Marrëveshja e dyshimtë: Nafta e Visokës iu transferua kompanisë serbe me pronar rus

195
Sigal

Të dhënat e siguruara tregojnë se kompania GTK Oil është në pronësinë e kryetarit të bordit të një kompanie ruse për zhvillim e fushave të naftës dhe është e lidhur gjithashtu me degën serbe të gjigantit rus Gazprom Neft.

Qeveria, AKBN dhe Albpetrol bënë një sy qorr ndërsa kompania koncesionare ‘Terraoil Swiss’ lidhi një marrëveshje që i transferonte të dhënat konfidenciale dhe të drejtat mbi prodhimin në fushën naftëmbajtëse të Visokës në jug të Shqipërisë një kompanie të regjistruar në Novi Sad, në shkelje të marrëveshjes hidrokarbure. Në fund të vitit 2018, kompania hidrokarbure ‘Terraoil Swiss’ – e cila ka një marrëveshje me Albpetrol për shfrytëzimin e fushës naftëmbajtëse të Visokës, lidhi një kontratë shërbimi me kompaninë GTK Oil. Sipas marrëveshjes, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, në shkëmbim të investimeve për rritjen e prodhimit në fushën e Visokës nga kompania GTK Oil , Terraoil i transferonte asaj një pjesë të të ardhurave nga rritja e prodhimit të naftës bruto dhe çdo informacion dhe aset të fushës së naftës. Kontrata e shërbimit ngriti këmbana alarmi në Albpetrol, pasi tjetërsonte parashikimet e marrëveshjes hidrokarbure mes kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës bruto dhe Terraoil Swiss, duke e trajtuar vendburimin e naftës si pronë të koncesionarit, të cilin ky i fundit mund t’ua transferonte palëve të treta. Përveç shkeljes së kontratës me Albpetrol, marrëveshja mes dy kompanive ngre gjithashtu shqetësime për cenim të sigurisë kombëtare. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania GTK Oil është në pronësinë e kryetarit të bordit të një kompanie ruse për zhvillim e fushave të naftës dhe është e lidhur gjithashtu me degën serbe të gjigantit rus Gazprom Neft. Në fund të nëntorit 2018, në Fier themelohet kompania GTK Oil me administrator shtetasin serb, Nebojsa Trajkovic – i cili në CV-në e tij në rrjetin social LinkedIn shkruan se punon për kompaninë ruso-serbe të naftës NIS Gazprom Neft, një konsorcium i Naftna Indrustrija Srbje dhe gjigantit rus Gazprom. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kjo kompani është në pronësinë e kompanisë Geotechnokin D.O.O, e përfaqësuar nga shtetasi rus Tofik Khismetov, kryetar i bordit i kompanisë ruse të naftës “NTC Geotechnokin. ”Kompania NTC Geotechnokin është një kompani me qendër në Moskë, e cila liston si partnerë të saj një listë të gjatë kompanish ruse të naftës, mes të cilave dhe kompaninë Gazprom Neft, aksioneri mazhoritar i NIS Gazprom Neft – kompanisë më të madhe energjetike në Serbi. Me 1 dhjetor 2018, kompania Terraoil Swiss me administrator Shefqet Dizdarin ka lidhur një kontratë shërbimi me GTK Oil, të drejtuar nga Nebojsa Trajkovic, për operacionet hidrokarbure në fushën e Visokës..