Herët në mëngjes, kryeministri Edi Rama nisi një mbledhje me Kryesinë në selinë e Partisë Socialiste, për të dhënë direktivat e fundit në kampin e majtë, 7 ditë përpara nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Me PS që në 44 bashki vendosi të garojë me kryetarët aktualë, duke u besuar një mandat tjetër, duket se edhe strategjia e fushatës zgjedhore do të jetë e orientuar drejt punëve, që këta drejtues lokalw kanë kryer sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri.
Gjiknuri foli për mediat pas mbledhjes dhe nënvizoi se PS nuk ka për qëllim organizimin e tubimemeve masive, por do të bëjë fushatë me takime në grupe të vogla qytetarësh.
“Në mbledhje u diskutua nga të gjithë anëtarët për strategjinë dhe kalendarin e aktiviteteve që shumë shpejt do i bëjmë publike. Ishin mbledhje organizative ku të gjithë anëtarët e kryesisë dhanë mendimet. Hyjmë të sigurtë me një strategji të mirëmenduar. Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete masive, nuk duam të bërtasim, por t’u tregojmë njerëzve se çfarë pune kemi bërë. Aktivitetet do fillojnë javën tjetër në përputhje me kodin zgjedhor”,- tha Gjiknuri.
Gazetarët e pyetën Sekretarin e PS edhe për strategjinë e fushatës së kundërshtarëve politikë, për të cilët ai pati rezerva duke thënë se opozita synon të ofrojë “revolucionin”, për të cilin sipas të majtëve populli nuk ka nevojë.
“Kundërshtarët politikë janë të zhytur në rublat ruse, por strategjia jonë është ajo e ndërtimit të të ardhmes. E shikojmë strategjinë e zhvillimit kurse pala tjetër ka vetëm një slogan që është “përmbysje, revolucion”, që nuk është në përputhje me atë që duan shqiptarët”, -theksoi Gjiknuri.
Një pyetje lidhur me pemët Gjiknuri u përgjigj: Gjithmonë ka vend- ka pemë, gjelbërimi e bën jetën e njerëzve edhe më të mirë. Kjo ka edhe një aspekt simbolik, përveç faktit që PS nuk do të shpenzojë në këtë fushatë. Do të shpenzojë në kufijtë minimal që kërkon ligji dhe duam të japim mesazhin se mblellja e një peme është simboli i zhvillimit, i jetës, i progresit dhe Shqipëria ka hyrë në këtë fazë dhe duam që këtë mesazh të përçojmë tek qytetari. Ne shikojmë progres, ndërsa pala tjetër shikon vetëm zi, sepse është i vetmi mesazh që kanë nw mendje dhe vetëm atë dinë të përçojnë. Kontrasti është i qartë. Ne mbjellim një pemë, ata le të çirren për atë revolucionin e tyre imagjinar.
Partia Socialiste ka vendosur të garojë në 44 bashki me kryetarët aktualë, duke u besuar edhe një mandat tjetër. Asnjë ndryshim nuk ka në listat e kandidatëve për bashkitë në qarkun e Tiranës, të Beratit, Korçës, Durrësit dhe Lezhës.


















