Manovra e gabuar i kushtoi jetën “Xubit” të Yzberishtit, arrestohet shoferja, profili i viktimës

370
Sigal

Një manovër e gabuar e shoferes së ‘Toyota Yearis’ që i preu rrugën motorit i ka kushtuar jetën Fatmir Avdillrit, i njohur ndryshe edhe si ‘Xubi’.

Aksidenti ndodhi mesditën e të martës në Yzberisht.

Mësohet se policia e ka arrestuar 39-vjeçaren Ankela Mulleti, e cila ishte drejtuesja e mjetit që shkaktoi aksidentin dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, pasi edhe vetë mbeti e plagosur nga përplasja.

39-vjeçarja, duke drejtuar makinën e saj në bulevardin ‘Migjeni’ në Yzberisht nga korsia e mesit dyshohet se bëri manovër të gabuar dhe u kthye majtas, duke i prerë kështu rrugën motorrit Suzuki me të cilin udhëtonte Avdillri.

Më pas motori u përplas me një mjet tip ‘Benz’ të parkuar, ndërsa trupi i Avdillarit u përplas mbi xhamin e parë të një makine ‘Opel’.

KUSH ISHTE ‘XUBI’

Fatmir Avdillari konsiderohej si një ndër “të fortët” e Yzberishtit, por edhe të Selitës, disa vite më parë.

Ai, së bashku me vëllain e tij, Ilir Avdillarin dhe disa persona të tjerë kanë qenë të njohur si anëtarë të “Bandës së Yzberishtit” në vitet ’97-’98, të akuzuar për shumë vepra penale, mes të tjerash edhe vrasje.

“Xubi” kishte vetëm një vit që kishte dalë nga burgu, pasi shleu dënimin prej 12 vitesh për vrasje, kur u arrestua sërish për vrasje në vitin 2009 nga Policia e Tiranës.

Një vit pasi doli nga burgu, Fatmir Avdillari u arrestua për vrasjen e Ardian Tahirit, ngjarje e ndodhur më 11 prill 2009, që sipas Policisë ishte kryer për hakmarrje.

Policia deklaronte zyrtarisht se Fatmir Avdillari ka pasur dyshime se Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllain, Fiqiri Avdillarin, në Athinë.

Po ashtu “Xubi” ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit italian Stefano Rossi në vitin 1998.

Krimi ndodhi vetëm 100 metra larg fabrikës së biznesmenit italian, ndërkohë që Rossi kishte tërhequr nga banka 30 milionë lireta.