Mbi 1100 ish-ndërmarrje bujqësore do u jepen patronazhistëve të partisë

168
Sigal

Qeveria ka bërë gati projektligjin e ri që autorizon MBZHR dhe Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor të cilat do të jenë autoritetet përgjegjëse për përfundimin e procesit të privatizimit dhe shitjes për 1100 ish ndërmarrjet bujqësore, ndërsa për 400 ish-ndërrmarje të tjera pritet të plotësohen dokumentat nga blersit. Ndërsa regjistrimi i kontratave të shitjes do të bëhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në territorin e së cilës ndodhet prona dhe pajisja me dokumentacion pronësie e personave juridikë, fizikë dhe individë

Projektligji/ Si do të përmbyllet privatizimi i pronave të ish-ndërmarrjeve bujqësore

Drafti: Përfituesit do paraqesin vetëm kërkesën në Ministrinë e Bujqësisë

 

Projektligji parashikon që subjektet e interesuara të paraqesin kërkesën për përfundimin e procesit të privatizimit në MBZHR, ku identifikojnë objektin për të cilin kërkohet përfundimi i procesit të privatizimit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor do të jenë autoritetet përgjegjëse për përfundimin e procesit të privatizimit për 1,100 ish ndërmarrjet bujqësore. Objektet janë të braktisura ku për një pjesë të tyre rezulton të këtë përfunduar vetëm procesi i likuidimit, për disa dosje të tjera është nënshkruar kontrata e shitjes, por pa formën e kërkuar nga ligji (të lidhura para noterit) apo për disa objekte megjithëse janë kryer pagesat nuk është nënshkruar kontrata e shitjes. Më herët nëpërmjet një projektligji Ministria e Bujqësisë kërkoi përcaktimin e institucionit që do të përfundonte procesin e privatizimit të objekteve të ish ndërmarrjeve bujqësore (në këtë draft fillimisht rezultonin rreth 1,500 objekte, për të cilat nuk ka përfunduar procesi i privatizimit). Privatizimi i këtyre objekteve kishte bazuar në vendim të qeverisë të miratuar në vitin 1998 që tashmë është shfuqizuar, pasi nuk ishte në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe nuk mund të vijohet me ndryshimin e tij.Tashmë në një tjetër projektligj atë “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të Ish -Ndërmarrjeve Bujqësore”, të botuar në konsultimet publike përcaktohet se përfundimi i transferimit të pronësisë nëpërmjet nënshkrimit të kontratës së shitjes, do të kryhet nga Agjencia Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, në territorin e së cilës ndodhet prona. Ndërsa kryerja e regjistrimit të kontratave të shitjes do të bëhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në territorin e së cilës ndodhet prona dhe pajisja me dokumentacion pronësie e personave juridikë, fizikë dhe individë. Projekt-akti parashikon procedurën që do të ndiqet për përfundimin e procesit të privatizimit për këto objekte.“Subjektet përfituese paraqesin vetëm një kërkesë pranë MBZHR-së ku të kenë përcaktuar identitetin e kërkuesit dhe emërtimin dhe vendndodhjen e saktë të objektit për të cilin kërkojnë përfundimin e procesit të privatizimit. Në Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor ndodhet dokumentacioni origjinal i privatizimit të objekteve të ish – Ndërmarrjeve Bujqësore, në bazë të cilit do të vlerësohet dhe ligjshmëria dhe vijimi i procesit (përfundimi i privatizimit). Në rast së në këto institucione nuk ndodhet dosje origjinale ose e plotë e privatizimit nuk mund të përfundojë ky proces. Lista e dokumentacionit që duhet të ketë secili objekt për të vijuar me përfundimin e këtij procesi do të përcaktohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave që do të miratohet për zbatimin e këtij ligji. Në përfundim të procesit subjektet do të lidhin kontrata në formën e kërkuar nga ligji, do t’i regjistrojnë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe pajisen me dokument pronësie”, përcaktohet në relacionin e draftit. Konkretisht bëhet fjalë për 1,100 objekte, ku për disa ish ndërmarrje bujqësore ka përfunduar procesi i vlerësimit, likuidimit dhe pajisjes me kontratë shitje nga ish Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të ndërmarrjeve bujqësore – ve sipas  VKM-së nr. 161, date 8.4.1993 “Për disa shtesa e ndryshime në VKM nr. 452, datë 17.10.1992” dhe VKM nr.510/1992, por jo të nënshkruara para noterit; për disa objekte ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe pajisjes me kontratë, por me likuidime të pjesshme ose të papaguara të vlerës së kontratës dhe jo të nënshkruara përpara noterit; për disa objekte ka përfunduar procesi i vlerësimit nga ndërmarrja, dhe është kryer likuidimi i plotë, por nuk është pajisur me kontratë shitje nga ish AQRP të NB-ve; për disa objekte ka përfunduar procesi i vlerësimit nga ndërmarrja, dhe është kryer likuidimi i pjesshëm, por nuk është pajisur me kontratë  shitje nga ish AQRP të NB-ve dhe për disa objekte nga ish Drejtoria e Ndërmarrjeve të Braktisura është  hartuar një akt – dorëzimi i objekteve, dorëzuar personave privatë dhe për të cilat është bërë një vlerësim sipas akteve në fuqi për privatizimin.