“Më kanë lëvizur nga fjala”, zbulohen detaje të reja nga vrasja e Prengës

639
Sigal

Të tjera detaje tronditëse mësohen nga vrasja e Jan Prengës, ku vëllai i tij, Astriti e ka dorëzuar pjesën e mallit si dhe 700 mijë paund, që kishte nxjerrë nga një port në Angli, por nuk mori më pas asnjë sinjal nga 49 vjeçari që e rrëmbyen në Kamëz.

Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, nga rrëfimi i vëllait tjetër të pengut të zhdukur (Anton Prenga), përmendet edhe një shtetas polak, i cili ka qenë i implikuar në ngjarjen, që e ka zanafillën te përplasjet mes disa grupeve të rrezikshme kriminale për kokainën.

Dëshmitari tregon se pas negociatave me Gramoz Rexhepin, ai iu ka thënë “unë ju jap besën, ktheni pjesën tuaj të kokainës, nga Astriti dhe Gëzim Shullani se do lirohet pengu”.

Sipas burimeve, Astrit Prenga dhe Gezim Shullani kanë kthyer pjesën e tyre prej 106 kg kokainë në Londër duke e dorëzuar tek disa shtetas nga Polonia, të dërguar nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçi.

Unë nuk e di, shton dëshmitari, se kujt ia dorëzoi vëllai (Astriti) kokainën, por ai më tregoi se bashkë me të ka dorëzuar edhe 700 mijë paund”.

Më tej në dëshminë e Anton Prengës, i ardhur në Shqipëri për të gjetur të vëllain, ditën e hënë në datën 22 janar, pra pesë ditë nga rrëmbimi, Gramoz Rexhepi ka telefonuar vëllain e pengut, Ndrek Prenga (që gjendet në burg). Brenda dy orësh, mësohet të ketë thënë nga Ekuadori Rexhepi, vëllai do lirohet.

Por kur kjo gjë nuk ka ndodhur dëshmitari tregon se janë kryer sërish telefonata me Ekuadorin dhe aty Rexhepi ka deklaruar “më kanë lëvizur nga fjala ata personat, unë të detyrohem të të jap emrat e tyre që kanë organizuar dhe kryer pengmarrjen, ata quhen Gentjan Doçi, Gentjan Bleta dhe Korado Doda”.