Masakra, Luiza Xhuvani lë mandatin: Drejtësia le të veprojë

543
Sigal

TIRANE-   Deputetja e Partisë Socialiste Luiza Xhuvani i ka dorëzuar kryeministrit Rama dorëheqjen nga mandati i saj i deputetes në Sarandë, pas masakrës në Tiranë ku katër persona humbën jetën, ndërsa për këtë është arrestuar dhe djali i saj, Konstandin Xhuvani, si i dyshuari kryesor për ngjarjen. Mes lotësh e dhimbjes si nënë, e veshur në të zeza Luiza Xhuvani kërkoi që drejtësia të veprojë ashtu siç e parashikon ligji.
 
Duke shprehur qëndrimin e tij për ngjarjen, kryeministri Rama tha se në 23 qershor ka përfunduar koha kur kishte një shtet për fëmijët e politikanëve dhe shtet për të tjerët.
Duke e vlerësuar si grua, artiste, por edhe politikane, Luiza Xhuvanin, Rama tha se ajo është shembulli i etikës në politikë, dhe “Dorëheqja e Luizës t’i vlejë politikanëve e gjykatësve”.
 
Kreu i qeverisë tha se ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm, ka prekur të gjitha familjet shqiptare, ndërsa duke theksuar se ligji është i barabartë për të gjithë tha se “Kostandin Xhuvani do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi”.

Luiza Xhuvani: Mos i ndodhtë asnjë prindi ajo që më ndodhi mua
“Fjalët nuk më mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe drithërimat e shpirtit! Dhimbje për katër jetët e humbura! Dhimbje për familjarët e atyre, që sot vajtojnë bijtë, që nuk jetojnë më! Sigurisht, dhimbjen e një nëne që sot e ka të pamundur të mbajë fajet e të birit. E kuptoj se, sot, gjëja më e lehtë dhe e thjeshtë është të fajësosh prindërit e familjen e Kostandinit. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç. Edhe unë, edhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit. Prindër, që si çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijët e vet, por mesa duket paskemi qënë të pafat në këtë drejtim.

Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është një ngjarje tragjike. Por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj. Janë 4 familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve të tyre më të shtrenjtë. Janë 4 familje që sot kërkojnë drejtësi. E drejtësia duhet të bëjë drejtësi.

Drejtësia duhet t’i trajtojë të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kush është prind më kupton. Kush është nënë më kupton edhe më mirë. Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave do të mbetet djali im. E, pikërisht, se një nënë duhet të gjendet pranë fëmijës edhe në momente tragjike si këto, me bindjen se drejtësia duhet të veprojë me rreptësi ndaj çdokujt që shkel ligjin edhe kur behet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdolloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që më ka zgjedhur, duke kërkuar ndjesë, kam paraqitur Kryeministrit të vendit dhe Kryetarit të PS, dorëheqjen time si deputete e Sarandës.

Mos i ndodhtë asnjë prindi kjo që më ka ndodhur mua. Mos i ndodhtë askujt ajo tragjedi që ka ndodhur sot në të gdhirë. Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im. Nuk mund ta mohoj se ai është gjaku im. Do të tërhiqem në thellësinë e dhimbjes me peshë të parehabilitueshme. Drejtësia le të bëjë drejtësi!”, u shpreh Xhuvani mes lotësh para mediave. – See more at: http://www.shqiptarja.com/home/1/masakra-luiza-xhuvani-l–mandatin-drejt-sia-le-t–veproj–250229.html#sthash.DsJfexwR.dpuf