Me logo “KF Elbasani”, si u kapën 9 milionë USD kokainë, dyshimet për porosi nga Shqipëria

642
Sigal

Të paketuara me logon e ekipit të futbollit të Elbasanit, kapen 613 kg kokainë në Brazil. Një sasi rekord kokainë e pastër është sekuestruar nga Policia Federale braziliane, në një zonë rurale në Brasnorte.

Droga u gjet e fshehur në dyshemenë e kamionit, ndërsa katër persona përfunduan në pranga.

Sasia e kokainës, sipas Policisë braziliane, në treg do të kapte shifrën e 9 milionë dollarëve dhe kishte si destinacion final Europën, pa përcaktuar një vend konkret.

Por duke parë logon e klubit të Elbasanit, do të thotë se lënda narkotike do të transportohej në Shqipëri si ndalesë e fundit.

Përveç drogës, u sekuestruan kamioni dhe dy automjete tip “Fiat”, të cilat shërbenin për kontrollin e rrugës teksa shoqëronin kamionin.

Operacioni i inteligjencës dhe mbikëqyrjes kishte mbështetje logjistike nga një aeroplan i Komandës Ajrore të Policisë Federale – CAOP, me qëllim të mbledhjes së të dhënave në fermën që ishte përdorur edhe si laborator për përpunimin e drogës së fortë.

Policia, gjatë kontrollit të ushtruar të dielën e 2 shtatorit, gjeti edhe materiale të përdorura për rafinimin dhe paketimin e kokainës, peshore dhe sende të tjera. Shoferi i kamionit i konfirmoi Policisë se kishte marrë 10,000 dollarë për ta transportuar ngarkesën.

Koordinatori i Grupit, Nantel Col. José Nildo de Oliveira, duke folur për operacionin ka deklaruar se kokaina e pastër ka vlerë më të madhe tregtare sesa llojet e tjera të narkotikëve, duke shtuar se sasia ishte më e madhja e kapur këtë vit në rajon.

Ende nuk dihen detajet se si do të transportohej sasia e madhe e drogës në Shqipëri, por tashmë trafikantët duket se kanë zgjedhur një tjetër strategji pas dështimit të rrugëve me kokainë të fshehur në kontenierë me banane.

Ndërkohë, qyteti i Elbasanit, që dyshohet se ishte destinacioni final i drogës, cilësohet si nyja e trafikut të drogës, pasi në këtë vend ka dyshime se ekzistojnë dhe laboratorë për punimin e kokainës, e cila më pas trafikohet drejt vendeve të BE-së.

Brazili është vendi më i madh për importimin e mishit në Shqipëri. Bllokimi i kamionit ku fshihej sasia e madhe e drogës ndodhi në një zonë rurale, brenda një ferme.