Marrëveshje bashkëpuni mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane

19
Sigal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Madhor Gledis Nano vijon takimet me zyrtarët më të lartë të Policisë Federale të Gjermanisë, takime që kanë si qëllim rritjen e bashkëpunimit për shkëmbim informacioni, hetime dhe operacione të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta dhe terrorizmit.

Presidenti i Policisë Federale Gjermane, Dieter Romann vlerësoi punën dhe rezultatet e arritura nga Policia shqiptare në luftën kundër kriminalitetit dhe theksoi se kjo është një luftë sa nacionale ashtu dhe ndërkombëtare.

Policia gjermane vlerësoi profesionalizmin e Policisë shqiptare dhe theksoi se në këtë kuadër, është e nevojshme që në vijim të bashkëpunimit midis dy policive, të ketë akoma më shumë skuadra hetimore të përbashkëta, shkëmbime informacioni në kohë reale dhe operacione të përbashkëta kundër grupeve kriminale që veprojnë në fushën e krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe trafiqeve të qënieve njerëzore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Gledis Nano ka siguruar Presidentin e Policisë Federale Gjermane  Dieter Romann se Policia shqiptare ka të gjitha kapacitetet profesionale dhe njerëzore për të qenë në krah dhe e barabartë me policitë partnere, në përmbushje të misioneve të përbashkëta që kanë si qëllim luftën kundër kimit të organizuar dhe terrorizimit.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, Nano u shpreh: “Mbështetja juaj dhe e Policisë gjermane është një motiv më shumë për mua, për të përmbushur prioritetet, shumica e të cilëve janë të përbashkëta, pasi kanë të njëjtin qëllim, krijimin e një ambienti të sigurtë për jetën dhe pronën e qytetarëve tanë.”

Në fund të takimit, Nano dhe Romann nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të projektit ndërkombëtar “SCOPE”, që ka në fokus luftën ndaj grupeve të organizuara kriminale që i pajisin emigrantët e parregullt me dokumente të pavlefshme dhe u paraqesin atyre mënyra për të kaluar kufirin, duke shmangur pikat e kontrollit kufitar, si dhe luftën ndaj grupeve të organizuara kriminale, të cilët përmes kësaj veprimtarie të kundërligjshme, rrezikojnë jetën e këtyre subjekteve.

Këto objektiva synohet të përmbushen përmes operacioneve të përbashkëta policore, si dhe bashkëpunimit midis strukturave përgjegjëse në këto dy shtete.