Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po shkel në mënyrë të hapur Kushtetutën, pasi, në kundërshtim flagrant me kompetencat e tij ligjore, ka vendosur të diskutojë mbi një vendimmarrje të Parlamentit për shpalljen e procedurave për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) parashikon të zhvillojë një diskutim për procedurat e ndjekura nga Parlamenti mbi shpalljen e vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska, një zhvillim, i cili mund të krijojë me shumë mundësi një përplasje institucionale të panevojshme.
Në një njoftim të shpërndarë pasditen e së enjtes thuhet se KED do të mblidhet mesditën e kësaj të premte (1 nëntor 2024), ku është parashikuar, ndër të tjera, “Diskutim lidhur me njoftimin e Kuvendit që ka të bëjë me përcaktimin kohëzgjatjes së mandatit të vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese”.
Në 30 shtator 2024, Parlamenti shpalli thirrjen për plotësimin e vakancës së plotë të krijuar nga dorëheqja e gjyqtares Toska. Sipas njoftimit të Kuvendit, gjyqtari që do të plotësojë këtë vakancë do të qëndrojë në detyrë deri në nëntor të vitit 2028.
Në përgjigje të kësaj thirrjeje, në përfundim të afatit, 28 Tetor 2024, dorëzuan aplikimet 10 kandidatë.
Njoftimi i Kuvendit për “vakancë të plotë” nxiti disa reagime mediatike, përfshirë edhe “Zërin e Amerikës”, në të cilët u ngrit dyshimi se Kuvendi po cënonte skemën e rotacionit 3-vjeçar të gjyqtarëve kushtetues.
Megjithatë, siç rezulton nga dokumentat zyrtarë, Kuvendi, në thirrjen për aplikim, është mbështetur në procedurën e ndjekur në vitin 2019, kur Elsa Toska u zgjodh për një mandat të plotë 9-vjeçar.
Gjithësesi, diskutimi, i deritanishëm në media, ka kaluar në dyert e institucioneve. I pari që e shndërron këtë rast në çështje zyrtare është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, një institucion që nuk rezulton se ka tagrin ligjor për të diskutuar vendimmarrjen e organeve të emërtesës, në rastin konkret, Kuvendit të Shqipërisë.
KED është përgjegjës për verifikimin e trefishtë- pasuri, integritet dhe aftësi profesionale- të kandidaturave për postet vakante në Gjykatën Kushtetuese, të cilat mbërrijnë nga organet e emërtesës, përkatës Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.
Si Kushtetuta, por as ligji organik i Gjykatës Kushtetuese dhe as ai “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” nuk parashikon mundësinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që të shqyrtojnë procedurat e ndjekura nga tre institucionet e tjera kushtetuese për shpalljen e aplikimeve.
Gjithashtu, “Boldneës.al” verifikoi bazën ligjore, nga ku rezultoi se KED nuk ka asnjë lloj tagri kushtetues dhe ligjor për të diskutuar apo dhënë opinione për institucionet e tjera të emërtesës.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, redaksia nuk arriti të marrë një përgjigje zyrtare nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi se, mbi cilën bazë ligjore ishte vendosur që të “diskutohej për njoftimin e Kuvendit…”.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë; një gjyqtar i lartë, që luan edhe rolin e kryetarit, dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë e dy prokurorë në nivelin e Apelit dhe një gjyqtar administrativ.
Kuadri ligjor parashikon që funksioni i KED nis menjëherë pas marrjes së listës së kandidatëve nga tre institucionet që kanë të drejtë për të përcjellë emra për vakancat në Kushtetuese, duke i pajisur aplikantët me formularët përkatës të pasurisë dhe integritetit.
Në funksion të detyrës së tij, KED, gjatë këtij procesi, ka hapësirë që të kërkojë të dhëna në institiucionet publike e private. Në përfundim të verifikimit, KED del me vendim për lejim ose ndalim të kandidatëve për të vijuar procesin e përzgjedhjes.