Mbërrin vjeshta, ulje temperaturash dhe reshje shiu në disa zona gjatë javës

174
Sigal

Zyrtarisht në vjeshtë! Kushte të paqëndrueshme atmosferike kanë përfshirë të gjithë territorin shqiptar, duke bërë që vranësirat të jenë të pranishme që në orët e para të mëngjesit, më të dendura në zonat malore duke sjellë reshje të pakta shiu.

Sipas Meteoalb, edhe dita e nesërme mbetet nën ndikimin e vranësirave të dendura duke rrezikuar reshje shiu kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht te ato qendrore.

“Dita e mërkurë dhe e enjte intensifikon vranësira duke sjellë shira, ku herë pas here do të ketë edhe rrebeshe në pjesën më të madhe të territorit të vendit. E premtja dhe fundjava do të sjellin pauzë të reshjeve duke i izoluar reshjet vetëm në zonat malore.

Për sa i përket temperaturave për sot dhe nesër mbetemi në ato të larta ku minimalja është 13 gradë në zonat juglindore dhe maksimalja shkon deri në 30 gradë.

Pritet që deri nga e mërkura të kemi rënie të temperaturave, duke kulmuar të premten dhe në fundjavë ku do të kemi rënie të ndjeshme ku në zonat malore shkon edhe 7 gradë dhe maksimalja nuk shkon më shumë se 25 gradë.

Problematikë mbetet era, duke bërë që shpejtësia të shkojë edhe deri në 50km/h duke sjellë dallgëzim të lartë në brigjet detare,” bën të ditur meteorologia Lajda Porja .