Maturantët, 2 ditë shtesë për plotësimin e formularit A2

593
Maturantët të cilët nuk kanë arritur që të plotësojnë formularin A2 për shkak të problemeve të ndryshme kanë edhe dy ditë kohë për ta bërë këtë. Procedurat për plotësimin e formularit A2 do të mund të bëhen vetëm pranë zyrave të drejtorive arsimore. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi, thekson se deri më tani kanë aplikuar për të fituar një degë në universitet rreth 27 mijë maturantë. Kur ka mbetur edhe sot nga afati zyrtar i plotësimit të tij duket se ka pasur një interes të madh për të vazhduar studimet e larta. Mirëpo, pritet që edhe gjatë ditës së sotme maturantët e Kukësit, Hasit, Tropojës, Dibrës, Matit dhe Bulqizës të plotësojnë formularin A2. Në dy ditët e vazhdim, pra nesër dhe pasnesër, u jepet një shans i dytë të gjithë atyre që për një arsye apo tjetër nuk arritën të plotësojnë formularin që u jep mundësi për të vazhduar studimet e larta. Çdo maturant që ka kryer pagesën për aplikimin me formularin A2 në zyrat e Postës Shqiptare apo në çdo bankë të nivelit të dytë, ka dorëzuar në shkollën e tij mandatpagesën përkatëse, mund të aplikojë. Nëse nuk e ka kryer këtë pagesë, sistemi informatik nuk e lejon të aplikojë për plotësimin e formularit A2. Në javën e tretë të muajit gusht pritet të dalë edhe libri i transparencës, në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ky libër paraqet notën mesatare të shkollës së mesme, notat e provimeve të maturës dhe pikët e grumbulluara për çdo program studimi të përzgjedhur në formularin A2. Libri i transparencës i vjen në ndihmë çdo maturanti për të verifikuar rezultatet e tij në Maturë si dhe pikët e grumbulluara për programet e studimit të përzgjedhura në formularin A2. Për çdo parregullsi të vërejtur ai duhet të plotësojë formularin përkatës për korrektimin e tyre. Ky formular plotësohet nga maturanti dhe dorëzohet në shkollë në afatet e përcaktuara me udhëzimet e publikuara nga MAS dhe AKP. Pra në rast se një maturant ka gabuar gjatë plotësimit të formularit A2, ka të drejtë që ta korrigjojë atë, pasi të ndjekë të gjithë procedurat e përcaktuar nga ministria. Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë maturantët më të mirë kanë zgjedhur degët e mjekësisë, ekonomisë, matematikë-informatike. Pra trendi i nxënësve të shkëlqyer është si gjithmonë drejt shkencave ekzakte, ku edhe numri i pikëve të kërkuara për të qenë fitues është më i lartë. Për të konkurruar në garën për t’u shpallur fitues në njërin nga programet e studimit të ofruara nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik të vendit, çdo maturant që rezulton kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore dhe ka kryer procedurat për pasqyrimin në sistem të pikëve/notës mesatare, duhet të plotësojë Formularin A2.
Sigal