Materniteti i ri në Elbasan pa ngrohje, drejtoresha përgjigjet: “Jemi në krizë”

1240
Sigal

Parmbrëmë, drejtoresha e Spitalit të Elbasanit, Desontila Tahiraj, së bashku  me shefen e matrenitetit, Teuta Ilirjani, me kryeinfermieren Brikena Bylyky, bënë një kontroll (të befasishëm), në maternitetin e ri të Elbasanit, i cili ka vetëm pak muaj që funksionon. Tematika e kontrollit të befasishëm, të vetë drejtoreshës së spitalit, madje në orët e mesnatës, ishte të verifikonte nëse punonjësit ishin duke u shërbyer pacientëve në këtë orë të mesnatës. Mirë bënë, që kontrollojnë edhe për disiplinën drejtoresha e spitalit, mirëpo, duke kaluar nëpër pavijone dhe dhoma të pacientëve, drejtoresha Tahiraj u ndesh me një ankesë të të gjithë pacientëve.

Drejtoreshë, tani bën shumë ftohtë dhe kaloriferët nuk punojnë asnjë minutë. Po ftohemi. Ç’do të bëni?

Drejtoresha, tregohet shpërfillëse ndaj kësaj ankese dhe u përgjigjet pacientëve që ankohen, me indiferentizëm të madh, thua se nuk është problem që e shqetëson aspak. Jemi në krizë, ndaj nuk ka ngrohje. Mirëpo, cila është e vërteta që fsheh drejtorja e Spitalit të Elbasanit, Desontila Tahiraj?

Materniteti i ri i Elbasanit, ka pak muaj që është inauguruar. Ka një kaldajë me naftë dhe të instaluar sistemin ngrohës. Mirëpo, deri tani, kjo kaldajë nuk është ndezur asnjëherë. Nënat, sa lindin në katin e parë të këtij materniteti, çohen për t’u shtruar në katin e tretë dhe një foshnjë e porsalindur, në këto ditë të ftohta dimri, lihet pa asnjë ngrohje nga drejtorja Tahiraj. Pyesim drejtoren e Spitalit, Desontila Tahiraj, si edhe drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë:

A ka fond të veçantë, për Spitalin e Elbasanit, për ngrohje? Nëse ka, ku përdoren këto fonde, dhe përse nuk blihet naftë që të ngrohen dhomat e pacientëve?

Nëse nuk ka fonde për ngrohjeje, përse u shpenzuan lekë për të ndërtuar kaldajën e naftës?

Ngjitur me maternitetin e ri në Elbasan, është edhe pavijoni i kirurgjisë, i cili, gjithashtu, është pa ngrohje. Në maternitet, sikurse edhe në spitalin e Elbasanit, mungojnë ilaçet më kryesore, e megjithatë, drejtoresha nuk shqetësohet aspak, ndaj kërkon që të shpërqendrojë vëmendjen e problemeve kryesore, në ca kontrolle të disiplinës. Është kaq absurde në punën e saj drejtoresha Tahiraj, sa pushon nga puna edhe infermierë, të cilët lejojnë që në shtretërit bosh, nëpër dhoma, të shtrihen shoqëruesit e të të sëmurëve. Drejtoresha Tahiraj, nuk e di ku e ka gjetur këtë ligj, që të dënojë infermierët, përse lejojë shoqëruesit e të sëmurëve që të shtrihen në krevatet bosh.  Por, kur spitali nuk u siguron asgjë të sëmurëve,  as ilaçe, as ngrohje, as sapun, por janë thjesht një krevat-hoteli, drejtoresha e Spitalit të Elbasanit duhet të mësojë që e ka për detyrë që t’u sigurojë edhe shoqëruesve të të sëmurëve kushte ndenjeje, sikurse ndodh në çdo spital të vendeve të tjera.