe të pajisur me maska dhe doreza.

· Deputetët e pranishëm do të pozicionohen në sallë, llozhat anësore të katit të parë dhe katit të dytë si dhe galerinë e sipërme të sallës.

Seanca plenare do të transmetohet live nga TVSh e cila do të prodhojë sinjal për të gjitha televizionet.

Ju bëj me dije gjithashtu se mbledhjet e komisioneve parlamentare duke filluar nga java e ardhshme do të transmetohen drejtpërdrejtë on line në faqen zyrtare të Kuvendit në internet. Lidhur me këtë, Kryetari i Kuvendit në mbledhjen e Konferencës solli në vëmendjen e anëtarëve të Konferencës respektimin e rregullave të mëposhtme:

1- Duhet të keni kujdes e të ruhet etika në komunikim nga deputetët gjatë zhvillimit të mbledhjes online.

2- Deputetët duhet të gjejnë një vend të përshtatshëm (sfondi) komunikimi gjatë zhvillimit të mbledhjes.

3- Kryetari i komisionit ka të drejtë të përjashtojë nga mbledhja deputetin i cili nuk zbaton rregullat e mësipërme.

Dokumentacionin parlamentar për çështjet e planifikuara për seancën e datës 16 prill do ta merrni si gjithmonë me anë të postës elektronike.

Gjithë masat e marrë në Kuvend, janë marrë në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, i cili deri më tani ka infektuar 433 persona, mes tyre edhe deputetin Adriatik Alimadhin.