Me amnistinë fiskale do të legalizohen edhe veprat e artit dhe ikonat e vjedhura

222
Sigal

Ndërkohë që kasta e oligarkëve e konsiderojnë amnistinë fiskale si një “fuqizim ekonomik”, BE dhe FMN janë kundër nismës që e kthen Shqipërinë si “hani pa porta”. Por çudia më e madhe, që po tentohet të kalojë në heshtje, ka të bëjë me nenin 3, pika ‘b’ e projektligjit, e cila amniston kontrabandistët e veprave të artit dhe ikonave, duke i mbyllur rrugën drejtësisë për hetim. Flasin ekspertët: Banda e hajdutëve dhe trafikut të veprave  të artit do të përfitojnë mbi 500 mln euro, vetëm në një rast i kalon 63 mln euro.

“Në Shqipëri me legalizimin e veprave të artit të amnistuara dhe gjërave me vlerë ne po legalizojmë vjedhjet që ka bërë sistematikisht banda e hajdutëve koleksioniste në pushtet”

Shqipëria  si “hani po porta”, pas shpalljes së Amnistisë Fiskale

Nisma e amnistisë fiskale, e shumëkritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për legalizimin e parave informale dhe për amnisti penale për poseduesit e këtyre parave, po shitet si një nismë në ndihmë të punëtorit hallexhi, që ka punuar në të zezë. Shqetësimet kryesore të organizatave ndërkombëtare ka qenë mungesa e kontrolleve mbi origjinën e pasurisë së investuar në Shqipëri, pasuri që shpesh arrin në rendin e dhjetëramilionë eurove, dhe që dukshëm nuk është produkt i punës në të zezë të ndonjë kamarieri apo punëtori ndërtimi emigrant në ndonjë vend perëndimor. Mesa duket ky ka sjellë interesin e atyre që posedojnë pasuri të mëdha dhe po kërkojnë të marrin nënshtetësi shqiptare, duke u kthyer Shqipërinë si “hani po porta”, pas shpalljes së amnistisë fiskale, ku ato me më shumë interes dukshëm janë grupe kriminale,  ish- politikanë e qeveritarë, pasi qytetarët e thjeshtë nuk kanë aq miliona ilegale për të ligjëruar .

“Emigrantët e ndershëm nuk mund t’i kenë arritur 2 milion euro, sa për t’u ardhur në ndihmë amnistia fiskale, por po e përdor si as nën mëngë për zgjedhjet e ardhshme”

Shkresa që vërteton që Prokuroria nuk i ka marrë në dorëzim provat materiale ikona

 

Neni 3, pika b e projekt-ligjit për amnistinë fiskale, alibi për t’i mbyllur rrugën drejtësisë të hetojë kontrabandistët e veprave të artit

Shqipërisë, që nga ditët e para të post-komunizmit e deri më sot i mungojnë qindra e mijëra artefakte, ikonostase, ikona, vepra të ndryshme arti që u vodhën e u kontrabanduan nëpër botë! Po ashtu, në Shqipëri pati edhe “kërkime arkeologjike” dhe përvetësime nga institucionet shtetërore të vendeve fqinje! Një koordinim dhe hetim disa mujor i Interpolit në 2022 rezultoi e me kapjen e 52 personave që kanë tentuar të kontrabandojnë mbi 10 mijë sende, artefakte e vepra arti të vjedhura e të grabitura që nga shtëpitë e deri te objektet e kultit dhe muzetë botërore! Pa dyshim që vjedhja, shitja dhe trafikimi i veprave të artit është një nga aktivitetet më të paligjshëm. Mesa duket kjo nuk është një problem për Shqipërinë, pasi lista e pasurive ilegale, që kryeministri Edi Rama ka përfshirë në projekt-ligjin “Për Amnistinë fiskale”, ka dalë jashtë sferës logjike të kursimeve të emigrantëve, duke përfshirë dhe pasuri të paluajtshme e vlera financiare deri në 2 milionë Euro me burime anonime, nga çdo person me shtetësi shqiptare. Sipas nenit 3, pika b e projekt- ligjit për amnistinë fiskale, ndër pasuritë ilegale që do ligjërohen e pastrohen penalisht, Edi Rama ka futur dhe sendet me vlerë prej ari, gurë të çmuar, vepra arti e ikona të çdo lloji e periudhe. As për këto pasuri, pa kufizim në numër, por jo me tepër se vlera 2 milionë Euro, qeveria dhe organet tatimore nuk do ta kërkojnë burimin financiar apo adresën e blerjes, madje shteti do mbajë të fshehtë dhe emrat e personave që do përfitojnë nga amnistia. Ligjërimi i këtyre pasurive “të zeza” me këtë ligj do fsheh krimin, që kanë bërë grabitës e trafikantë të veprave të artit, sendeve me vlerë në flori e gurë të çmuar, ikona etj, duke i mbyllur drejtësisë rrugën për të vazhduar hetimet.

Ndërkohë që kasta qeveritare dhe oligarkët po e trumbetojnë amnistinë si “fuqizim ekonomik”, ndërsa ekspertët, shoqëria dhe grupet e interesit që kanë zbatuar ligjin, po e cilësojnë “krim shtetëror”, për të rehabilituar të gjithë ata që kanë “prodhuar” miliona Euro e pasuri të zeza. Një në intervistë për Gazetën “Telegraf” Gjergji Thimo një ndër njohësit e veprave antike dhe koleksionist analizon situatën duke denoncuar sesi zytarë të lartë nga deputetë, ish- ministra dhe ministra u përfshinë në grabitjen e ikonave. Ai rrëfen skenarin që u përdor për t’i sekuestruar pasuritë në muze, edhe pse ka qenë një koleksionist i licencuar në 1996 nga ministria dhe me vendim gjykate.

Intervistoi : Biora Vojka

 

Qeveria po vendos në zbatim amnistinë fiskale me argumentin se do përfitojnë emigrantët, të cilët mund të legalizojnë pasuritë deri në 2 milionë euro. A mendoni se kjo është arsyeja e vërtetë e këtij projektligji?

Amnistia e veprave të artit, databaza e re e patronazhistëve për të fituar zgjedhjet

Jo kjo nuk është arsyeja e vërtetë, kjo është një mjet për të pasur në kontroll të gjithë krimin e organizuar. Emigrantët nuk kanë pse t’i legalizojnë! Nuk besoj që emigrantët e ndershëm t’i kenë arritur 2 mln. euro pasuri me çfarëdollojë pune. Kjo është nga përvoja ndërkombëtare me shtete shumë të fuqishme siç janë Franca, Gjermania dhe Amerika. Kjo është për të legalizuar paratë e krimit të organizuar, dhe është një ogur i keq për të ardhmen kur të zhvillohen zgjedhjet, që Edi Rama t’i ketë duke ditur që se cilët do të jenë personat që do të kenë këto lekë. Është grup kriminal i strukturuar politik, për t’i patur dhe për t’i hedhur në të gjitha drejtimet në fushatat elektorale zgjedhjet që po vijnë edhe të gjitha.

Çfarë mendoni se fshihet pas amnistisë së veprave të artit, ku neni 3 pika b në projektligj i hap rrugë gjithashtu dhe legalizimit të sendeve me vlerë, si gurë të çmuar, vepra arti etj?

Që ditën e parë që mori frerët e pushtetit Edi Rama në 8 tetor 2013 , kreu operacionin bandit fashist kriminal, pa mandate nga prokuroria. Ishte një nga operacionet më kriminale, unë isha një koleksionist i licensuar i një muzeu të artit dhe kulturës shqiptare me vendime gjykate. Isha një muze privat me një trashëgimi të mirëfilltë të një familje të krishtere ortodokse nga prindërit e mi, të cilat unë tashmë i kam bërë publike. Ishte një fund i konsiderueshëm, 1600 ikona vepra arti ,të cilat ishin të regjistruara të pasurive kulturore në Tiranë. Ishin të regjistruara në institutin e monumenteve të kulturës dega Berat, në institutin e monumenteve të kulturës në Tiranë, kur ka qenë Artan Shkreli drejtor. Domethënë ishin të gjitha objekte të legalizuara, të ekspozuara, të sponsorizuara nga vet shteti shqiptar, nga zyra e trashëgimisë në Tiranë, nga ambasada franceze, amerikane, gjë për të cilat ekzistojnë filmime, dokumentacioni i plotë. Ky nuk është një operacion për të luftuar trafikun e veprave të artit siç u shpreh Edi Rama. Ky ishte një operacion për të vjedhur veprat e artit, dhe kam thënë kisha e fundit që u vodh në Shqipëri ishte kisha e ‘Gjergji Dhimos’. Në Shqipëri me legalizimin e veprave të artit të amnistuara dhe gjërave me vlerë ne po legalizojmë vjedhjet, që ka bërë sistematikisht banda e hajdutëve koleksioniste në pushtet. Është një bandë e mirëfilltë koleksionistësh në pushtet nga Edi Rama, nga Koço Kokëdhima, Artan Lame, Artan Shkreli. Janë njerëz të spikatur në vjedhje të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Këtu kemi një kryeministër, i cili është akuzuar sistematikisht në vjedhjen e veprave të artit dhe sidomos kulturës ikonografike, ashtu siç e ka denoncuar dhe ish kryeministri socialist Fatos Nano, i cili është shprehur e solla nga Parisi për Ramën duke e shëtitur dhe shihte ikonat e vjedhura në kisha. Akuzë kjo që nuk e ka përgënjeshtruar asnjë herë, dhe nuk ja bëri një njeri dosido, por ja bëri një kryeministër i cili kishte shërbimin informativ kombëtar, informacione të klasifikuara etj. Pra këtu herë pas here janë dhënë këmbanat që kjo është një bandë që ka vjedhur dhe po vjedh kulturën shqiptare sistematikisht dhe tani erdhi momenti që ata duan t’i legalizojnë. Është për t’u theksuar, sepse në operacionin ikona janë vjedhur mbi 1600 ikona të certifikuara, kemi njoftimin për shtyp të policisë së shtetit në datën 8.10.2013 ku thotë, janë sekuestruar 223 ikona, 6 ikona të tjera, 4 piktura murale, dhe 522 piktura bronzi. Ishin 1077 objekte sipas konferencës për shtyp që dha policia deklaratë. Ditën tjetër, policia e shtetit mbasi i mori, e nisën me koleksionin e Gjergji Thimos, se ai nuk ishte thjesht koleksion i Gjergji Thimos ai ishte një pasuri e mirëfilltë kombëtare, u vodh mbarë kombi shqiptar, u vodh kultura e krishtere-ortodokse, vepra të myslamizmit dhe gjëra të tjera me vlerë.

Dhe menjëherë pasi kryen operacionin ikona 8 tetor 2013 pa mandate kontrolli, në njoftimin për shtyp të policisë në fund të deklaratës thuhet,se: materialet do t’i kalohen prokurorisë së rrethit gjyqësor sipas kodit të procedurës penale për të kryer hetime. Por menjëherë pas një dite, në datën 9 me urdhër të ministres së kulturës, me numër 4795, protokoll datë 9.10.2013, ministrja e kulturës merr rolin e prokurores, i merr të gjitha veprat nga policia e Saimir Tahirit, dhe në vend që t’i dorëzonte sipas kodit penal, që duhet dorëzuar organit të procedurës për të kryer hetimet, ministrja e kulturës me këtë urdhër ia dorëzon të gjitha veprat e grabitura të sekuestruara ja dorëzon galerisë kombëtare të arteve.

Galeria kombëtare sipas kodit penal nuk kishte asnjë të drejtë ligjore për të administruar provat materiale të një hetimi. Me një proces verbal ja ka dorëzuar kësaj galerie në datën 9.09.2013 me urdhër të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, me numër 4795 siç thashë, ja kanë dorëzuar galerinë kombëtare, dhe i kanë marrë të gjitha ikonat e grabitura në muze, kur ato duhet t’i administronte prokuroria. Meqënëse e bëri policia si aksion ja ka dorëzuar 8 punonjësve të galerisë kombëtare të artit. Askush s’ka të drejtë të vërë dorë në to deri në përfundim të hetimit, këta bëjnë një operacion policor, e bënë kryeministri. Është e paparë në një vend të botës demokratike që kryeministri i një vendi të drejtojë një operacion policor dhe të bëjë pa u hetuar dhe gjykuar klasifikimin e veprave penale, ashtu siç e bëri për mua që u shpreh përpara mediave që ishte një krim kombëtar.

Ju folët për vjedhje, a mendoni se amnistia do përdoret për të ligjëruar dhe justifikuar një vjedhje të dytë të këtyre veprave, vlera e të cilave arrin miliona euro? Si e gjykoni?

Vazhdojnë të vidhen! Kjo ka vite. Unë e kam denoncuar sistematikisht. Kjo është vjedhja e dytë, sepse ato që u vodhën për mua ishin miliona euro, ishin 63 milion euro të vlerësuara edhe nga studiuesit, bizantologët, grekët, francezët, të muzeut Britanik, specialistët e Vatikanit. Kështu që këta me amnistinë do legalizojnë të gjitha ato vepra që u grabitën në mua, që janë grabitur gjatë gjithë kësaj kohe, që ka në strukturë pushtetin Edi Rama, me bandën hajdute koleksioniste.

Zoti Thimo ju përmendët disa emra, a mendoni se këta janë zyrtarët që do dalin më të përfituar nga kjo amnisti?

Këtu është një grup kriminal antishqiptarë, antikombëtar që goditja e fundit siç po i jepet Shqipërisë është heqja e kombit e identitetit kombëtar: i ke hequr kokën, këta këtu po synojnë me një gur të vrasin jo dy zogj por tre. Koço Kokëdhima është një nga financuesit kryesor me Edi Ramën të vjedhjeve të gjitha kishave shqiptare me grupe kriminale të mirëorganizuara duke pajisur punonjës të veçantë që punojnë për Edi Ramën, Koço Kokëdhimën dhe roli i Artan Lames është kryesori në të gjithë këtë kasaphanë dhe maskaradë.

A kanë tentuar t’u joshin kundrejt heshtjes tuaj?

Unë kam pasur kur erdha në Korçë këtu një ofertë nga kryetari i bashkisë Niko Peleshi që ka qenë në atë kohë, që Artan Lame do vijë në Korçë dhe do ngrejë një muze, me objekte të rralla, dhe ju kemi menduar t’ju japim një ambient t’ju ndihmojmë. Nuk kam pranuar, sepse unë kam ndjekur rrugën time ligjore, ata donin përsëri të më bënin pjesë të tyre, kurse unë do t’i kërkoja ato vepra, sepse ato janë të Shqipërisë, ishin 1600 ikona, tani duan të amnistojnë rreth 3000 objekte të artit dhe kulturës shqiptare, minimumi 11-12 mijë vepra arti. Këta i administrojnë dhe këta tani duan t’i legalizojnë. Ata kanë vite, që punojnë për këtë maskaradë, dhe kjo është një nga vjedhjet, goditjet më të mëdha që po i bëhen kulturës shqiptare. Atë pasuri trashëgimi kulturore, që na i kanë lënë të parët tanë.

A do të kërkoni të bëni padi në Gjykatën Kushtetuese për mos amnistimin e këtyre veprave, pasi ju si një njohës i mirë, mund të konstantoni që një pjesë e mirë e tyre të jenë me nuancë vjedhje, që mund t’i përkasin pasurive kombëtare?

Unë do të bëj padi, sepse të gjitha objektet që kisha, pavarësisht se ishin kishare, por me atë vakum që në 67’ kur ishin prishur kishat, mua shteti më kishte dhënë të drejtën për t’i grumbulluar, t’i çoja në shtet t’i restauroja dhe t’i paisja me certifikata. Këtu dua të ngre edhe diçka, kjo vjedhje e artit ka filluar që në vitin 1999 kur unë bëja karterizimet, kur Artan Lame ka qenë drejtor i trashëgimisë kulturore. Artan Shkreli ka qenë drejtor i Institutit të Monumenteve Kulturore të Shqipërisë, i cili kishte në juridiksion të gjitha kishat dhe pasuritë kombëtare të artit mesjetar të hershëm dhe të vonë. Edi Rama ishte ministër i Kulturës pra: ka që atëherë me synime të qarta dhe sot ata duan të legalizojnë këtë pasuri. Unë jam duke pregatitur një dosje të plotë, me të gjitha dokumentat, shkresat, edhe të papublikuara. Unë mund të akuzoj kryeministrin e Shqipërisë, Koço Kokëdhimën, Artan Lamen dhe Artan Shkrelin jo vetëm për vjedhjen e koleksionit Thimo që ishte nga më të rrallët në të gjithë Evropën juglindore, sipas specialistëve me aktivitet mbi 22 vjeçare, por unë ata do t’i padis që po legalizojnë dhe shumë objekte të vjedhura në kishat shqiptare.


Po të sjell si shembull këtu, në vitin 1999 e kanë si taktikë këta që po grisin të gjitha regjistrat e kadastrës. Janë prishur të gjitha regjistrat që kishin protokollet dhe inventaret që nga koha e diktaturës që kanë qënë shumë të sakta. Kështu që prandaj po them ka ardhur koha që SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Zyra e Trashëgimisë Europiane, që ka përgjegjësi kryesore për të zbuluar vjedhjen e trashëgimisë kulturore, të gjithë artit ikonografikë, të arkeologjisë.

Unë nuk e di si e kanë marrë kurajon, sepse atje duhet një sensibilizim, që nëse është e vërtetë që këta duan t’i legalizojnë kjo është një grabitje e madhe! Dhe osmanët kur kanë pushtuar nuk kanë prishur kasha, as kulturat e artit, as kulturën ilire. Kjo është një nga barbaritë më të mëdha, që po i ndodh këtij vendi. Unë jam duke përgatitur një padi të mirëfilltë.