Marinarët, viktima të trafikantëve serbë

351
Sigal

Tre marinarë durrsakë me armë serbe në Jemen. Kolegët e tyre: Kriza ekonomike po rrezikon jetën e shokëve tanë!

Tre marinarët shqiptarë që janë kapur në Jemen me një vapor me 179 ton armatime serbe janë banorë të qytetit të Durrësit. Ata janë bllokuar që nga muaji dhjetor në Portin e Jemenit në rrugëtim drejt shtetit të Irakut me armatimet serbe në bordin e anijes, e cila drejtohej kryesisht nga marinarë cilësorë shqiptarë. Të tre marinarët kanë qenë banorë të qytetit të Durrësi. Fati i tyre është bërë i ditur nga agjencitë e lajmeve, ndërsa për shtetin e tyre ata prej muajsh ishin të humbur, pasi ata kishin rreth 5 muaj që, sipas agjencive të lajmeve, “kishin humbur rrugën” në det, gjë e vështirë kjo në kushtet e modernizimit të mjeteve ndërlidhëse dhe pas muajit dhjetor ata janë arrestuar dhe ndodhen në Jemen. Ata pritet që sot të dalin para trupit gjykues jemenas për trafik ndërkombëtar armësh. Janë dhënë versione të ndryshme, deri në faktin se anija nuk kishte cilësinë e garancinë e një mjeti transporti armësh. Njoftimet kanë qenë që anija “EOS” ka qenë e ngarkuar me 179 ton eksploziv, municione dhe armatim, ngarkesë kjo që kishte destinacion portin e Um Kasrit në Irak. Ajo drejtohej nga kapiteni Arif  Bakillari banor durrsak me origjinë nga Skrapari dhe me të udhëtonin oficeri i parë Mihal Cangonji dhe kryemekaniku Nezir Shahaj. Ndërkohë, sipas librit të anijes, në bord ndodheshin edhe tre marinarë të tjerë, dy indianë dhe një grek.

Kolegët

Në hyrje të Portit të Durrësit marinarët që kanë punuar prej një kohe të gjatë me shokët e tyre që tashmë ndodhen të arrestuar në Jemen, flasin me konsideratë për ‘ta si njerëz të rregullt dhe detarë mjaft të zotë. Ata, madje, ngrenë lart cilësitë njerëzore në marrëdhënie me shokët të kapitenit Bakillari si dhe aftësitë profesionale. Fatit që ata kanë punuar si marinarë shëtitës në anije “problematike” me flamur të huaj dhe me armatim të ngarkuar, gjë që ua vinte jetën në rrezik për çdo sekonde të jetës së tyre, shpjegohet nga shokët se, “varfëria po u shkon njerëzve deri në kockë” dhe s’kanë rrugëdalje tjetër për të siguruar të ardhura, përveçse me mjete të dyshimta. Ata thonë se, tashmë janë të papunë rreth 250 marinarë shqiptarë, pasi kriza ekonomike ka çuar për skrap këto vite rreth 24 copë anije dhe një numër mesatar i tyre i bie të kenë afërsisht nga 10 deri në 12 marinarë për anije. Madje, ata tregojnë një rast analog kur një ekuipazh i një anije të huaj në vitet ‘90, për të eliminuar kontrollet në portet e Detit të Zi, i binte këtij deti mes për mes, me dallgë të shumta dhe kur dihet nga të gjithë se është një nga detrat më të trazuara.

Paradoksi

Marinarët për hir të një pagese më të mirë, ishin të detyruar të rrezikonin edhe kokën. Një marinar nga Durrësi, pasi bëri një udhëtim një mujor me ketë transport të zi në Detin e Zi, pësoi traumë dhe u kthye e nuk pranoi të lundrojë më. Dhe fati i zi bie mbi kokat e këtyre fatkëqijve, pasi drejtësia nuk kërkon kompanitë që i kanë ngarkuar dhe trafikuar këto armë si dhe agjencitë, por kapen ata që nuk kanë asgjë në dorë dhe që, së fundi, duke luftuar për bukën e gojës, ata marrin mbi kurriz përgjegjësitë e trafikantëve dhe trajtohen barbarisht nga drejtësia. Mbi një muaj në burgim dhe asnjë sinjal interesimi nga shteti për fatin e tyre është domethënës.

Destinacioni i anijes greke dhe të dhënat kontradiktore

Anija greke “EOS” e ngarkuar me municion dhe armë ishte nisur nga Greqia, është ndaluar në Durrës dhe më pas në Mal të Zi është ngarkuar me sasinë e armatimit të kontraktuar. Destinacioni përfundimtar ishte porti Um Kasrit në Irak ndërkohë që, u kap në portin Al Mukallës, në bregdetin e Jemenit pasi akuzohet për trafik armatimi. Sipas mediave jemenase, ndalimi është bërë pasi ngarkesa e madhe me armatime dhe eksploziv bie në kundërshtim me ligjet e Jemenit si edhe me konventat ndërkombëtare. Agjencitë e lajmeve thonë se armët janë prodhim serb. Anija “EOS” është nisur më 17 korrik të vitit të kaluar nga Greqia. U ndal në Durrës dhe më pas në Mal të Zi, ku u ngarkua me sasinë e armatimit e kontraktuar. Më 16 dhjetor ndaloi në portin e Al Mukallës, në Jemen, për furnizim me karburant, ndërsa në bord kishte 179 tonelata armatim dhe eksploziv. Në 18 dhjetor të gjashtë marinarët u arrestuan nga policia portale, pa përfunduar në destinacion portin e Um Kasrit në Irak. Sipas njoftimeve nga Jemeni, anija gjatë lundrimit kishte humbur rrugën dhe u end nëpër det për 5 muaj e më pas mbërriti në Jemen. Aty, hetimet kanë nxjerrë në pah, sipas tyre, të dhëna kontradiktore për ngarkesën dhe destinacionin dhe është mohuar fakti se kishte armatim në kundërshtim me ligjet vendase dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas padisë së ngritur nga drejtësia jemenite, marinarët kanë shkelur ligjet kombëtare dhe rregullat ndërkombëtare të lundrimit në det me lëndë plasëse dhe municione, pa iu përmbajtur koordinatave të përcaktuara ndërkombëtarisht.