Matteo Mandalá, Akademik Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

524
Sigal

Gazeta Telegraf/

Vlerësohet
përgjegjësi i seksionit të albanologjisë në Universitetin e Palermos

  Dezdemona Porja

Akademia e
Shkencave e Shqipërisë pranoi si anëtar të jashtëm të Asamblesë së saj prof.
dr. Matteo Mandalà-në, prej afro 25 vjetësh përgjegjës i seksionit të
albanologjisë në Universitetin e Palermos (Università degli Studi di Palermo)
me këtë motivacion: “Albanolog i mirënjohur; historian dhe studiues i letërsisë
arbëreshe dhe shqipe prej fillimeve deri në kohën e sotme, filolog e botues i
shkrimeve dhe veprave shqip në disa periudha letrare; intelektual me interesa
të gjerë dhe dijetar me ndihmesa origjinale në disa fusha të dijes kombëtare;
përfaqësues i shquar i mendimit shkencor shqiptar në gjithë botën e sotme
akademike-universitare”. Kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Dr. Myzafer
Korkuti, në prani të shumë studiuesve, miqve e kolegëve, i dorëzoi profesorit
arbëresh vendimin, ndërsa prof. Floresha Dado kumtoi një pasqyrë të aktivitetit
shkencor të Matteo Mandala. Së bashku me prof. dr. Franccesco Altimarin,
Mandalà është themelues i filologjisë moderne shqiptare. Ai ka përgatitur dhe
botuar me shqyrtim kritik dhe me principe shkencore europiane veprën e Lekë
Matrangës, veprën e Nicolò Chetta-s, veprën e Nicolò Figlia-s (Il Codice
Chieutino), veprën e Giuseppe Schirò-it, veprën e Gavril Darës i Riu. Së
fundmi, në 200-vjetorin e lindjes së De Radës, ai ishte përkujdesës kryesor për
botimin për herë të parë në Shqipëri të veprës së tij, si në gjuhën e burimit,
me tejshkrim në shqipen e sotme, në gjashtë vëllime.  Prof. dr. Matteo Mandalà njihet gjithashtu si
studiues i rendit parësor të letërsisë së Ismail Kadaresë dhe i disa autorëve
bashkëkohore. Studimi hyrës i ribotimit të afërm të veprës së plotë të I.
Kadaresë, me përmbajtjen e një monografie, është njëherësh një vështrim rreth
zhvillimeve të letërsisë shqipe pas vitit 1960. Emri i prof. dr. Matteo
Mandalà-së çmohet shumë për ndihmesat e tij si shkencëtar dhe për besueshmërinë
intelektuale si pjesëmarrës në debatet themelore për të cilat shqetësohet
Akademia e Shkencave në pikëpamjen shkencore, si debati për njësinë e gjuhës
letrare, debati për identitetin shqiptar, debati për qendrimin ndaj traditës së
hershme e të afërme dhe çështje të tjera.

Pasi bëri
falënderimet e rastit, prof. Matteo Mandalá paraqiti një ligjëratë me temën
“Vendi i veprës së Ismail Kadaresë në letërsinë bashkëkohore”. Sipas Mandalás
me “gjeneralin italian që kërkonte ushtrinë e vdekur në trojet shqiptare,
Kadare vërtet tërhoqi vëmendjen për talentin e veçantë artistik të autorit të
ri, por asokohe askujt nuk ia merrte mendja se letërsia bashkëkohore shqiptare,
nga ai çast e tutje do të ndahej në dy periudha ante dhe post quem, të
lidhura me figurën dhe veprën e Ismail Kadaresë. Në fakt botimi i parë i
Gjeneralit shënon një kthesë historike që na lejon, nga njëra anë, të pohojmë,
se pas atij botimi asgjë nuk do të ishte më si më parë, e nga ana tjetër t’ia
hyjmë një shqyrtimi të plotë të procesit artistik kadarean, që sot është bërë i
domosdoshëm pas vendimit të autorit për ta mbyllur përfundimisht veprimtarinë e
tij krijuese”.

Sipas profesorit
italo-arbëresh, “karakteri qendror i Gjeneralit shpjegohet jo aq me faktin se
ishte romani i parë që botoi Kadare, sesa me atë se romani nxori në pah
konfliktin mes dy vizioneve të kundërta e të papajtueshme të realitetit: nga
njëra anë, duke favorizuar një aspekt të nëndheshëm që historikisht ka tërhequr
vëmendjen e gjenisë krijuese, kjo vepër ngjallte te Kadare prirjen që kishte
ushqyer qysh në fëmijëri për fantazmat shekspiriane; nga ana tjetër, ishte e
pashmangshme që të merrte jetë një ballafaqim dinamik me kryeneçësinë e një
sistemi ideologjik i cili, ndërkohë që rrekej të ndërtonte parajsën mbi tokë,
nuk i kishte fort qejf inkursionet letrare nëntokësore që u shmangeshin
kanoneve zyrtare. Nga ky moment Kadare vihet në kërkim të hapësirave që t’i
lejonin eksperimentime të reja pa u konfirmuar dhe njëherazi pa e thelluar
hendekun antikonformist”.