Mbetjet kancerogjene nga Italia në Vlorë/ Pse u dorëzua Instituti i Shëndetit Publik

478
Sigal

Kanë kaluar dy ditë nga operacioni që zbuloi futjen e amiantit në Shqipëri, ku vazhdon të jetë e mbuluar nga misteri se çfarë kanë fuçitë e hekurta që mbërritën nga Italia.

Prokuroria e Vlorës ka dyshime të forta se edhe fuçitë kanë lëndë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Por pasi kanë kërkuar me urgjencë egzaminimet përkatëse për të saktësuar në procesverbale  përmbatjen e lëndëve të bllokuara, diçka e tillë nuk ka ndodhur ende pavarësisht emergjencës.

Prokuroria një ditë më parë, kërkoi zbarkimin e Institutit të Shëndetit Publik, i cili në përfundim është dorëzuar dhe është tërhequr nga verifikimi.

Ekspertët i kanë treguar akuzës se nuk disponojnë pajisjet përkatëse dhe të duhura në bazë të të cilave të jepej një përgjigjje definitive se çfarë përmbajnë fuçitë të cilat kanë mbishkrimin “ENI”.

Ndërkohë edhe ekspertët e Ministrisë së Mjedisit kanë deklaruar se kjo ministri ka vetëm një laborator në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, por që gjithashtu edhe aty nuk posedohen pajisje për lëndë të tilla që dyshohet se janë të rrezikshme. Është pikërisht ky dyshim që i frenon prokurorët dhe policinë që ti hapë fuçitë për të saktësuar çfarë gjendet brenda tyre, edhe pse të ndaluarit këmbëngulin se bëhej fjalë për karburant.

Por ky pretendimin me shumë gjasë është thjesht një justifikim, sa kohë në Shqipëri sipas një skeme me kompani pastrimi dhe mbetjesh u futën lëndë, prej të cilave deri më tani është identifikuar vetëm amianti.

Kush do ta thotë fjalën?

Një burim pranë prokurorisë së Vlorës shpjegon për gazetën Si se shpresa e vetme për të saktësuar se çfarë gjendet në fuçi, është një tjetër institut. Ai është Instituti i Fizikës Bërthamore që i është kërkuar ndihmë urgjente dhe që disponon ekspertë të fushës, pikërisht për lëndë të tilla, por nuk konfirmohet ende nëse edhe ky Institut posedon pajisje të tilla që të saktësojë dhe të shkruajë në procesverbale  përgjigjjen më të domosdoshme: Çfarë përmbajnë fuçitë?

Çfarë shkoi keq?

Sipas ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ndalohet rreptësisht imortimi i mbetjeve të rrezikshme. Hallka e parë që nuk ka funksionuar pohojnë në anonimitet ekspertët e pavarur të mjedisit, është autoriteti portual i Vlorës, i cili duhet të ushtronte kontrolle më të rrepta,  pikërisht për të shmangur një situatë të tillë. Siç evidentohet, shoqëria Delfini 1, e krijuar në vitin 2005 dhe me seli në  lagjen Pavarësia, ka si objekt mes të tjerave çdo lloj shërbimi portual, operacione dhe transaksione të çdo natyre lidhur me tranzitimin e tregtimin e mallrave duke përfshirë edhe omerxhim dhe spedicion të anijeve tregtare të transportit dhe pasagjerëve.

Pikërisht kjo shoqëri që ka historik 15 vjeçar lidh një marrëveshje me shoqërinë  St diamante, me administrator Agron Brataj, për pastrimin e tragetit. Sipas një skeme të tillë, ku Brataj do ofronte kalimin pa pengesë në rolin e agjentit të tragetit, furgoni i shoqërisë Delfini hynte pa pengesë në një target pa u kontrolluar dhe duke nxjerrë mallra, që nuk kanë asnjë dokument shoqërues dhe për më tepër janë të rrezikshme dhe kancerogjene.

Pikërisht për destinacionin tjetër hyn në lojë shoqëria e Zamir Kormuzit që  është rregjistruar në QKR në vitin 2017, me objekt veç grumbullimit të mbetjeve ka objekt edhe tërheqjen e mbetjeve vajore dhe të ngurta nga portet vajore.

Të dyja shoqëritë sipas investigimit të gazetës Si janë të pajisura me leje mjedisi të tipit C, stacion transferimi për mbetje jo të rrezikshme, por edhe këtu mungon roli kontrollues i Inspektoriatit të Mjedisit i cili ka funksion kontrollin e subjekteve minimalisht njëherë në gjashtë muaj. Por teksa prokuroria po përgatitet që të kërkojë arrest me burg në gjykatë për gjashtë të arrestuarit e parë të këtij skandali, pritet që rrethi i të dyshuarve të zgjerohet, sa kohë kjo ngarkesë me një traget pasagjerësh është future  kontrabandë në Shqipëri. Kjo na bën dyshues, shtoi një zyrtar i policisë së Vlorës se në këtë rast për futjen e lëndës së rrezikshme amiant është përdorur e njëjta skemë e Camorras, mafies italiane në groposjen e mbetjeve të rrezikshme.

Por pavarësisht dyshimeve, hetuesit nuk kanë ende një tezë se ku mund të jenë groposur mbetjet e rrezikshme, sa kohë dyshohet se me këtë mënyrë, me tragetin e pasagjerëve Vlorë-Brindizi, janë sjellë në Shqipëri 15 ngarkesa të tilla.