Mbi 5 milionë lekë dhe dy fletë të ngjashme me fletët e votimit, arrestohet drejtuesi i një partie politike në Pukë

65
Sigal

Policia e Pukë ka arrestuar një person dhe proceduar penalisht drejtuesin e një subjekti politik, pasi sipas uniformave blu, hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar një sasi parash, një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve dhe dy fletë të ngjashme me fletët e votimit.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë.
Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe një fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D.S., Policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemër) me 27 persona dhe numrat e ID.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.