Mbyllja e Kapshticës / Dhjetra kamionë bllokohen sepse nuk ishin njoftuar

293
Sigal

Vendimi i qeverisë greke për të mbyllur pikën kufitare të Kapshticës më datë 20 nëntor, në kuadrin e masave kundër pandemisë, ka krijuar problemet e para.

Dhjetra kamionë janë bllokuar në këtë doganë dhe shoferët thanë se nuk ishin njoftuar, pasi ata, ndryshe nga udhëtarët, gjithmonë kanë punuar edhe në kësi bllokimesh.

Vendimi i qeverisë greke ka ardhur pasi qyteti i parë pas Kapshticës, Selaniku, po shënon për të disaditën ditë rresht, një numër rekord infektimesh në gjithë Greqinë, duke tejkaluar edhe Athinën që ka trefishin e popullsisë së tij.

Sipas shifrave të përditshme të botuara nga Organizata Kombëtare për Shëndetin Publik (EODY), Selaniku përbënte 774 të totalit në të gjithë Greqisë të enjten prej 3,227 rasteve të reja të koronavirusit. Kjo ishte më shumë se 646 raste të reja që pati Attica, e cila ishte gjithashtu shifër e lartë për kryeqytetin grek.

Dje, Ministria për Evropën e Shqipërisë njoftoi se Qeveria greke, përmes zëdhënësit qeveritar, Stelios Petsas, njoftoi në lidhje me hyrjet në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë, si më poshtë:

Nga dita e premte datë 20 nëntor 2020, ora 06:00 e mëngjesit, mbyllet pika kufitare në Kapshticë, ndërsa mbetet e hapur ajo në Kakavijë.

Në lidhje me kufijtë e tjerë veriorë të vendit, do të mbeten të hapura pikat kufitare në Evzonoi dhe Promachona, ndërsa në Nimfea do të hyjnë vetëm kamionat.

Qytetarët që do të hyjnë në Greqi, përveç paraqitjes së testit negativ PCR të kryer deri në 72 orë më parë, do të kryejnë edhe rapid test nga Njësi të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile dhe Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë.

Personat që rezultojnë negativë, mund të hyjnë në vend dhe të shkojnë në destinacionin e tyre, në bazë të dokumentit PLF që do dorëzojnë.

Ky vendim vlen vetëm për kufijtë tokësorë, të lartpërmendur, ndërkohë që kufijtë ajrore mbeten të hapur.